“Rama ka asgjësuar drejtësinë dhe mbron Lubi Ballukun”- Berisha pas takimit me misionin faktmbledhës të PPE: Ajo që ka ndodhur me rrugët e shkatërruara, dështim për shkak të vjedhjes

Feb 25, 2026 | 12:39

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pas takimit që zhvilloi me misionin faktmbledhës të PPE, foli për gazetarët, ndërsa u ndal tek akuzat për kryeministrin Rama dhe zv kryeministren e pezulluar, Belinda Balluku.

sali berisha

Vizita e tyre -tha Berisha vjen në një moment historik, kur sipas tij “Edi Rama ka asgjësuar drejtësinë dhe mbron Lubi Ballukun”, duke mos ia dorëzuar drejtësisë.

“Vijnë në një moment kritik, kur Rama ka asgjësuar sistemin e drejtësisë në kuptimin e akuzës për zyrtarët e lartë, në kuptimin e ndëshkimit. Rama po mbron veten e tij, po mbron Lubinë. E falenderon që pranoi refuzimin e dorëheqjes. Ai i ka faktuar shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se është një hajdut dhe është në përpjekjet e fundit për të mbrojtur vjedhjet që ka bërë.  Kjo që po ndodh me rrugët e ndërtuara prej tyre, të çara, të shkatërruara është një dëshmi e dështimit për shkak të vjedhjes”, tha Berisha.

Berisha nuk dha detaje mbi diskutimet, pasi siç u shpreh ai këto takime funksionojnë mbi rregullin e konfidencialitetit, por deklaroi se nga ky mision faktmbledhës presim rekomandime dhe mbështetje të re për kërkesat e opozitës që Shqipëria të këtë zgjedhje të lira dhe shteti të funksionojë.

“Ju e dini që janë dy rezoluta shumë të fuqishme për Shqipërinë, njëra është miratuar në Maltë në vitin 2024, tjetra është miratuar në prill të vitit 2025, për zgjedhjet në Shqipëri dhe ka qenë kërkesa jonë që të ketë një mision faktmbledhës për të parë në vend të gjitha zhvillimet.

U jemi shumë mirënjohës. Kanë ardhur përfaqësues të 28 partive simotra në këtë mision.  Për ne është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Lidhur me bisedimet dhe të gjitha problematikat, këto takime funksionojnë mbi rregullin e konfidencialitetit, ndaj dhe unë nuk kam ndërmend të bëj publike bisedimet që u zhvilluan.

Natyrisht temë qendrore për një opozitë janë zgjedhjet dhe aty u bë një ekspoze. E keni parë ju librin 1500 faqe me mijëra dokumente. U paraqitën gjerësisht. U diskutua për narkoshtetin, por këto që po ndodhin, asgjësimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto.

Por unë nuk mund të hyj në detaje dhe nuk kam ndërmend, për arsye sepse është rregulli Chatham House që duhet të zbatohet në këto raste”, deklaroi ndër të tjera Berisha.

 

© Panorama.al

Te lidhura