Rama: Fullani, kandidatura më e gabuar. Votë kundër

Nov 9, 2011 | 14:36

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar për kandidaturën e dekretuar nga presidenti i vendit, Bamir Topi, duke e cilësuar atë më të gabuarën që mund të gjendej.

Rama ka shprehur keqardhjen për dekretin e Topit, duke uruar qe ai te mos pendohet per zgjedhjen e bashke me te edhe deputetet qe do e votojne.

Sipas tij, Partia Socialiste do të votojë kundër dekretit në kohën që ai do të kalojë në parlament për votim.

Deklarata e plote e Rames

Mora dijeni me keqardhje për kandidaturën e zgjedhur nga Presidenti i Republikës për Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Në këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk është kandidaturë e gabuar, është kandidatura më e gabuar.

Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani, është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë.

E kështu as Presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit e politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature.

© Panorama.al

Te lidhura