Rama mbledh aleatët, debat për formulën e re të KQZ në zgjedhje

Jan 11, 2012 | 12:13

Milo, Rama e Gjinushi gjatë tryezës së djeshme

Rama, debat me Gjinushin e Milon për sistemin zgjedhor.

Kreu socialist ka ftuar aleatët e tij opozitarë në një drekë pune, ku ka diskutuar rreth reformës zgjedhore. Dje në mesditë, në bar-restorant “Austria”, Rama ka diskutuar për rreth dy orë me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kryetarin e Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetarin e PSV ’91, Petro Koçi, kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, sekretarin e koalicionit, Ndre Legisi, si dhe koordinatorin e opozitës, Preç Zogaj. I vetmi aleat që mungoi dje në këtë tryezë ishte kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili ndodhej në Athinë. Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka bërë një ekspoze të punës që kanë bërë deri në këto momente ekspertët e emëruar të dy partive në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Gjiknuri ka përsëritur qëndrimin e PS për të hedhur në tryezën e bisedimeve dhe propozimin e partive opozitare për korrektimin e sistemit zgjedhor. Gjatë drekës, aleatët e PS kanë bërë propozime lidhur me formulën e KQZ-së së re, propozime që synonin kryesisht në një depolitizim të saj, me anëtarë kryesisht nga Gjyqësori. Edhe pse nuk u përfshinë në një vendimmarrje unanime të opozitës, propozimet kishin të bënin me përfshirjen e KLD-së në përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së nga Gjyqësori. Një nga propozimet ishte për një KQZ me dy bashkëkryetarë politikë, të propozuar nga partitë politike PD-PS, ndërsa anëtarët e tjerë të vinin nga Gjyqësori. Një tjetër propozim ishte kthimi në formulën e vjetër të administrimit të zgjedhjeve, kur nuk kishte gjykatë zgjedhore, kolegj zgjedhor, por KQZ që do të ketë në përbërje të saj gjyqtarë, të luajë dhe rolin e kolegjit, ndërsa faza më e lartë ankimore të jetë Gjykata Kushtetuese. Një tjetër propozim i hedhur dje në tryezën e opozitës ishte dhe formula përmes së cilës një nga anëtarët e KQZ-së të propozohet nga KLD dhe një tjetër nga Presidenti i Republikës.
Debatet
Aleatët e PS kanë kërkuar mbështetje të kërkesës së tyre për korrektim të sistemit përballë PD-së dhe të mos tërhiqen nëse demokratët nuk do ta pranojnë një kërkesë të tillë. Ata kanë kundërshtuar qëndrimin e PS se nuk do të vërë veton për reformën zgjedhore nëse PD nuk pranon korrektimin e sistemit zgjedhor. “PS të mos tërhiqet dhe të mos justifikohet me faktin se PD nuk do korrektim të sistemit. Nëse nuk korrektohet sistemi, çfarë vlere ka reforma zgjedhore?”, është shprehur kreu i PDS-së, Paskal Milo. Ndërsa kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka mbajtur të njëjtin qëndrim të shprehur dhe më parë, duke thënë se “me kushtet që vendos PD, në këtë reformë PS po i nënshtrohet vullnetit të saj. Nuk bëhen negociata me Saliun”, mësohet të ketë thënë Gjinushi. Ndërsa Ngjela është shprehur se “kot e kërkoni korrektimin e sistemit, nuk sjell ndonjë efekt”. Nga ana e tij, Rama është munduar t’i qetësojë aleatët e tij. “Jam i qartë në kërkesat tuaja dhe ne do t’ju mbështesim, kërkesat tuaja janë dhe në interesin tonë. Ne do t’i hedhim në tavolinë propozimet tuaja dhe tonat dhe do të këmbëngulim në plotësimin e tyre”, mësohet të jetë shprehur Rama në përfundim të takimit.

Propozimet:
KQZ me dy bashkëkryetarë politikë, të propozuar nga partitë politike, PD-PS, ndërsa anëtarët e tjerë të vijnë nga Gjyqësori.

KQZ të ketë në përbërje të tij gjyqtarë, të luajë dhe rolin e kolegjit, ndërsa faza më e lartë ankimore të jetë Gjykata Kushtetuese.

Dy anëtarë të KQZ të propozohen nga KLD dhe një tjetër nga Presidenti i Republikës, pjesa tjetër nga PD e PS.

Identifikim elektronik të votuesve përmes kartës së identitetit.

Numërim elektronik të votave

Zogaj: Sistemi, jo kusht për bllokim të reformës
Koordinatori i opozitës, Preç Zogaj, pas takimit tha se “u diskutua për çështje të sistemit, opozita është për nevojën e një sistemi të korrektimit proporcional kombëtar, por do të vazhdojë të kontribuojë që kjo kërkesë të realizohet pa u bërë pengesë për realizimin e kërkesave të tjera. Opozita do të ngulmojë edhe për ndryshimin e sistemit, por kërkesat nuk janë kusht për të bllokuar procesin”. Ndërkohë, nga ana tjetër, Zogaj bëri të ditur se opozita ka disa kushte për këtë reformë, dhe ato kanë të bëjnë me parimin “një votues, një votë”, duke kërkuar kontroll mbi listat, mbi votimin dhe procesin e numërimit, ku dhe pretendohet se bëhen manipulimet më të mëdha.

Propozimet për Komisionin e Reformës Zgjedhore
KQZ: Të mos ndryshojë sistemi zgjedhor, duhen 100 KZAZ, jo 66
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar një sërë rekomandimesh Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore për nenet e Kodit që duhet të ndryshohen. Në materialin që mban datën 26 dhjetor 2011 dhe që ka firmën e Arben Ristanit, nuk përmendet në asnjë rast ndryshimi i sistemit zgjedhor, çka konfirmon edhe njëherë qëndrimin e kreut të këtij institucioni që në zgjedhjet e vitit 2013 të votohet njësoj se në 2009-n. KQZ-ja ka propozuar gjithashtu që numri i KZAZ-ve të ndryshojë nga 66 në 100. “Për arsye të përshpejtimit të procedurave të numërimit të votave dhe realizimit të këtij procesi në afatet e Kodit, duhet të shtohet numri i zonave të administrimit zgjedhor. Ndryshimi i këtyre kritereve bën të mundur krijimin e 100 ZAZ-ve nga 66 që u krijuan në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011”, thuhet në propozimet e KQZ-së. Gjithashtu, institucioni që merret me administrimin e zgjedhjeve propozon një variant edhe numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar. “Kodi Zgjedhor duhet ta trajtojë çështjen e numërimit të fletëve të votimit në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Regjimi i fletës së votimit të mos jetë i lidhur me kutinë e votimit. Kutia e votimit të konsiderohet si material zgjedhor që mban fletët e votimit të sigurta deri në momentin e numërimit. Kutia mund të numërohet me numra. Të gjitha kutitë e votimit të një qendre votimi të hapen njëkohësisht nga grupi i numërimit dhe fillimisht të ndahen sipas organit përkatës (gjë e cila evidenton menjëherë në bazë të ngjyrës së fletës së votimit) dhe më pas të kryhet numërimi për secilin organ dhe të plotësohet tabela përkatëse”.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura