
Kryeministri grek në largim, Jorgo Papandreu dhe lideri i opozitës, Antonis Samaras, kanë rënë dakord për emrin e Kryeministrit të ri që do të drejtojë qeverinë e unitetit, të cilin do ta bëjnë publik sot. Ata shpresojnë të hapin udhën për paketën e ndihmës së BE-së, e cila do të shpëtojë Greqinë nga falimentimi i shpejtë. Fjalët e fundit ishin se ish- zv/presidenti i BQE-së, Lukas Papademos, do të jetë personi që do të zëvendësojë Papandreun. Ai negocioi përshtatjen e Greqisë me euron në vitin 2002, kur ishte guvernator i Bankës Qendrore Greke. Por Papademos, i cili po merr pjesë në diskutimet për qeverinë e re të unitetit kombëtar mes PASOK dhe Demokracia e Re, po negocion fort. Sipas televizionit shtetëror grek, “NET TV”, Papademos kërkon jetëgjatësi të qeverisë që ai mund të drejtojë, nëse pranon ta marrë përsipër. Ai tha se “duke e njohur sistemin bankar mirë, beson se ata nuk do të kenë kohë as ta shpalosin deri në shkurt, kur ata kërkojnë të mbajnë zgjedhje të reja, procesin e PSI-së (procesi i përfshirjes së sektorit privat, nën të cilin kreditorët do të pranojnë faljen e borxhit të tyre). Raportohet edhe se Papademos kërkon një qeveri të fortë me njerëz të cilët do t’i zgjedhë ai. Por partitë e mëdha greke janë shprehur se duan t’i mbajnë zgjedhjet e tyre më 19 shkurt. Opsioni tjetër në rast se varianti Papademos për të drejtuar qeverinë e re bie, është ministri i Financave, Evangelos Venizelos. Ai ka takuar anëtarë të opozitës dhe ka rënë dakord se 19 shkurti duhet të jetë data e pranueshme për zgjedhjet. Tashmë ministri i Financave ndodhet në Bruksel, ku pritet të vendoset nëse Greqia do ta marrë këstin e ardhshëm të ndihmës. Përveç tyre, si liderë të qeverisë së unitetit diskutohen dhe diplomati veteran Petros Moliviatis, i cili ka negociuar hyrjen e Greqisë në BE, ish-komisionari europian, Stavros Dimas dhe Avokati i Popullit në BE, Nikiforos Diamantouros. Moliviatis dhe Dimas janë anëtarë të partisë “Demokracia e Re”, ku Dimas është ende zv/president i partisë. Përfaqësuesi i Greqisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Panajotis Roumeliotis, është një tjetër emër në tryezë. Kryeministri Jorgo Papandreu ka rënë dakord që të heqë dorë nga posti i tij pas zhurmës së shkaktuar nga thirrja tashmë e tërhequr për referendum, mbi pranimin e paketës së ndihmës. Greqia është nën presion të fortë ndërkombëtar për të zgjidhur krizën e saj politike, për të qetësuar edhe tregjet. Mbrëmë, ministrat e Financës së eurozonës u takuan në Bruksel, duke shtuar presionin që Greqia të gjejë një zgjidhje sa më shpejt. Qeveria socialiste greke dhe opozita konservatore kanë diskutuar se çfarë strukture do të ketë qeveria e re e unitetit. Papandreu tani për tani ka mbetur në postin e tij, por do të dorëhiqet sapo të formohet qeveria e re. Një zëdhënës i qeverise tha se administrata e re do të betohej dhe votëbesimi do të mbahej brenda një jave, nëse çdo gjë shkonte mirë. Zgjedhjet e reja në Greqi pritet të mbahen pas 19 shkurtit, sapo qeveria e unitetit të vendosë mbi paketën e shpëtimit të BE-së. Greqia duhet ta pranojë këtë paketë përpara se të falimentojë, në pjesën e dytë të dhjetorit. Por marrëveshja kërkon masa të reja të ashpra kursimi dhe shkurtim të shpenzimeve, të cilat kanë rezultuar shumë të papëlqyera nga grekët.
Në Bruksel
Ndërsa mbërriti në takimin e ministrave të eurozonës të hënën në Bruksel, Venizelos tha se formimi i një qeverie uniteti “është prova e angazhimit tonë dhe kapacitetit tonë kombëtar për të zbatuar programin dhe për të rikonstruktuar vendin tonë”. Kreu i eurozonës, Zhan Klod Xhunker, tha se ai kishte “shumë besim se tani situata në Greqi po zhvillohet në drejtimin e duhur”, por shtoi se nuk e priste të hënën vendimin mbi qeverinë e re.
Merkel: Mbështes vendimin e Papandreut
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, ka shprehur mbështetjen e saj për vendimin e Kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, për të dhënë dorëheqjen pas formimit të qeverisë së unitetit kombëtar. Gjithashtu, gjatë një telefonate me Papandreun ditën e hënë, Merkel është shprehur se zgjedhjet e reja në Greqi duhet të mbahen pasi Parlamenti i vendit të miratojë plotësisht vendimet e samitit të 26 dhe 27 tetorit të BE-së, mbi paketën e ndihmës për të shpëtuar vendin nga falimentimi.











