Policët kishin marrë urdhër nga eprorët e tyre dhe qeveria që të dhunonin protestuesit e opozitës dhe deputetët e saj dhe pre e këtij sulmi ra edhe ai vetë, teksa iu hodh në fytyrë lëndë djegëse spraj.
Kështu u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një lidhje direkte me studion e “News 24” ditën e sotme.
Ai akuzoi drejtorin e policisë, Ilir Proda, si organizator të dhunës dhe zbatues të urdhrave, duke paralajmëruar se do mbajë përgjegjësi dhe do japë llogari te Komisioni i Sigurisë, ku vetë Balliu është nënkryetar.
Ligjvënësi opozitar vuri në dukje se në ADN-në e saj, PS ka lindur për të vrarë e dhunuar, duke bërë edhe një përmbledhje historike dhe shtuar se socialistët janë e vetmja parti që kanë bërë atentat me armë në Parlament ndaj një deputeti të opozitës, Azem Hajdarit.
Sipas tij, kryeministri po mbron Ballukun pasi ka frikë mos ish-zv/kryeministrja flet, por “ajo nuk ikën pa e marrë edhe Ramën me vete”.
“Pati një moment te Parlamenti ku më hodh në fytyrë një lëndë djegëse, spraj, që mban policia. Është lëndë e rrezikshme sepse mund të dëmtojë përherë. Përveç gazit u përdor edhe lëndë djegëse, e rrezikshme, shkakton dëmtime. Dhunë nga narkokomisari i Ergys Agasit, i propozuar nga Suel Çela, njëlloj si Ardi Veliu. PS është një parti që ka lindur për të vrarë. Kanë vrarë për 45 vite shqiptarët, erdhi demokracia dhe u larguan, por u rikthyen përsëri me vrasje, me bandat e Zani Çaushit. Më 1998 pasi erdhën në pushtet, armët i futën në Parlament dhe i bënë atentat Azem Hajdarit, është e vetmja parti që ka bërë atentat brenda parlamentit, e vetmja parti që sulmoi opozitën. Pasi nuk e vrau dot në parlament, e vrau para selisë. Lidhjet kriminale të PS me drogën janë të hershme, sikur denonconte ish-presidenti amerikan Reagan për lidhjet e të majtës me kartelet e Eskobarit dhe tani Rama me kartelet e narkosit”, tha deputeti.
Më tej Balliu akuzoi se Policia ëhstë e lidhur edhe me aferat korruptive si AKSHI apo rrëmbimet e biznesmenëve, të denoncuara nga opozita më herët.
Ai tha se edhe për atentatin e Rinasit ndaj Gilmando Danit, duhet të hetohet kryepolici Proda.
“E vetmja polici ku nëndrejtori i policisë del i lidhur në tenderat e AKSHI-t dhe në rrëmbime biznesmenësh. Narkopoicia e Ilir Prodës, Ergys Agasit e Sokol Bizhgës është ajo që s’u gjend askund ditën e atentatit në Rinas, ku nuk gjendej asnjë polic. E çfarë ndodhi? U ekzekutua Gilmando Dani, bashkë me një agjent të Policisë, të AMP-së. Ajo është vrasje shtetërore, duhen hetuar që të dy, Proda dhe Agasi. Kjo Polici dhe kjo Parti kanë ushtruar dje dhunën më barbare. Atë personin te Ura e Lanës, që është me aftësi të kufizuara, e kanë dhunuar, e kanë çarë në kokë, rrëmbyer. Edhe kolegut Nallbati iu hodh lëndë djegëse edhe më shumë se mua, u godit edhe me shkop gome, pa sulmuar e pa bërë asgjë, edhe pse po përpiqej të shuante tensionet. Por urdhri ishte dhënë për të goditur deputetët”, vijoi ai.
Për Balliun, kjo është përgjegjësi e kryeministrit Edi Rama si urdhëruesi i dhunës ndaj opozitës, sepse ka hallin e kokës së vet dhe se si të shpëtojë Lubinë, nga frika se ajo mos flet për aferat.
“Nuk merrem me narkotrafikantin Rama, se ai ka hallin se si të shpëtojë Lubia dhe veten, edhe pse e di se nuk shpëton. Ka hallin të mbrojë kokën se mos flet Lubia. Kjo polici e qeveri punon me bandat, me Xhabaftët, Agasin, Suel Çelën. Do vihen para përgjegjësisë këta individë ashtu siç vihen kriminelët. Edhe Proda, Bizhga dhe anëtari i Xhabaftëve do dalin në Komisionin e Sigurisë e do japin llogari me kë kanë folur, nga i morën urdhër”, vijoi ligjvënësi opozitar.
Balliu e cilësoi protestën opozitare të suksesshme, pavarësisht dhunës policore. Gjithashtu vuri në dukje se edhe faktori ndërkombëtar është ndërgjegjësuar për nivelin e korrupsionit dhe krimit në vend.
“Protesta ishte e suksesshme përsa i përket pjesëmarrjes. Ndihem i lënduar nga arrestimi i të rinjve protestues dhe garantoj se nuk do harrohen, PD nuk do harrojë sakrificën e tyre, në këtë situatë kritike të vendit. Edhe vëmendja ndërkombëtare tani është më e madhe, për shkak të nivelit të korrupsionit të qeverisë dhe lidhjeve me kartelet e drogës dhe krimit të organizuar”, tha ai.
I pyetur nëse protesta e arriti qëllimin e saj, deputeti demokrat theksoi se qëllim është rrëzimi i qeverisë dhe vetëm atëherë do ndërpriten këto protesta.
“Protesta pati jehonë. Qëllimi i protestës është rrëzimi i qeverisë, dorëheqja e saj, ndaj nuk është arritur ende qëllimi i saj dhe do vijojë derisa të arrihet. Ne duam qeveri teknike, dorëheqjen e saj dhe zgjedhje të lira”, u shpreh ai.
I pyetur për vendimin e Kushtetueses dhe kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, Balliu tha:
“Tani Edi Rama pasi i mbaroi armiqtë e tij brenda partisë, po merret me të tjerët dhe opozitën. Belinda Balluku nuk ikën pa marrë edhe Edi Ramën me vete. Balluku i ka bërë të gjitha me urdhër dhe në emër të Ramës. Ajo ka dokumente. Ndryshe nga VBeliaj, Balluku për këtë shkak i ka thënë, “do të marrë me vete”. Ndaj ai do bëjë gjithçka për ta mbrojtur, për të shpëtuar veten. Rama do vijojë ta mbrojë, nuk do ia heqë imunitetin. Rama kërkon të bëjë kurban Shqipërinë, për të mbrojtur Ballukun”.
© Panorama.al












