Rama, kandidat i PS në Tiranë

Mar 22, 2011 | 10:47

Kreu socialist Edi Rama pranoi dje, edhe pse jo drejtpërdrejt, rikandidimin e tij për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës.Dje pasdite, gjatë një prononcimi për mediat, Rama, duke folur për një ditë të bukur dhe të gëzueshme pranvere, tha se nuk dëshironte t’i jepte lajmin e keq kryeministrit Berisha për kandidimin e tij. “Sot ishte përsëri pranverë në Tiranë, një ditë e mrekullueshme që për mua nisi me daullet e paqes së fëmijëve dhe tani po shkon drejt fundit të saj me takimin me Presidentin e ri të Kosovës, që kam nderin ta mikpres në Bashkinë e Tiranës. Për hir të gjithë mrekullisë së diellit dhe gëzimit të kësaj dite, më lejoni të mos e mërzis edhe Saliun me një lajm të keq”, u shpreh Rama, i pyetur nëse do të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës. Kjo deklaratë erdhi pasdite nga kreu socialist, pas një pritshmërie të gjatë paraditen e djeshme si të mediave, deputetëve socialistë, por dhe zgjedhësve të Tiranës, pas premtimit të bërë të premten nga Rama se të hënën do të bëhej publik emri i kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës. Si PS-ja, ashtu dhe PD-ja po shtyjnë ditët e shpalljes zyrtarisht të kandidatit të Tiranës. Rama kishte premtuar se të hënën do të bëhej publik emri i kandidatit socialist, pa e përcaktuar se cilën të hënë. Ndërkohë, edhe kandidati i PD-së, Lulzim Basha, i cili po shfaqet në aktivitetet zyrtare si kandidati demokrat për Bashkinë e kryeqytetit, e ka shtyrë datën e zyrtarizmit të kandidaturës së tij për në fundjavë. Deputetë të PS-së, dje, para mbledhjes së Grupit Parlamentar, shpreheshin të sigurt që kandidatura e vetme e PS-së ishte ajo e Edi Ramës. Kjo dhe pas një takimi që Rama zhvilloi të dielën në darkë në zyrën e tij me “kryesinë e vogël”, deputetët më të besuar të tij, ku mësohet se ai u ka komunikuar vendimin e tij për të rikandiduar për Bashkinë.
Emrat
Kishte ditë që selia rozë ziente nga diskutimet se kush mund të ishte kandidati tjetër për Bashkinë e Tiranës nëse Rama nuk rikandidonte. Socialistët qarkullonin disa emra, përveç Ramës, si kandidatë të mundshëm, ish-kryeministrin Majko, sekretarin Organizativ, Blendi Klosi dhe nënkryetarin i Grupit Parlamentar Eduard Shalsi. Madje, rreth tyre janë bërë dhe sondazhe, si nga grupi i operatorëve, i instaluar prej kohësh në selinë rozë, ashtu dhe nga drejtues të lartë të PS-së. Por nuk është mjaftuar me kaq. Vetë kryetari Rama mësohet se u ka telefonuar në kohë të ndryshme deputetëve të tij, duke i kërkuar mendim rreth këtyre emrave, se cili prej tyre është më i votuar dhe më favorit për të mbajtur Bashkinë e Tiranës nën drejtimin e Partisë Socialiste. Opinionet e deputetëve, por dhe të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, mbështesin si fitues të sigurt socialist për Tiranën vetëm Edi Ramën, ndërsa për emrat e tjerë kjo garanci luhatet. Por, sondazhe janë bërë dhe në strukturat e PS-së. Anëtarë të asambleve socialiste të njësive bashkiake të kryeqytetit janë pyetur nga deputetët e Tiranës që kanë në patronazh këto njësi, nëse Rama duhet të rikandidojë. Anëtarë të asambleve në shumicë janë pro rikandidimit të Edi Ramës, edhe pse garon për mandatin e katërt, ndërsa më të paktë janë ata që janë shprehur kundër rikandidimit, duke kërkuar që ai të merret më shumë me partinë.

Regjistrimi në KQZ

Koalicionet kanë afat të regjistrohen në KQZ deri në datën 24 mars, ndërsa kandidatët deri më 29 mars. Partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje kanë ditë që janë regjistruar, duke hequr dilemën e bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës. Por, regjistrimi i kandidatëve do të tregojë nëse partitë brenda koalicioneve kanë rënë dakord të bashkëpunojnë apo janë formalisht brenda tyre.

Grupi i deputetëve të PS-së, në pritje të Ramës për rikandidimin

Deputetët socialistë nuk mundën ta mësonin dje nga Edi Rama vendimin e tij për të rikandiduar për Bashkinë. Të përpiktë në orar dhe me pak mungesa, në orën 12:00, deputetët socialistë ishin në sallën e mbledhjes së Grupit Parlamentar në selinë rozë, ndërsa mbledhja nuk e ka prekur aspak çështjen e kandidimit të Edi Ramës në Tiranë. Madje Rama mungoi dje në mbledhje dhe mbërriti në selinë rozë vetëm në momentin që deputetët po dilnin nga mbledhja. Brenda 25 minutave, deputetët socialistë arritën të vendosnin për punët e tyre në Parlament, të firmosnin kërkesën për kallëzim penal për ministrin e Brendshëm për ngjarjen e 21 janarit dhe të dëgjonin ankesat e nënkryetarit të Grupit, Erion Braçe, për pengesat që po u krijonte Jozefina Topalli për nisjen nga puna të komisionit hetimor parlamentar për administratën e Kuvendit, të kërkuar nga deputetët socialistë. Seanca e Kuvendit do të zhvillohet si zakonisht ditën e enjte, ndërsa Grupi Parlamentar socialist, si rregull, është mbledhur të mërkurave. Dje deputetët prisnin të mos merreshin, si zakonisht, vetëm me punët e Parlamentit, por dhe me fushatën zgjedhore, me kandidatin socialist për Tiranën, pasi kishin kohë që bënin sondazh në elektorat, por dhe ishin pyetur vetë se kë mendonin se ishte favoriti për fitoren. Pasi kishin dëgjuar dhe kryetarin socialist se kandidatura zyrtare do të mësohej vetëm të hënën, ata ishin sy e veshë të merrnin vesh vendimin. Por edhe dje ata u morën me punën rutinë të Kuvendit, ndërsa në mbledhjen e fundit para Kryesisë, që do të vendosë për kandidaturat, Edi Rama nuk ishte prezent për shkak të një aktiviteti që zhvillohej me rastin e ditës së poezisë.

Sondazh i ri telefonik për minibashkitë e Tiranës

Partia Socialiste do të zhvillojë këto dy ditë një sondazh të ri për kandidaturat e saj në minibashkitë e kryeqytetit. Pasi kanë kaluar fazën e propozimeve në asambletë socialiste të njësive bashkiake, pritet që emrat të seleksionohen edhe nga Këshilli Koordinativ i qarkut, i përbërë nga deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtuesit e PS-së rreth dhe qytet. Në fund të javës, Kryesia socialiste do të duhet të miratojë emrat përfundimtarë të kandidatëve. Për të pasur një opinion sa më të qartë për kandidatin e saj, përveç kritereve që do të duhet të përmbushin ata, Kryesia e PS-së do të ketë para saj dhe përfundimin e sondazhit telefonik të qytetarëve, se cila nga kandidaturat është më e mbështetur nga komuniteti. Këtu do të luajë rol dhe perceptimi që kanë qytetarët ndaj kandidatëve të propozuar nga strukturat socialiste, por dhe se sa publikë janë kandidatët socialistë. Në disa nga njësitë bashkiake të kryeqytetit ka mbi 2-3 propozime, ndërsa pak ditë më parë, Rama u ka kërkuar kandidatëve që të mbështesin pa rezerva kandidatin që do të miratojë Kryesia socialiste në fund të këtij procesi.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura