Sekretari i Këshillit Ekonomik të PS, Ervin Bushati, tha dje se fatura e trafikut të naftës virxhin arrin në disa miliona euro. “63 milion euro është vlera minimale e trafikut masiv me naftën bruto të hedhur në treg nga skema e organizuar mirë dhe me fitime kolosale për pushtetin. Vala e arrestimeve shfaqi para shqiptarëve “tsunamin” e korrupsionit me lëngun vrasës, që shkatërron shëndetin dhe djeg xhepin e çdo qytetari në këtë vend”, u shpreh dje përmes një konference për shtyp Bushati.
Sipas tij, 63 milionë euro është vlera e tregut, vetëm me kaq sa dimë sot, të këtij trafiku në mes të ditës me lëngun vrasës”.“Qytetarët janë tashmë të dëmtuar rëndë nga cilësia, dhe nga ngritja e çmimeve në karburante. Qeveria është koka e një monopoli hajdut e vrastar; ose në të kundërt, i bie të kënaqet me bishtin e një mafie që ka kapur shtetin me morsën e trafikut”, u shpreh Bushati.











