Disa lagje të kryeqytetit sot do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve që po kryhen në rrjet nga ana e kompanisë përgjegjëse. CEZ Shpërndarje njoftoi dje se është duke punuar për përmirësimin e rrjetit energjetik dhe për këtë arsye, nga ora 09:00-12:00 do të ketë kufizime të energjisë për disa lagje dhe zona të Tiranës. Kështu, ndër lagjet që do të përfshihen në hartën e kufizimeve për shkak të remonteve në Nënstacionin e Krrabit (Tiranë) do të jenë “5 Maji”, Medreseja, ish-Kimikatja, gjimnazi “Partizani” dhe një pjesë e Babrrusë. CEZ Shpërndarje, në njoftimin e saj bën me dije se të tilla ndërhyrje në nënstacione janë të paevitueshme për shkak se duhen kryer punime që ndikojnë mirëmbajtjen e sistemit të shpërndarjes. Në fillim të javës kompania “CEZ” njoftoi për një sërë punimesh në disa nënstacione në të gjithë vendin, duke filluar nga Nënstacioni Ballaj dhe linja Divjakë deri në Nënstacionin Kurbnesh. Të gjitha këto remonte po kryhen në kuadër të përmirësimit të rrjetit të shpërndarjes. Sot radha e punimeve është në nënstacionin e Krrabit dhe prandaj disa zona të Tiranës do të kenë tri orë kufizime.
Zonat
• 5 Maji
• Medreseja
• Ish-Kimikatja
• Gjimnazi “Partizani”
• Babrruja











