Partia Socialiste do të protestojë sot në fshatin Gërdec, aty ku 3 vjet më parë humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.Ndryshe nga ç’ishte thënë më parë nga drejtues të selisë rozë, protesta doli nga qendra e Tiranës dhe është menduar që të jepen mesazhe nga vendi ku ndodhi tragjedia. Mësohet se do të jetë kryetari socialist Edi Rama, që do të mbajë një fjalim para protestuesve, ku do të sjellë në kujtesë jo vetëm tragjedinë e Gërdecit, por të gjitha vrasjet që janë bërë vitet e fundit gjatë qeverisjes së demokratëve, ata të 21 janarit, por dhe Fatmir Xhindi dhe kryetari i Komunës Tërthore, Remzi Veseli.
Mësohet se dhe banorë të Gërdecit e familjarë të viktimave do të flasin para protestuesve. Kreu i PS-së Tiranë, Besnik Bare, u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës t’i bashkohen protestës sot në orën 17:00 në Gërdec, në kujtim të trevjetorit të humbjes së jetës së 26 shqiptarëve të pafajshëm dhe plagosjes së qindra të tjerëve. “Sot, kur kanë kaluar thuajse tri vjet nga shpërthimi tragjik i korrupsionit në Gërdec, autorët e këtij krimi jo vetëm që enden akoma të lirë, por vazhdojnë të sundojnë e të vjedhin në këtë vend, njëri kryeministër, tjetri ministër e një tjetër si djalë i kryeministrit. Faji është i Saliut. Ishte Saliu ai që kërcënoi, shantazhoi e shkatërroi procesin e hetimit dhe gjykimit të Gërdecit, për të shpëtuar të birin dhe ministrin që e mbante peng tek i biri”, u shpreh Bare. Kjo protestë mësohet se do të organizohet nga rrethi i Tiranës, ku degët socialiste të komunave dhe Bashkisë Vorë do të mobilizojnë njerëz që do të protestojnë në Gërdec. Për këtë qëllim, kryesocialisti Rama mblodhi dje në një nga sallat e teatrit “Metropol” drejtuesit socialistë të komunave dhe Bashkisë së Vorës, por dhe kandidatë të përcaktuar për zgjedhjet e 8 majit në funksion të protestës së sotme. Drejtuesit socialistë kanë marrë porositë e nevojshme për mobilizimin, organizimin dhe zhvillimin e saj pa probleme. Mësohet se rreth orës 16:30, të gjithë protestuesit do të grumbullohen në Vorë dhe më pas do të marshojnë drejt vendit ku ndodhi tragjedia. Protestat e mëparshme të opozitës, ajo në një vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, kanë nisur nga vendi i shpërthimit dhe kanë kulmuar në qendër të Tiranës dhe përpara godinës së Kryeministrisë. Madje në njërën prej tyre, protestuesit marshuan në këmbë nga Gërdeci, duke bllokuar autostradën Tiranë-Durrës e duke mbajtur një flamur 500 metra të gjatë. Flamuri kaloi në formë stafete dorë më dorë nga shumë qytetarë, derisa mbërriti në sheshin “Skënderbej”, me sloganin “Mos harro”. Dhe pse në vitin e tretë të tragjedisë, ende nuk ka mbaruar procesi gjyqësor, ndërsa tre të ndaluarit si të akuzuarit kryesorë të shpërthimit janë liruar dhe gjykohen të lirë, për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit.
ARISTIR LUMEZI











