TIRANË- “Riangazhim serioz të partive politike për zhvillimin e dialogut dhe përcaktimin e një axhende të plotë kërkuese në kuadër të plotësimit të kritereve që kërkohen për integrimin e Shqipërisë në BE”. Këtë mesazh ka dhënë sot ambasadori i SHBA në vendin tonë, Aleksandër Arvizu gjatë tryezës së rrumbullakët zhvilluar mes qeverisë dhe donatorëve. Gjatë fjalës së tij, Arvizu ka vlerësuar progresin e madh të bërë gjatë dy dhjetëvjecarëve të fundit, ka garantuar mbeshtetjen ne vijim te donatoreve, por ka nënvizuar se ka ende shumë punë përpara, pasi qëllimi i vendit është integrimi në BE.
“Qëllimi i vendit është integrimi në BE dhe për këtë duhen përpjekje. Partive të riangazhojnë veten ndaj dialogut dhe të përcaktojnë axhentë kërkuese, që synon shtetin ligjor, rrugën kundër krimit të organzuar dhe realizimin e reformës zgjedhore”- tha Arvizu, duke theksuar se qeveria do të udhëhiqet nga opinioni i KE për planet në të ardhmen.
Ai ka shprehur vlerësim për gjithë donatorët për angazhimin e tyre në mbështetjen e Shqipërisë dhe fton të vazhdojnë ta bëjnë atë edhe gjatë rrugës integruese të vendit në BE. Sipas tij, ky forum është mundësi e mirë për të vlerësuar përparimin e bërë dhe për të diskutuar rrugën përpara të vendit.
“Kanë kaluar 20 vite që kur shumë donatorë rivendosën marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo është mundësi për të treguar edhe për përparimin e madh gjatë 20 viteve dhe një mundësi për donatorët që të riafiromojnë angazhimin ndaj të ardhmes së vendit”- ka thënë ai.
© Panorama.al











