Pse do kemi një fitues me standarde

May 9, 2011 | 12:38

SAMI NEZA

Shqipëria mbylli dje një proces të rëndësishëm të zgjedhjeve lokale, procesin e votimit me një perfeksion të admirueshëm, duke kaluar një provë të madhe për cilësinë e zgjedhjeve në tërësi. Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e deklaroi procesin e votimit të drejtë e të lirë, duke theksuar se do të njohë çfarëdo rezultati të zgjedhjeve. Pavarësisht se Berisha përfaqëson maxhorancën, çështja e njohjes së zgjedhjeve nuk mund të konsiderohet një fakt i padiskutueshëm edhe për të, pasi ka raste kur edhe maxhoranca nuk i njeh zgjedhjet…Dhe Berisha është i kujdesshëm kur bën deklarata të tilla, duke mos i kaluar ato si një detyrim publik, por si një konkluzion që rrjedh prej cilësisë së procesit. Kryeministri vazhdimisht ka qenë një mohues i madh i rezultateve zgjedhore kur proceset janë vlerësuar, sipas tij, të pandershme dhe fakt është se për të gjitha ato raste ai ka pasur qindra e mijëra dokumente që reflektonin atë pozicion që Berisha kishte marrë ndaj rezultatit zgjedhor. Ndërkaq, edhe Kodi Zgjedhor nuk bën përgjegjëse qeverinë për zgjedhjet, por bën përgjegjës KQZ dhe partitë politike. I pari është, ndërkaq, asgjë më shumë se një institucion që prodhohet prej vullnetit të partive në Parlament dhe reflekton peshën që ato zënë në jetën politike shqiptare. Kështu që konvergjenca e qeverisë me zgjedhjet është mjaft e zbehtë dhe e pamjaftueshme që të detyrojë kryeministrin Berisha po edhe çfarëdo kryeministri tjetër në vend që të bëjë një njohje “pa diskutim” të procesit zgjedhor. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë “output” qeveritar.
Prandaj vlerësimi i Berishës për votimet dhe paralajmërimi se do ta njohë rezultatin që del prej atij votimi që u bë dje është një përfundim i menduar mirë dhe pas një analize të procesit.
Por, ndërkaq, edhe kandidati për kryetar Bashkie i maxhorancës, Lulzim Basha, deklaroi se do ta priste me qetësi rezultatin e zgjedhjeve dhe e vlerësoi fort procesin e votimit.
Ndërkaq, pas një hezitimi prej gati dy orësh pas përfundimit të procesit të votimit, edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe kandidat për Bashkinë e Tiranës, u deklarua rreth procesit të votimit, por duke e lidhur cilësinë e tij me rezultatin që ai do të merrte prej numërimit të votave. Rama u shpreh për një proces votimi që nuk cenonte fitoren e PS dhe të vetë atij, çfarë do të thotë se ai nuk rrëzon procesin e votimit, por mund ta bëjë një gjë të tillë pas përfundimit të procesit të numërimit, atëherë kur edhe është e mundur që rezultati të mos përmbushë pritshmërinë e Ramës apo partisë së tij. Në fakt, një deklaratë e tillë komprometohet kur lidhet me procesin e numërimit dhe rezultatin e zgjedhjeve, pasi në të dyja rastet, si në rastin kur ai humbet, por edhe në rastin kur ai fiton, feedback që merret prej Ramës dhe PS nuk është i ndershëm, pasi është i lidhur jo më procesin, por me ambiciet për rezultatin, i cili nuk është indikator për cilësinë e zgjedhjeve. Kjo për shkak se sido që të kryhet procesi i zgjedhjeve, pra, edhe në zgjedhjet më të mira në botë, edhe në ato më të këqijat në botë, njëri fiton dhe tjetri humbet.
Megjithatë, Rama nuk kishte argumente që rëndonin  mbi cilësinë e procesit të votimit, përveç reflektimit të tij për mënyrën se si e ka pasqyruar media fushatën elektorale, fushatë që, sipas Ramës, ishte e mirë në ekrane dhe e keqe në realitet, pra në ato ekrane, të cilat janë furnizuar nga kasetat e Ramës për çdo aktivitet të tij në fushatë. Ndërkaq, PS dje nuk ka bërë asnjë deklaratë serioze ankimimi për incidente zgjedhore dhe pothuajse gjithë ditën selia e PS-së ka heshtur.
Megjithëse deri sot në orët e para të mëngjesit ka qenë e pamundur të mësohet diçka rreth rezultatit real, nuk kanë munguar të dhëna, të cilat të çojnë te ndryshimi i raporteve të mëhershme, të paktën në Tiranë, kur edhe të dhënat kanë qenë më konkrete.
Pjesëmarrja në votime në Tiranë ka qenë më e madhe se në votimet e tjera, çfarë do të thotë se një grup i ri njerëzish janë motivuar të dalin në zgjedhje lokale, dhe është e mundur që ky grup më shumë se i motivuar politikisht për të votuar, është nisur nga motive pak më personale për të prishur zakonin e neutralitetit, siç mund të jetë interesi i tyre për qytetin.
Partia Socialiste ka bërë thirrje dje gjithë pasditen, të paktën katër dalje publike nga selia e PS-së, që qytetarët e Tiranës që nuk kishin votuar të shkonin në votime dhe, për më tepër, të thërrisnin në telefon apo t’u binin dyerve të atyre që nuk kishin shkuar ende të votonin. Kjo është një sjellje e re e PS-së ditën e votimeve, pasi dihet që elektorati i majtë është mjaft i disiplinuar, ose ka qenë mjaft i disiplinuar në “festën e votës”. Mungesa e disiplinës ka qenë problem i së djathtës. Duket se ka pasur diçka që nuk ka shkuar mirë me disiplinën tradicionale të elektoratit socialist.
Ndërkaq, dy sondazhe, njëri i PS-së dhe tjetri i qendrës kërkimore “Gani Bobi”, kanë deklaruar rezultatet e tyre. Sondazhi i PS është në konflikt interesi, nxjerr fitues autorin e sondazhit. Rama, ndërsa publikoi sondazhin, duhej edhe ta përshëndeste atë proces votimi që prodhoi sondazhin që publikoi.
Sondazhi i “Gani Bobi”-t nxjerre fitues Bashën, me një rezultat të thellë, por ashtu si ai i PS-së, ka një koeficient të madh gabimi për shkak të përqindjes së lartë të atyre që kanë abstenuar. Por,  megjithatë, të dyja sondazhet, të korrektuara me koeficientin e gabimit, nxjerrin Bashën në krye të votimit për Tiranën.
Megjithatë, dita e numërimit është sot. Është një proces delikat për shqiptarët, por gjithsesi, është një proces teknik, i mbyllur për të proceduar lehtë dhe transparent për t’u kontrolluar nga publiku.

© Panorama.al

Te lidhura