Ish-deputeti Myslim Murrizi deklaroi sot për News24 se protesta popullore zgjoi shpirtin qytetar të Tiranës dhe Shqipërisë, kurse BE tani ia kë futur të dyja këmbët me një këpucë kryeministrit Edi Rama, për shkak të keqqeverisjes, skandaleve dhe gjendjes ku e ka futur politika e vjetër dhe pushteti vendin.
Ai pati kritika edhe për PD-në, e cila i qëndroi larg qytetarëve duke mos i mbështetur në këtë protestë fillimisht, teksa tashmë ishin qytetarët që ia vodhën protestën selisë blu. Sipas tij, ‘heshtja e ka vrarë PD-në”.
“Qytetarët i vodhën opozitës protestën. Heshtja ka vrarë PD-në. Nëse do ishin kundër pazarit do kishim tjetër parti, tjetër qeveri, tjetër sistem, ky është sistem i kalbur. Duhet të flasin hapur në Kuvend dhe parti, se heshtja e vret partinë”, tha ai mes të tjerash, teksa vlerësoi maksimalisht lëvizjen popullore prej 45 ditësh rezistencë kundër qeverisë.
Madje sipas kandidatit të PD në zgjedhjet e 11 majit 2025, tashmë edhe ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje dhe vetë BE është në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe protestës. Murrizi nënvizon se protesta e ka nxjerrë zbuluar keqqeverisjen e kryeministrit dhe mazhorancës së tij.
“Pas protestave, Bashkimi Evropian ia ka futur këmbët në një këpucë Edi Ramës. Të paktën që pas ditës së 20-të të protestës, ku u panë mijëra qytetarë në shesh. U zgjua shpirti qytetar i Tiranës dhe Shqipërisë”, vijoi ai.
Por ish-deputeti dha edhe disa sugjerime për protestën, duke nënvizuar se nuk duhet të jetë në formë foltore, pasi shfaq protagonizëm të tepruar.
Ai kërkoi që protesta të ishte e lirë dhe qytetare, pasi problematikat tashmë ishin shfaqur dhe po ashtu kërkesat e saj.
“Protesta duhet të jetë më e hapur për kërkesat që artikulon, madje të mos ketë fare foltore mendoj, sa më pak protagonizëm, sepse shoh edhe delirantë që kërkojnë të bëhen protagonistë”, përfundoi ish-ligjvënësi demokrat.
© Panorama.al












