Partia Socialiste nuk arriti dje të depozitonte kërkesën e 35 deputetëve të saj për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, për aktivitetin e administratës së Kuvendit. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, hartuesi i kërkesës tha dje pasdite se nuk është mundur të dorëzohet në zyrën e Protokollit kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor, i cili do të hetonte të gjithë veprimtarinë e Kuvendit dhe të kryetares Jozefina Topalli. Sipas Braçes, zyra e protokollit ishte mbyllur para kohe, ndërsa shton se kjo gjë është bërë qëllimisht nga kryetarja Toapalli. “Topalli bllokoi dorëzimin e kërkesës, duke mbyllur para kohe zyrën e protokollit”, u shpreh Braçe. Ndër të tjera, ai tha se kërkesa e firmosur nga 35 deputetë socialistë, do të dorëzohet nesër pranë kësaj zyre. Socialistët heqin dorë nga hetimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa shtrijnë hetimin e tyre ndaj organeve drejtuese të tij, byrosë parlamentare, por dhe administratës e sekretariatit të shërbimeve. “Komisioni parlamentar do të hetojë veprimtarinë e administratës dhe organeve drejtuese të Kuvendit, byronë e Kuvendit, sekretariatin për buxhetin dhe shërbimet e Kuvendit për zbatimin e legjislacionit, që rregullon funksionimin e Kuvendit dhe statusin e deputetit për periudhën shtator 2005-dhjetor 2010”, thuhet në kërkesën e socialistëve. Dhe pse në mënyrë të përsëritur ishte kërkuar hetim për Jozefina Topallin, socialistët kërkojnë hetim të punës së bërë nga administrata.
Komisioni i PD
Partia Demokratike ende nuk ka vendosur nëse do ta ngrejë komisionin hetimor për pasurinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Burime në grupit parlamentar demokrat thanë se ende nuk ka një vendim për këtë çështje. Lidhur me pasurinë e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, foli dje nga radhët e PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj. “Në lidhe me ligjin e deklarimit të pasurisë e konfliktit të interesit, në këtë sallë është debatuar vetëm për dy raste konkrete; një për njërin prej kolegëve tanë, i cili ka rënë tashmë në rrjetin e konfliktit të interesit, sepse në një qytet turistik, në qytetin e zotit Xhaferaj ka marrë ca para nga bashkia përkatëse dhe tashmë është nën investigim nga ILDKP. Dhe tjetri është rasti që do bie shumë shpejt, është rasti i një personi që deklaron se në gjithë këto vite ka vetëm 3 mijë euro pasuri”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë. Ndërsa Gerti Bogdani akuzoi kryebashkiakun se në katër vitet e fundit ka shkuar në zyrën e tij në bashki vetëm për të firmosur në borderonë e rrogës. “Në 11 vjet ka dështuar si kryetar bashkie i kryeqytetasve, sepse në katër vitet e fundit, përveç kohës për të firmosur borderonë në bashki, pjesën tjetër e ka kaluar sa në zyrat e Partisë Socialiste, e sa rrugëve të Shqipërisë. Në 11 vjet ka dështuar, sepse hapësirat e gjelbërta dhe lulishtet i ktheu në betonishte dhe pallate shumëkatëshe. Sepse nismën “një qytetar, një pemë” e shndërroi në “një qytetar, një qind e tetëdhjetë metra katror beton”.











