LEZHE – Nuk gjen zgjidhje çështja e punëtorëve të Eurofish-it në Lezhë. Punëtorët e larguar nga puna nga ana e drejtuesve te drejtuesve të stabilimentit janë konfrontuar dje me forca të policisë. Përplasja ka ardhur pas përçarjes së sindikatës, çka ka bërë që një pjesë e 500 punëtorëve të ndërmarrjes të rikthehen në punë, duke ndalur protestat. Nga ana tjetër ka vazhduar reagimi për zbatimin e kërkesave nga më shumë se gjysma e punëtorëve. Mësohet se prej disa ditësh drejtuesit e ndërmarrjes e kanë larguar nga puna pjesën protestuese, çka ka sjellë reagimin e tyre. Ditën e djeshme ata u mblodhën para godinës së stabilimentit, në tentativë për të nxjerrë nga puna dhe ata që ishin rikthyer. Ata kanë tentuar të hynë me forcë në ambientet e Eurofish-it, ndërsa ka ndërhyrë policia. Kjo ndërhyrje ka sjellë dhe konfrontim mes palësh, pasi punëtorët kanë tentuar të arrijnë qëllimin, ndërsa policia nuk ka lejuar të hyjnë në ambientet e firmës. Punonjësit e Eurofishit shprehen se janë dhunuar nga ana e policisë, madje një prej tyre mësohet se ka përfunduar në spital për kurim nga plagët e marra. Ndërkohë që sipas zëdhënësit të policisë së Lezhës, Armando Noka “policia nuk ka ushtruar dhunë, ka zbatuar ligjin në çdo moment dhe nuk ka pasur asnjë denoncim nga ane punëtorëve të Eurofish-it për dhunë”. Protestat masive nisën për shkak të kushteve që kërkonin punëtorët, por megjithëse pak javë më parë u duk sikur u arrit marrëveshja, situata degjeneroi deri në dhunë. r.n











