Qeveria, ligj për njohjen e atësisë edhe për fëmijët jashtë martese

Mar 17, 2011 | 10:59

Çdo nënë që sjell në jetë një fëmijë, ka detyrimin ligjor të njohjes së tij. Po kështu edhe për atësinë e rrethin familjar, janë përcaktuar saktë procedurat e njohjes. Statusi juridik i fëmijëve të lindur jashtë martese do të jetë i njëjtë si në vendet e BE-së. “Nuk mund të ketë fëmijë që vjen në jetë dhe të jetë i braktisur. Kjo konventë detyron vendet anëtare të përcaktojnë statusin ligjor për mbrojtjen  e këtyre fëmijëve, detyron vendet anëtare që këta fëmijë të gëzojnë të drejtat njësoj si fëmijët e tjerë, duke imponuar me ligj përkujdesjen e plotë ndaj tyre, të nënës, të babait dhe të rrethit familjar.” Këtë deklaratë bëri dje kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë. Në të u miratua projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve”, si dhe projektligji “Për ratifikimin e konventës së KE të statusit juridik të fëmijëve të lindur jashtë martesës”. “Unë mendoj se këto dy konventa janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por nga ana tjetër, tek kjo e dyta del si detyrim shqyrtimi i ligjeve të tjera, në rast se ka nevojë për vendime qeverie për përkujdesjen, ose ka boshllëqe, ne do t’i plotësojmë me përparësi ato”, tha Kryeministri. Ai shtoi se mbrojtja dhe kujdesi duhet të jenë të plotë, në përputhje me këto konventa europiane që përbëjnë dokument me standardet më të mira për mbrojtjen  e këtyre fëmijëve.

© Panorama.al

Te lidhura