Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje takimin e parë me të sapozgjedhurit e Asamblesë Kombëtare. Në një takim pa praninë e mediave, Rama bisedoi me 120 anëtarët e Asamblesë që u zgjodhën nga votat e delegatëve të Kongresit. Në qendër të takimit ishte përgatitja e PS-së për zgjedhjet e ardhshme, roli që anëtarët e asamblesë do të kenë në këto zgjedhje dhe zgjedhja e Kryesisë dhe sekretariatit të ri. Në mbledhjen e djeshme është thënë se mbledhja e asamblesë që do të zgjedhë kryesinë e re do të zhvillohet të shtunën e parë të dhjetorit, ndërsa kryesocialisti u ka kërkuar të sapozgjedhurve në Asamblenë Kombëtare të japin opinionet e tyre për kryesinë e re. “Dhe në fund ju kërkoj që në mënyrë kofidenciale të më nisni në adresën time të email- it, [email protected] se ç’mendoni ju për anëtarët e Kryesisë së ardhshme”, mësohet t’u ketë thënë Rama të pranishmëve. Duke dashur t’i japë një tjetër rol Asamblesë Kombëtare, e veçanërisht këtij grupi të zgjedhur me votën e kongresit, Rama u ka thënë atyre të ndjehen të plotfuqishëm sa dhe vetë deputetët në zonat e tyre. “Punët do të ndahen për çdo anëtar asambleje që të punojë me njerëzit dhe qendrat e votimit. Mos e konsideroni Partinë Socialiste si monopol të deputetëve, të kryetarëve të Bashkive apo kryetarëve të rretheve. Secili ka rolin e vet në këtë parti”, u është drejtuar Rama të zgjedhurve. Sipas tij, asambleja e re do të marrë një tjetër peshë. “Deri tani asambleja nuk e ka luajtur rolin e saj, anëtarët e asamblesë kanë qenë pak ose aspak të aktivizuar në jetën e partisë dhe fushatat zgjedhore. Asambleja do të marrë peshën që i takon, duke funksionuar sipas komisioneve parlamentare dhe duke bërë ekspertizën e plotë të qeverisë, por dhe të gjendjes në të cilën jetojnë shqiptarët”, mësohet të ketë thënë Rama. Gjithashtu, ai ka këmbëngulur që mbledhjet e asamblesë të mos bëhen formalisht, ndërsa prezenca në mbledhje të jetë sa më aktive dhe ka kërkuar që të zbatohen të gjitha nenet e statutit sa i takon disiplinës. Sipas tij, kush mungon në tri mbledhje të asamblesë, nuk do të jetë më anëtar i kësaj asambleje, duke dashur të evitojë mungesat e gjata në këtë forum. Anëtari më i vjetër i Asamblesë Kombëtare, Ilir Zela, ka vlerësuar këtë takim, duke u shprehur se “mbledhja i shërben rikthimit të solidaritetit në PS, duke dashur të tregojmë se në këtë parti nuk ka pronarë, por njerëz që duan të kontribuojnë dhe që vlerësohen për kontributin e tyre”. Ndërsa ish-deputeti i Elbasanit, Ndriçim Hysa, i sapozgjedhur në Asamblenë Kombëtare, ka kërkuar solidaritet dhe frymë bashkëpunimi të të gjitha vlerave në PS. “Në 1994, në referendumin për Kushtetutën nuk kishim as fuoristrada, as celularë, por arritën të merrnin procesverbalet e votimit vetëm pse në PS kishte frymë bashkëpunimi dhe solidaritet”, mësohet të ketë thënë Hysa. Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkimit të të gjithë faktorëve, Edi Rama ka sjellë në vëmendje fitoren e dytë të Vangjush Dakos, i cili sipas tij fitoi Bashkinë e Durrësit vetëm duke bashkuar të gjithë faktorët e së majtës. Duke u ndalur te programi i ri i PS-së, i miratuar në kongresin e nëntorit, Rama kërkoi që ai të diskutohet dhe të debatohet me të gjithë socialistët, por dhe elektoratin, për të treguar alternativën ndryshe të tij përballë qeverisë aktuale.
Rama: Ne i kemi votat, nuk na duhet gjysma e Berishës
Kreu socialist iu përgjigj dhe zërave në PS dhe jashtë saj që kërkojnë bashkëpunim me LSI-në për të bashkuar votat që do ta sillte atë në pushtet. “Ne i kemi votat, këtë e kanë treguar dy zgjedhjet e fundit, vetëm duhet që ne të jemi sa më të bashkuar dhe të mos merremi me njëri-tjetrin. Nuk na duhet gjysma e Berishës për të mundur Kryeministrin Berisha”, mësohet të jetë shprehur Rama, gjatë takimit të djeshëm me të zgjedhurit për në Asamblenë Kombëtare. Në mënyrë të përsëritur, Rama ka thënë që socialistët duhet të heqin dorë nga të marrurit me njëri-tjetrin, apo nga kritikat e brendshme. Kryesocialisti ka kërkuar aleancë dhe koalicion me shqiptarët për një qeverisje më të mirë se ajo aktuale dhe me një moral të ndryshëm gjithashtu. Kjo, ka thënë Rama, është njësoj si të thuash se pa gjysmën e Saliut ne nuk mundim dot Saliun, ndërkohë që PS dhe koalicioni i sotëm opozitar ka detyrim ta largojë Saliun në radhë të parë me një moral të ri, si garanci për mirëqeverisjen.
RAMA NË TWITTER
Kryesocialisti ka dhënë komentin e tij për rikthimin e sheshit “Skënderbej” në formën e tij të parë, duke e krahasuar atë me një fushë golfi. “Skënderbeu kërkon partner për golf!”, u shpreh dje Rama në adresën e tij në Twitter, duke komentuar format e reja që ka marrë lulishtja para dhe pas monumentit të heroit kombëtar Skënderbe.
RAMA NË DURRËS ME LIBRIN: MOS U BESONI KOMENTEVE
Kreu socialist, Edi Rama, dje pasdite shpërndau disa libra në qytetin e Durrësit. Ai u kërkoi lexuesve të lexojnë librin e tij. “Libri duhet të flasë vetë për vetveten. Do ta lexojnë drejtpërdrejt vetë atë që është shkruar. Nuk do krijojnë opinionin e tyre duke dëgjuar ata që flasin për librin, jo gjithmonë duke u nisur nga libri, por duke u nisur nga autori. Dhe për shkak të marrëdhënieve me autorin, përcaktojnë edhe qëndrimin ndaj librit”, u shpreh Rama.
TË ZGJEDHURIT
Pjesëmarrësit e djeshëm në takimin me kreun e PS u zgjodhën në Kongresin e 5 nëntorit nga vota e fshehtë e 1500 delegatëve të Kongresit. 120 anëtarëve të kësaj asambleje do t’ i bashkohen dhe rreth 117 anëtarë të tjerë që janë automatikisht pjesë e kësaj asambleje, si deputetët, kryetarët e PS-së në bashki dhe krerët e bashkive socialiste në nivel qarku.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











