Publikonin në “Instagram” foto dhe video intime të adoleshentëve, identifikohen dhe arrestohen dy autoret e mitura që dyshohet se shpërndanin materialet

Feb 7, 2025 | 19:24

Dy vajza janë arrestuar si autore të dyshuara për publikimin e shkrimeve bulizuese, denigruese, si dhe fotove dhe videove intime të vajzave të mitura, nxënëse të shkollave të ndryshme në qytetin e Korçës, në rrjetin social “Instagram”.

instagram

Burime bëjnë me dije se pas denoncimit, policia ka arritur të identifikoje dhe arrestojë dy vajza me iniciale P.M, 19 vjeçe dhe E.P., 17 vjeçe.

Policia njofton se e 19-vjeçarja ka qënë administratorja e profilit “laviret e Korçës” në Instagram, ndërsa e 17-vjeçarja është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.

“Nga hetimi intensiv, u arrit të identifikoheshin dhe arrestoheshin dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur””, njofton policia.

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka nxjerrë urdhrin e ndalimit për këto shtetase ditën e sotme datë 07.02.2025.

Njoftimi:

Arrestohen 2 shtetase që bullizonin dhe shpërndanin foto dhe shkrime me përmbajtje të papërshtatshme në rrjetin social Instagram.

Pas një hetimi të thelluar dhe intensiv, të kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, u finalizua operacioni policor i koduar “CyberShield”.

Ky operacion ka ardhur pas një denoncimi lidhur me hapjen e një profili në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin shkrime me natyrë bullizuese, denigruese, si dhe shpërndaheshin foto dhe video intime të vajzave të mitura, nxënëse të shkollave të ndryshme në qytetin e Korçës.

Falë bashkëpunimit të ngushtë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale me kompanitë ndërkombëtare Meta Inc. dhe Google Inc., u arrit të siguroheshin provat e nevojshme në kohë të shpejtë, duke mundësuar vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ky bashkëpunim ka luajtur një rol kyç në identifikimin e autorëve dhe në sigurimin e informacionit të nevojshëm për të realizuar arrestimet e bëra.

Nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale:

* P. M, 19 vjeçe, banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin materiale me përmbajtje bullizuese dhe denigruese.

* 17-vjeçare, banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.

Ky operacion ka qenë një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimeve kibernetike dhe njëkohësisht një mesazh i fortë për të gjithë ata që përpiqen të shkelin ligjin dhe të dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë në mjedisin online.

Strukturat kundër krimeve kibernetike në Policinë e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar një mjedis të sigurt në internet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura