Protestuesi Erlis Sina, i cili ishte në mesin e disa qytetarëve që qëndruan gjithë natës para Kryeministrisë, i është përgjigjur mesazhit publik që i drejtoi kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi edhe një foto të tij.
“Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde”, i drejtohet protestuesi kryeministrit duke shtuar se nuk janë njësoj dhe se nuk është ai që e ka pushtetin apo kontrollin mbi institucionet, buxhetet dhe fatet e vendit.
“Unë nuk jam ti. Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve. Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi. Ti je. Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt. Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre.”, shkruan ai.
Sina e akuzon qeverinë për nxitjen e emigrimit të të rinjve, padrejtësi sociale dhe mungesë të perspektivës në vend. Ai argumenton se pakënaqësia qytetare nuk buron nga manipulimet politike apo ndikimi i rrjeteve sociale, por nga vështirësitë e përditshme me të cilat përballen qytetarët.
“Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita. Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.”, shton ai.
Në fund qytetari i thotë se fotografia e tij në profilin e kryeministrit e bën atë pis, duke shtuar se nuk mund ta përdorë për të “larë” përgjegjësitë e tij.
“Fotografia ime në murin tënd më bën pis. Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar. Unë nuk jam ti. Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush. Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.”, shton ai.
REAGIMI I PLOTE:












