Qarku i Fierit rrezikon votimin e paktit PD-PS

Nov 17, 2011 | 11:57

Një ditë para seancës së Parlamentit shqiptar, kur dy forcat kryesore politike pritej të votonin pas tre vjetësh ligjet me shumicë të cilësuar, zgjedhja e kreut të qarkut Fier duket se ka tronditur situatën politike. Burime nga selia rozë thanë dje se sjellja e prefektit të Fierit, Bujar Hasaj, në kundërshtim të plotë me vendimin e gjykatës, për të zgjedhur kreun e qarkut, kanë rrëzuar të gjitha shpresat që PS kishte ushqyer për të hapur një rrugë të re dialogu me PD. Selia rozë ka pritur deri vonë në orët e darkës për një reagim të Kryeministrit Berisha ndaj kësaj sjelljeje të njerëzve të tij me pushtet në Fier. Në këto kushte, ata paralajmërojnë debate të forta gjatë seancës së sotme në Kuvend për këtë çështje, pak orë para ngritjes së kartonit të tyre jeshil dy vjet pas konstituimit të kësaj legjislature. Do të jenë këto debate që pritet të shfokusojnë seancën e sotme parlamentare, e cila pritej të ishte konsensuale dhe miratuese për të gjithë rendin e ditës. Ende nuk ka një vendim nëse Grupi Parlamentar socialist do të votojë dy kodet e përfshira në rendin e ditës, Kodin Ajror dhe atë Hekurudhor, por dhe projektligjin “Për bankat”, për të cilat më parë ishte arritur edhe pse jo pa debate, një konsensus mes palëve. Mundet që PS të kërkojë një reagim nga maxhoranca për rastin e Fierit, ndoshta duke lënë një afat kohor deri në seancën e ardhshme për të miratuar ligjet që presin votën e përbashkët PS-PD. Burime nga PS u shprehën se do të kërkojë ndjekje penale ndaj prefektit të Fierit, Bujar Hasaj, i cili, sipas tyre, ka shpërfillur një vendim gjykate dhe ka zhvilluar zgjedhje të njëanshme në kundërshtim me ligjin të kreut të qarkut Fier. “Unë e respektoj vendimin e Gjykatës, por mbledhja do të zhvillohet kudo që të mundemi. U bëj thirrje deputetëve të PS-së të heqin dorë nga uzurpimi. Vendimi i gjykatës i datë 12 nëntor pezullonte vetëm njoftimin dhe s’kishte në brendësinë e vet anulimin e mbledhjes dhe heqjen e të drejtës së këshilltarëve të mblidhen për organet e tyre drejtuese”, u shpreh dje prefekti Hasaj në një dalje publike. Debati për qëndrimin e prefektit të Fierit do të jetë në qendër të seancës së sotme, ndërsa PS do të kërkojë shkarkimin e tij dhe ndjekje penale për të. Arritja e marrëveshjes me PD dhe miratimi me nxitim i disa kodeve që kërkojnë votën e deputetëve socialistë vetëm 24 orë pas nënshkrimit të saj nuk u prit me shumë entuziazëm nga socialistët. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, në adresën e tij në Facebook, kërkonte vëmendje nga PS përballë Kryeministrit Sali Berisha. “Pas ‘Marrëveshjes’, PS duhet të kujtojë dhe dëshmojë se është opozitë! Kujdes! Nuk ka ndryshuar gjë! Nuk ka ndryshuar gjë në Kushtetutë, deformimet e rënda të saj janë po aty! Nuk ka ndryshuar gjë në zgjedhjen e hierarkisë shtetërore; posaçërisht zgjedhja e Presidentit është po ajo dhe garanton një shtet partiak! Pra, një President, një Kuvend, një Kryeministër, një sistem Drejtësie-KLD, Gjykata, Prokurori, pastaj Polici, Ushtri, SHISH, KLSH nga një parti”, shprehet Braçe.

Sot votimi
Reforma zgjedhore, emrat e 10 anëtarëve

Parlamenti do të votojë sot ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili do të ketë një afat 3-mujor dhe do të përbëhet nga 10 anëtarë, pesë nga secili koalicion. Partia Demokratike do të përfaqësohet në këtë komision me Ilir Rusmalin e Viktor Gumin, LSI-ja me Vangjel Tavon, PDIU-ja me Shpëtim Idrizin dhe PR-ja me Fatmir Mediun. Nga e majta, PS-ja do të ketë anëtar Damian Gjiknurin, Arben Isarajn, Vasilika Hysin dhe Armando Subashin, ndërsa Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dulen. Në të njëjtën kohë, dy forcat kryesore politike kanë përcaktuar emrat për grupin e punës për reformën parlamentare. Nga PD-ja do të jenë Viktor Gumi dhe Jemin Gjana, ndërsa nga PS-ja, Ditmir Bushati dhe Namik Dokle.

Zgjedhja
Fier, zgjidhet mes tensionesh kreu i ri i Qarkut, demokrati Artur Shehu

FIER – Tensioni ka shoqëruar mbledhjen e djeshme për kreun e ri të qarkut Fier. Deputetë socialistë dhe simpatizantë të kësaj partie bllokuan godinën ku do të zhvillohej mbledhja e paralajmëruar, duke e quajtur atë të jashtëligjshme, për sa kohë që çështja e kreut të zgjedhur 2 muaj më parë është në Gjykatën e Apelit. Pikërisht kjo çështje e stërzgjatur, pas pezullimit të kreut të majtë të qarkut, Vangjel Ndreko, përfundoi dje me zgjedhjen e demokratit Artur Shehu, i cili fitoi me votat e të gjithë Aleancës për Qytetarin. Përplasja nisi që në orët e para të ditës. Kjo, pasi mbledhja e paralajmëruar nga e djathta ishte pezulluar nga një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, çka solli një situatë të pazakontë në qytet. Pak kohë para orarit të mbledhjes, para prefektuës ishin mbledhur dhjetëra punonjës të policisë. Rreth një orë më vonë, u mblodhën edhe anëtarë e simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët, të njoftuar për zhvillimin e mbledhjes, kanë protestuar duke kërkuar që kjo mbledhje të shtyhej, pasi Gjykata e Apelit në Vlorë të merrte një vendim, në seancën e 17 shtatorit. Në këto kushte, deputetë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste nuk kanë lejuar që të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Qarkut për konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit tjetër të qarkut. Ata e kanë quajtur të paligjshme zhvillimin e mbledhjes, pasi është shkelur vendimi i gjykatës për pezullimin e saj. Gjatë kohës që të majtët hynë në sallën ku do të zhvillohej mbledhja, në ambientin që sot njihet si Teatri i Kukullave, prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasaj, ka deklaruar se mbledhja do të zhvillohej në atë ambientin ku do ishte e mundur. Ndërsa simpatizantët e majtë bllokuan sallën ku pritej të zhvillohej mbledhja, rreth orës 13:00, të djathtët e zhvendosën mbledhjen në ambientet e hotel Fierit, duke kryer dhe votimin për kreun e ri të Qarkut. Të pranishëm gjatë votimit të tij ishin vetëm këshilltarët e Aleancës për Qytetarin, ndërsa ata të Aleancës për të Ardhmen e quajtën mbledhjen të jashtëligjshme. Në orët e pasdites është përftuar një tjetër kryetar për Këshillin e Qarkut Fier. Ai është Artur Shehu, i cili u zgjodh me 56 votat e këshilltarëve të djathtë, nga 96 që janë gjithsej të zgjedhur të qarkut.

E djathta përmbys qarkun
Artur Shehu ishte kandidati që u përball me kandidatin e majtë Vangjel Ndreko në konsituimin e Këshillit të Qarkut, më datë 21 shtator 2011. Më parë, e majta kishte 54 këshilltarë dhe e djathta 42, ndërsa më vonë, me konstituimin e të gjithë komunave të qarkut, këshilltarët e rinj përmbysën numrat, duke i dhënë Aleancës për Qytetarin 56 këshilltarë dhe 40 për Aleancën për të Ardhmen.
Aristir Lumezi

Reforma
zgjedhore,
emrat e
10 anëtarëve
© Panorama.al

Te lidhura