TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama i ka bërë apel kryeministrit, Sali Berisha t’i vërë në dispozicion listën paraprake të zgjedhësve të 8 marsit, duke lajmëruar për përshkallëzim të veprimeve opozitare nëse një gjë e tillë nuk bëhet e mundur. Gjatë një konference për mediat nga selia e PS-së, Rama ka ritheksuar faktin se zgjedhjet janë në rrezik dhe qeveria po bën cdo përpjekje për manipulime, me qëllimin e vetëm të mbajë pushetin.
“Nëse lista e zgjedhësve nuk na jepet menjëherë në dispozicion, në bazë të ligjit, do përshkallëzojmë veprimin tonë kundër pushtetit që kërkon të rivjedhë votat. PS nuk ka kërkuar asgjë të jashtëzakonshme apo të pamundur për të garantuar procesin. Ne kemi kërkuar dhe këmbëngulim në transparencën e listave zgjedhore bazuar në kodin zgjedhor”- tha Rama.
Sipas Ramës, kodi përcakton qartë se 60 ditë para zgjedhjeve asnjë shtetas nuk mund të ndryshojë vendbanim për qëllim elektoral, pra pas datës 8 mars asnjë person nuk mund të ndryshojë qendrën e votimit. “Ndryshimet të jashtëligjshme të nxitura dhe imponuara nga pushteti ndodhin rëndom edhe sot”- ka thënë ai.
Më tej, Rama ka nënvizuar kërkesat e PS-së për garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë e transparent. “PS kërkon pajisjen e komisioneve me instrumente për verifikimin e karatve të identitetit, pasi vetëm kështu zgjedhjet mund të mbrohen nga kartat e falsifikuara. PS kerkon edhe te drjeten e hetimit mbi cdo kuti votimi apo materiali zgjedhor pas shpalljes se rezultatit, ne kuader te rritjes se transperanecs se procesit”- tha Rama.
© Panorama.al











