Prokuroria: Videot u kopjuan atë natë, s’na u dhanë asnjëherë
Ekspertiza e FBI, Gjykata: Arrest shtëpie Armando Kasajt, IT në qeveri
Mes personave të vendosur nën akuzë nga Prokuroria në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, është edhe një zyrtar i Kryeministrisë. Shtetasi Armando Kasaj akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi sipas Prokurorisë pas ngjarjeve të datës 21 janar pranë Kryeministrisë, ka hyrë në serverin e kamerave dhe pasi ka kopjuar regjistrimet që ishin kryer, i ka fshirë ato nga pajisja kompjuterike. Organi i akuzës ka kërkuar që shtetasi Armando Kasaj, me detyrë shef i sektorit të IT-së në Kryeministri, të mbahej në arrest me burg me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Kërkesa është bazuar në ekspertizat e kryera serverit të Kryeministrisë fillimisht në Tiranë dhe më pas në SHBA, nga ku ka dalë se më 21 janar, ora 19:24, ai ka hyrë në serverin e sistemit të kamerave të vëzhgimit dhe me anë të komandës së kopjimit ka hedhur në një pajisje të jashtme, CD apo USB, imazhet që ishin regjistruar deri në këtë kohë. Është për t’u theksuar se të shtënat me armë që sollën vdekjen e 4 personave, kishin ndodhur tri orë më parë, në 16:00, përballë Kryeministrisë në Tiranë. Sipas Prokurorisë, një tjetër veprim i dyshimtë ka qenë riformatimi manual që i është bërë serverit të kamerave në orën 00.51.52 më 22 janar 2011, vetëm pak pasi kishte kaluar mesnata e 21 janarit dhe pasi Prokuroria kishte nisur hetimet në lidhje me vrasjen e 4 personave. Sipas Prokurorisë, fshirja e imazheve në fjalë ka penguar hetimin, pasi me anë të administrimit të tyre në dosje mund të ishin zbardhur momente enigmatike të ngjarjes. t.s
Më poshtë publikohet kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Armando Kasajt, punonjës i IT pranë Kryeministrisë. Pasi sqaron se më 21 janar 2011 para godinës së qeverisë janë vrarë 4 persona, Prokuroria thekson se ka kërkuar imazhet filmike të kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë.
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është vlerësuar e rëndësishme për hetimin sekuestrimi i pamjeve filmike, si dhe mjeteve teknike me të cilat është realizuar filmimi në kamerat e vendosura në godinën e Kryeministrisë të cilat ruheshin në një DDR, Digital Disk Recorder të posaçëm.
Sekuestrimi i kësaj DDR-je ka ndjekur këtë rrugë kronologjike:
menjëherë pas ngjarjes së 21 janarit 2011, me një urdhër verbal, drejtuesit e Prokurorisë Tiranë kanë urdhëruar strukturat e posaçme të Këshillit të Ministrave që të ruajnë të paprekura të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë së ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe prej tyre është marrë verbalisht konfirmimi.
Në vijim, më datë 26 janar 2011, me shkresë nr.703 i është kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vendosë në dispozicion të hetimit kopje të këtyre regjistrimeve. Në përgjigje janë dërguar vetëm regjistrimet e një kamere lëvizëse, për të cilën shpjegohej se ndodhej në tarracën e Kryeministrisë ditën e ngjarjes.
Më 12 shkurt 2011 është përsëritur kërkesa për të dërguar regjistrime të të gjitha kamerave të sigurisë që ndodheshin në pjesën e jashtme të ndërtesës së Këshillit të ministrave.
Më datë 17 janar 2011, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ka kthyer përgjigje duke thënë se kamerat e përmendura nga Prokuroria i përkasin sistemit kryesor, i cili është jashtë funksionit që prej fundit të vitit 2009.
Më 4 mars 2011 është proceduar duke sekuestruar DDR dhe, po në këtë datë, Këshilli i Ministrave me shkresë nr.870 ka dërguar edhe një informacion shtesë në lidhje me sistemin e vëzhgimit, duke përcjellë edhe regjistrimet e një kamere tjetër. Pas ekzaminimit teknik që iu bë DDR-së nga ekspertë të Drejtorisë së Policisë Shkencore, veç të tjerave, është evidentuar se:
– Pajisja nuk ka qenë e programuar për të kryer formatim automatik
– Që nga data 1 janar 2011 deri në 4 mars 2011, kësaj pajisjeje i është bërë formatim i hard diskut, përkatësisht më datë 21 janar 2011, ora 12:14:14, më datë 22 janar 2011, ora 00:51:52 dhe më datë 28 shkurt 2011 ora 12:10:21.
– Më datë 21 janar 2011, ora 19:24:00 deri në orën 19:36:31 është realizuar kopjimi i të dhënave të regjistruara, duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme (hard disk, USB, DVD, CD-R)
– Pajisja ka qenë në punë deri në datën 4 mars 2011.
– Pajisja ishte konfiguruar që të fshinte automatikisht regjistrimet më të vjetra se shtatë ditë, pra regjistrimet e datës 21 janar 2011 fshiheshin automatikisht në datën 28 janar 2011.
Organi procedues ka kërkuar ekspertim të pajisjes DDR nga autoritetet amerikane të drejtësisë nëpërmjet letërporosisë. Me datë 13 janar 2011, Prokurorisë së Tiranës i është përcjellë e ekzekutuar letërporosia për ekspertimin e pajisjes së sekuestruar në Këshillin e Ministrave. Sipas aktit të ekspertimit datë 13 gusht 2011, të kryer nga Departamenti i Drejtësisë, Byroja Federale e Hetimit, laboratori i provave dixhitale, ka rezultuar mes të tjerash se:
– Pajisja është formatuar manualisht në datat 29 prill 2010, ora 15:57; 30 prill 2010, ora 13:33; datë 24 maj 2010, ora 10:59; datë 20 janar 2011, ora 18:54; datë 21 janar 2011, ora 12:14; datë 22 janar 2011, ora 00.51.52; datë 28 janar 2011, ora 12:10.
– Regjistri i veprimeve në të dhënat e regjistruara në DVR ishte kopjuar nga DVR-ja për një organ medie, nëpërmjet portës USB duke përdorur funksionin kopjo të dhënat-data copy. Ky funksion kopjon të dhënat nëpërmjet portës USB në ballinën e pajisjes.
– Në datat e mëposhtme janë kopjuar të dhëna duke përdorur metodën kopjo të dhënat: 28 janar 2011, ora 18:15; datë 28 janar 2011, ora 17:26; datë 28 janar 2011, ora 17:25; datë 21 janar 2011, 21:34, datë 21 janar 2011 ora 20.48, datë 21 janar 2011, ora 19:45; datë 21 janar 2011, ora 19:29; datë 21 janar, ora 19:28; datë 21 janar 2011, ora 19:26; datë 21 janar 2011, ora 19:26:04; datë 21 janar, ora 19:25; datë 21 janar 2011, ora 19.24.
– Regjistri i hyrjeve regjistroi se në datat e mëposhtme është përdorur hyrja automatike e administratorit duke kryer rifillimin e sistemit në datën 21 janar 2011, ora 19:37:08
– DVR ka aftësinë të regjistrojë nga 16 kamera. Kamerat 4, 8, 12, 15 dhe 16 nuk kishin asnjë karakteristikë të rezolucionit apo madhësisë, duke sugjeruar se këto kamera nuk kanë qenë duke regjistruar. Kamerat 1, 3, 5, 7, 13 dhe 14 ishin vendosur në rezolucionin SIF që është 352×288 PAL. Kamerat 2,6,9, 10 dhe 11 ishin vendosur në rezolucionin e terrenit 704×288 PAL. Të gjitha kamerat ishin vendosur të regjistronin me karakteristikat e cilësisë më të lartë. Për më tepër, të gjitha kamerat ishin vendosur të regjistronin me një shpejtësi të strukturës së plotë, që është 25 pamje në sekondë në secilin kanal.
Në analizë të të dhënave të mësipërme, duket qartë se në këtë pajisje është ndërhyrë menjëherë pas ngjarjeve të datës 21 janar 2011, në orën 19:24, duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë. Këto regjistrime nuk i janë vënë në dispozicion organit të Prokurorisë, por përkundrazi është informuar ky organ se nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte që në fund të vitit 2009. Regjistrimet rezulton të jenë kopjuar dhe më pas fshirë duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre dhe aktualisht ende nuk janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane të drejtësisë, rezulton se më datë 21 janar 2011 kanë qenë në gjendje pune gjithsej 11 kamera, përkatësisht kamerat nr.1, 3, 5, 7, 13, 14, 2, 6, 9, 10 dhe 11. Këto kamera sipas aktit të ekspertimit kanë qenë të vendosura për të kryer regjistrime në cilësinë më të lartë dhe kjo provon se këto kamera kanë filmuar dhe pamjet e tyre janë regjistruar në DVR, e cila ka rezultuar sipas aktit të ekspertimit se ka qenë në gjendje pune.
Pas kopjimit të të dhënave, pajisjes i është dhënë riformatim rreth orës një pas mesnate, duke fshirë në këtë mënyrë të gjitha regjistrimet që ndodheshin në pajisje.
Nga të dhënat deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se kopjimi i të dhënave të regjistruara nga pajisja DDR është bërë nga personi nën hetim Armando Kasaj, që ushtron detyrën e specialistit të IT-së në Kryeministri. Ky person ka bërë kopjimin e pamjeve vizive dhe ky fakt është pranuar prej tij. Nga hetimi ka rezultuar se kamerat ishin në gjendje pune dhe se personi nën hetim, Amarildo Kasaj, ka qëndruar në ambientet e Kryeministrisë pas orës 23:00 të datës 21 janar 2011.
Nga sa më sipër arrihet në përfundimin se në ngarkim të shtetasit Armando Kasaj ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova, se ai ka konsumuar elementet e veprave penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 301 të Kodit Penal. Vepra penale e kryer nga personi në hetim për vetë mekanizmin e veprës penale, për ngjarjen e ndodhur, impaktin në shoqëri, faktin që në ngjarjet e datës 21 janar 2011 kanë humbur jetën 4 shtetas dhe janë qëlluar me mjete të ndryshme forcat e policisë, tregon rrezikshmëri të madhe shoqërore të vetë veprës penale dhe autorit të saj. Vepra paraqet rrezikshmëri të madhe shoqërore, pasi personi në hetim, me veprimet e tij aktive të kundërligjshme, ka penguar hetimin nga ana e organeve të Drejtësisë dhe ka penguar zbardhjen e ngjarjes duke penguar zbulimin e autorit apo të autorëve të veprave penale për të cilat është regjistruar procedimi penal nr. 285 i vitit 2011 i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ngjarja e datës 21 janar 2011 ka sjellë impakt shumë të madh në shoqërinë shqiptare, duke cenuar rëndë rendin publik dhe kushtetues dhe ka prekur marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen e jetës së personit. Nga sa më sipër, ekzistojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara nga ligji për caktimin e masës arrest me burg për shtetasin Armando Kasaj, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas saj, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se shtetasi Armando Kasaj ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 248 dhe 301 i Kodit Penal. Ky dyshim mbështetet në aktet e ndodhura në fashikullin e hetimit nr. 285, i janarit 2011, që i janë bashkëlidhur kërkesës drejtuar gjykatës.
Po kështu, sipas Prokurorisë, nuk ekzistojnë në këtë rast shkaqe padënueshmërie apo të shuarjes së veprës penale, pasi shtetasi Armando Kasaj është madhor dhe i përgjegjshëm përpara ligjit.
Nga ana tjetër, për shkak të dënimit të lartë të parashikuar nga dispozita penale, ekziston rreziku që ky person t’i fshihet hetimit dhe gjykimit të çështjes në ngarkim të tij, duke pasur në konsideratë rrethanat e çështjes dhe rrezikshmërinë e saj në pasojat që ka sjellë.
Sipas Prokurorisë, masa e sigurimit arrest me burg çmohet si e vetmja masë sigurimi e përshtatshme në raport me rëndësinë e faktit, rrezikshmërinë e lartë të veprave penale, sanksioneve të parashikuara dhe të faktit se autori i dyshuar i këtyre veprave penale ka në vazhdimësi mundësinë të ndërhyjë për pengimin e së vërtetës në lidhje me ngjarjet e datës 21 janar 2011 për sa kohë kryen detyrën e tij pranë Këshillit të Ministrave si specialist IT.
Fshirja e filmimeve
Sipas Prokurorisë, serveri i kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë ndodhej në godinën e katit të parë të ndërtesës së qeverisë. Aty kanë qenë të montuara pajisjet kompjuterike dhe monitorët e lidhur me kamerat e vëzhgimit, të cilat sipas Prokurorisë kanë qenë në punë dhe kanë regjistruar, por imazhet e marra prej tyre janë kopjuar e më pas janë fshirë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











