Qeveria privatizon banesat për 460 familje në Durrës

Mar 24, 2011 | 11:57

Qeveria miratoi dje privatizimin e banesave për 460 familje në Durrës. Me një vendim të posaçëm, iu ngarkua Entit Kombëtar të Banesave nisja e procedurës së privatizimit për këto familje.Bëhet fjalë për lagjen 13 në Durrës dhe për kabina plazhi, të cilat i kanë zënë familjet e pastreha. Në prag të zgjedhjeve lokale, sipas qeverisë, bashkia e Durrësit duhet të fillonte procedurat për privatizimin në emër të banorëve posedues, por tashmë, kur kanë kaluar dy vjet e gjysmë, nga ana e bashkisë nuk ka nisur asnjë procedurë. “Nisur nga kjo situatë, kur janë më shumë se 460 familje qytetarësh të pastrehë, të cilët jetojnë në këto ambiente përpara vitit 1992, lind e domosdoshme që në emër të tyre të bëhet privatizimi i këtyre apartamenteve. Ky vendim revokon transferimin e pronave bashkisë Durrës, duke ia kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, që Enti Kombëtar i Banesave të kryejë privatizimin e këtyre objekteve të banimit”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Më tej, në një njoftim të posaçëm për shtyp, Ministria e Transporteve bëri me dije se këto familje janë të pastreha që nga viti 1992 dhe kanë zënë kabinat e plazhit në këtë lagje. Statusi i tyre dhe i banesave nuk ndryshoi asnjëherë, por me një vendim të posaçëm qeveria ia kaloi këtë përgjegjësisë bashkisë Durrës, që sipas ministrisë nuk e zgjidhi problemi, por përkundrazi e zvarriti. “Këto objekte që dikur kanë qenë kabina plazhi, të cilat e kanë humbur funksionin e tyre, kanë që nga viti 1992 që banohen nga këto familje të pastreha. Prej dy vjetësh, ato iu kaluan bashkisë së Durrësit në pronësi, pikërisht për të filluar procesin e privatizimit të tyre në favor të 460 familjeve durrsake. Prej më shumë se dy vjetësh Bashkia e Durrësit nuk ka marrë asnjë veprim për privatizimin e tyre dhe për më tepër mban peng dhe nuk përmbush vendimin që Këshilli Bashkiak i Durrësit ka marrë për privatizim të 460 apartamenteve në favor të familjeve të pastreha”, thotë njoftimi. Më tej, ministria thotë se bashkisë iu hoq kjo përgjegjësi për të vepruar shpejt në favor të familjeve të pastreha.
Një tjetër vendim i qeverisë dje për bashkinë e Durrësit kishte të bënte edhe me administrimin e zonës arkeologjike. Dje u miratuan dy rregulloret përkatëse të administrimit të kësaj zone të rëndësisë të veçantë, e cila gjithnjë ka qenë e debatuar mes pushtetit lokal dhe atij qendror. Njëkohësisht, qev-eria vendosi dje që zona e pazarit të vjetër në Korçë që përfshin qendrën e qytetit, të shpallet si qendër historike. Kjo zonë ka qenë tepër e debatuar mes palëve në këtë qytet, nëse do të lejohej ndërhyrja në zonë ose jo. Me këtë vendim qeveria i jep fund debatit, duke ndalur ndërhyrjen në këto zona.

Vila qeveritare në Sarandë bëhet shkollë publike

Qeveria vendosi dje që të kalojë në pronësi të Bashkisë në Sarandë rezidencën qeveritare me sipërfaqe 9200 metra katrorë, për ta përdorur për ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare. Në vendim thuhet se Bashkia Sarandë ndalohet të ndryshojë destinacionin e sipërfaqes së përcaktuar në këtë vendim, ta tjetërsojë ose ta japë në përdorim për të tretët. Kjo ndërtesë luksoze do të përdoret vetëm për ndërtimin e një shkolle në qytetin e Sarandës. Një tjetër vendim i miratuar dje ishte vendimi për krijimin e universitetit të arteve. Kryeministri Sali Berisha vlerësoi këtë vendim, duke theksuar se stafi dhe studentët do të mund të kenë më shumë mundësi për performancat e tyre artistike. “Trupa pedagogjike ka arritur t’i përgjigjet tregut dhe vendimi i shndërrimit në universitet është një vendim që përshtatet plotësisht me statusin e realizuar nga profesorët, pedagogët, studentët e këtij universiteti. Është në meritën e tyre që talentet e shkolluara në këtë akademi kanë bërë dhe po bëjnë emër në skenat e galeritë në mbarë Europën dhe botën. Ata i kanë dhënë një gjallëri krejtësisht tjetër krijimit artistik dhe jetës artistike kulturore të vendit”, u shpreh Kryeministri.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura