Në trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit, opozita zhvilloi një tubim proteste pranë kraterit të shpërthimit.Të grumbulluar në sheshin kryesor të Vorës, protestuesit marshuan më këmbë deri afër vendit ku ndodhi tragjedia. Banorë të Gërdecit, anëtarë të Forumit Rinor Eurosocialist dhe kryetarë të partive të koalicionit opozitar, Koçi, Ngjela dhe Milo, bënë përgjegjëse qeverinë për “fabrikën e vdekjes”, siç e quajtën ata dhe për mosndëshkimin e fajtorëve të kësaj tragjedie. Ra në sy mungesa në këtë protestë e kreut socialdemokrat Skënder Gjinushi, e demokristianit Nard Ndoka dhe e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruheshin: “26 të vdekur, Mediu i lirë”, “Duam drejtësi”, Kurrë më padrejtësi”, “Fajin e ka Saliu” etj. Kryetari socialist, Edi Rama, në fjalën e tij kërkoi nga opozita të mos zmbrapset së kërkuari drejtësi. “E vetmja rrugë për t’i kujtuar është vazhdimi i betejës për të mposhtur regjimin. Ta vazhdojmë këtë betejë më të vendosur se kurrë. Të mos harrojmë, të mos zmbrapsemi asnjë milimetër para vrasësve të regjimit që vrasin dhe na thonë vrasës, të vazhdojmë më të bashkuar se kurrë. Të mposhtim koalicioni e turpit që po i merr Shqipërisë trupin, frymën”, tha Rama. Kryesocialisti u kërkoi protestuesve të besojnë te Partia socialiste dhe ta mbështesin atë, si e vetmja forcë që do të vendosë drejtësinë. “Çfarë mund të themi sot përveçse të rinënvizojmë se ne jemi e vetmja rrugë për Shqipërinë e shqiptarët, rruga që i nxjerr nga regjimi i kusarisë dhe i çliron nga dhuna e varfërisë, papunësisë dhe padrejtësisë. Drejtësia në këtë vend mund të vonojë, por kurrë nuk do të harrojë”, tha kreu i PS-së. Kryesocialisti risolli në vëmendje vrasjet e pandëshkuara të këtyre tre viteve, duke nisur me tragjedinë e Gërdecit, vrasjet e Fatmir Xhindit dhe Remzi Veselit, por dhe të katër qytetarëve që demonstronin më 21 janar në bulevard. “Askush nuk ka dalë dhe nuk është ndëshkuar përpara drejtësisë. U vranë deputetë, ashtu si Fatmir Xhindi, miku dhe deputeti ynë, u vra dhe askush nuk do të thotë pse e vrau dhe kush e vrau. U vra një tjetër përfaqësues i popullit, kryetari i komunës në Kukës, Remzi Veseli. Askush nuk do të thotë kush e vrau. Por gjithkush do të thotë kush i vrau 4 shqiptarë në bulevardin e kombit. Të gjithë e dinë se dora që u ngrit me forcën e zjarrit ishte dora e regjimit të kusarisë”, u shpreh Rama. Sipas tij, shqiptarët do t’i përgjigjen me votë këtij regjimi. “Shqipëria nuk mund të rrijë edhe në flamurin e NATO-s, dhe të korrupsionit që mbrohet me zjarrin e pushtetit. Ai zjarr kërkon përgjigje dhe përgjigjja jonë është ecja përpara për të vendosur demokracinë të shprehur me votë. Vota kërkon çlirim dhe kërkon vetëm bashkimin tonë të shprehur me rezistencë. Kjo është një kohë për të rimarrë vendin mbrapsht dhe për t’ua dhënë qytetarëve të tij. Për të marrë pronat e grabitura dhe vënë në dispozicion të atyre që u takojnë, dhe këta janë qytetarët e këtij vendi”, e mbylli fjalën e tij kryesocialisti.
Dokle: Votën tonë, në lule të ballit kundër qeverisë
Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi se shqiptarët nuk i durojnë më vrasjet si në Gërdec dhe si në bulevard. Prandaj, sipas tij, qeveria duhet rrëzuar me “votën tonë në lule të ballit kundër qeverisë vrastare, kësaj qeverie vrastare që nuk na lejon që t’i themi vrasëse. Ne do të kryejmë detyrën tonë para popullit”, – u shpreh Dokle. Sipas tij, “dhimbja që u shkaktua këtu nuk mund të harrohet, është dhimbje e gjithë Shqipërisë. Një qeveri hajdute vrau në Gërdec, vrau në bulevard. Ta ndalojmë këtë qeveri që vret njerëzit që vuajnë për bukën e gojës. Nuk ka drejtësi kur njerëzit vriten”, tha Dokle.
Koçi: Betejën qeveri-popull, ta fitojë populli
Kreu i PSV91, Petro Koçi, deklaroi se kjo qeveri e ka kthyer vendin në një fabrikë vdekjeje dhe zgjidhja nga kjo gjendje dhe shpëtimi nga kjo qeveri vrastare janë zgjedhjet e 8 majit. “Të dashur miq, duhet të pranojmë fatkeqësisht se kjo qeveri e ka kthyer politikën në fabrikë vrasëse”. Ai theksoi se dy beteja janë kryesore: beteja kryesore është midis popullit në njërën anë dhe qeverisë në anën tjetër, drejtësisë në njërën anë dhe krimit në anën tjetër, dhe këtë betejë duhet ta fitojë populli në fund”, përfundoi Petro Koçi.
Bare: T’i themi mjaft regjimit të Saliut
Deputeti socialist, Besnik Bare, e cilësoi tragjedinë e Gërdecit si shfaqjen më të lartë të korrupsionit qeveritar. “Ngjarja më tragjike që ka shkaktuar korrupsioni në Shqipëri, ku përgjegjës janë kryeministri Berisha dhe djali i tij”. Deputeti socialist e akuzoi kryeministrin Berisha si shkaktarin e tragjedive shqiptare. “T’i themi mjaft Saliut dhe regjimit të tij. Mbi Saliun rëndojnë jetët e të vrarëve në ’97-ës në Gërdec e në bulevard. Autorin kryesor e kemi ende kryeministër, i cili vodhi votat për të mbrojtur veten, djalin e oborrin e tij”, tha Bare.
Milo: Qeveria nuk është prekur aspak nga kjo tragjedi
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha dje nga krateri i Gërdecit se kjo ditë është e trishtueshme, pasi humbën jetën 26 persona të pafajshëm nga regjimi vrastar dhe askush nuk po mban përgjegjësi. “Por kjo qeveri nuk është prekur nga fatkeqësia e këtyre njerëzve të varfër. Unë sot isha në një takim tjetër, ku ambasadori amerikan bëri thirrje të mbanin një minutë heshtje në kujtim të viktimave dhe ai që ishte në krah dhe që nuk e shqeu gojën ishte Berisha, pasi ata që e shkaktuan tragjedinë duan të heshtin. Ndaj ne jemi këtu në emër të drejtësisë që duhet ta vendosin bashkë”,
përfundoi Milo
Ngjela: Berisha ka bërë zborin në Gërdec
Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, e akuzoi Kryeministrin Berisha si shkaktar të tragjedisë së Gërdecit. “E pandodhur ndonjëherë në histori. Ka diktatorë që kanë vrarë për pushtet, kurrë s’ka pasur në historinë botërore që një Kryeministër të vrasë për një fabrikë vdekjeje të komanduar nga ai dhe familja e tij. Është turp kombëtar që nëse nuk e flakim do të na mbetet si turp për të gjithë brezat, si njerëz që nuk dimë të bëjmë asgjë. Ky palaço rrugësh nuk do të kishte vrarë katër të tjerë nëse nuk do t’i kishim thënë ndal që këtu. Të themi të drejtën, të gjithë nuk kemi qenë në lartësinë e duhur. Ne kemi treguar një profil paqësor, por ai po e merrka si dobësi. Frikacak është ai i cili ka bërë zborin në këtë vend dhe thotë se nuk di ku bie Gërdeci. Ka dokumente për këtë gjë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











