Partia Socialiste vijon akuzat ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për keq-përdorimin e materialeve zgjedhore.Në një deklaratë për mediat, deputeti i PS-së, Armando Subashi, deklaroi se KQZ po fotokopjon materialet zgjedhore të 28 qershorit 2009 në bodrumet e saj, me qëllimin e manipulimit të tyre. Sipas tij, këto materiale po keqpërdoren dhe ende nuk po shkojnë në arkiv, në një kohë kur PS ka kërkuar hetimin e tyre. Subashi lëshoi akuza të ashpra ndaj kreut të KQZ-së, Arben Ristanit. “Denoncojmë Arben Ristanin si shkelës të ligjit për fotokopjimin e materialeve zgjedhore të qershorit 2009 në bodrumet e KQZ, me qëllim vënien e tyre në dispozicion të Saliut. Ato materiale zgjedhore që iu mohuan opozitës duke shkelur Kushtetutën për të mos lejuar transparencën, po përdoren nga Ristani për manipulimin e zgjedhjeve që po afrojnë. Për të ndalur zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, Ristani për llogari të Saliut i shpalli deri edhe sekret materialet zgjedhore, madje për 25 vjet, ndërkohë që Saliu dhe Luli i marrin përmes Ristanit nga bodrumi i KQZ”, deklaroi Subashi. Por deputeti i PS-së lëshoi akuzua edhe ndaj zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, për përgatitjen e listave të zgjedhësve. Sipas tij, Poni nuk po mbyll
ende listat për të përgatitur manipulimin e zgjedhjeve. “Nga ana tjetër, pavarësisht se edhe OSBE e quajti shkelje mosmbylljen e regjistrimeve të reja në regjistrin e gjendjes civile, sistemi vazhdon të mbahet i hapur nga Poni për llogari të Saliut. Poni dhe Ristani janë të njohur në manipulimin e zgjedhjeve dhe sot ata janë rivënë në lëvizje për të përsëritur avazin e vjetër të Saliut”, shtoi ai. Deputeti i PS-së kërkoi më tej reagimin e OSBE-së për këto shkelje sipas tij. Subashi tha se ligji po shkelet hapur dhe faktori ndërkombëtar duhet të reagojë, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje të ndershme. “Fajin e ka Saliu për të gjitha paudhësitë e regjimit të kusarisë. Por populli opozitar nuk do t’i lejojë këto zgjedhje të bëhen një tjetër farsë si ajo e 28 qershorit 2009. OSBE duhet të flasë qartë për këto shkelje flagrante të ligjit dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se pa ndryshuar këto kushte, s’mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri”, deklaroi Subashi. Reagimi i deputetit të PS-së erdhi pas një debati prej ditësh në lidhje me materialet zgjedhore të zgjedhjeve të kaluara që duhet të shkojnë në Arkiv të Shtetit. Sipas PS, ato ende nuk kanë shkuar në Arkiv duke dyshuar se po manipulohen, pasi opozita ka kërkuar hetimin e tyre, ndërsa KQZ pretendon se po kryhen detyrën dhe se po respektohet ligji. Ndërkaq, për çështjen e listave ka reaguar edhe kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth?. Ai kërkoi që të respektohet Kodi Zgjedhor, pasi në ligj parashikohet që këto lista duhet të jenë gati 60 ditë para datës së zgjedhjeve. “Jam vënë në dijeni se disa zyra të gjendjes civile në të gjithë Shqipërinë vazhdojnë të përpunojnë kërkesa të reja për ndryshime të dhënash në listat paraprake të zgjedhësve. Do të doja të deklaroja sërish se sipas Kodit Zgjedhor, afati i fundit deri kur zgjedhësit mund të paraqesin kërkesa për ndryshime të të dhënave personale është 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, që në rast të zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, është data 9 mars 2011. Duke qenë se kjo datë ka kaluar tashmë, do të doja t’u bëja thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror dhe vendor, të përfshira në hartimin e listave të zgjedhësve, t’i përmbahen plotësisht Kodit Zgjedhor dhe kësaj dispozite ligjore të rëndësishme”, ka reaguar për këtë çështje ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.
KQZ, përgatitje për koalicionet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjen për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet lokale. Sipas Kodit Zgjedhor, koalicionet duhet të regjistrohen jo më vonë se 45 ditë para ditës së zgjedhjeve, e cila korrespondon me datën 24 mars. KQZ ka shpërndarë dokumentacionin përkatës, në mënyrë që 56 partitë politike të regjistruara, të kenë mundësi të grupohen. Sipas Kodit Zgjedhor që përcakton edhe formulat e ndarjes së këshilltarëve, partitë e vogla janë mëse të interesuara të regjistrohen në koalicione, pasi janë më të favorizuara për maksimalizimin e votave të marra. Nga ana tjetër, pritet të ketë edhe kandidatë të pavarur.
Poni: Listat përpunohen nga pushteti lokal
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një reagim të disa ditëve më parë për mediat ka bërë me dije se listat përfundimtare do të dalin në datat 5-8 prill. Për sa i përket akuzave të opozitës, ai është shprehur se përmirësimet në lista nuk i bëjnë institucionet qendrore, por ato lokale. Ndërkaq, OSBE ka bërë me dije se listat duhet të jenë gati sa më shpejt. Gjithësesi sipas Ponit, rëndësi ka përmirësimi i saktë i listave ndonëse ka një afat të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Ristani: PS kërkon të na fusë në lojë politike, por jemi të paanshëm
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një prononcim për gazetën “Panorama” reagoi pas akuzave të deputetit të PS-së, Armando Subashi, për materialet zgjedhore. Sipas Ristanit, këto akuza që vijnë në adresë të tij dhe KQZ-së, kërkojnë që të fusin në një lojë politike veprimtarinë e KQZ-së. Sipas tij, ky institucion është i pavarur dhe do të vijojë të mbetet i tillë në kryerjen e plotë të detyrës. Ristani shtoi se garanton zgjedhësit dhe partitë politikë që do të kryejë një veprimtari në bazë të ligjit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve garanton të gjithë zgjedhësit shqiptarë si dhe të gjitha subjektet elektorale të regjistruara pranë tij, se veprimtaria e KQZ është e mbështetur mbi transparencën, ligjin dhe paanmshërinë. Çdo pretendim tjetër është i gënjeshtërt dhe abuziv. Bëhet për të tërhequr Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në lojën politike, por KQZ është e vendosur të qëndrojë i paanshëm”, tha Ristani. Reagimi i tij për gazetën erdhi pas akuzave të deputetit të PS-së, Subashi, i cili akuzon Ristanin se po keqpëror materialet zgjedhore, që duhet të shkojnë në Arkiv. Por një ditë më herët, KQZ ka sqaruar se procesi i selektimit të materialeve zgjedhore është një proces normal dhe rutinë. Sipas KQZ-së, materialet zgjedhore janë gati për të shkuar në Arkivin e Shtetit. Akuzat për keqpërdorje apo manipulime të tyre, KQZ i ka cilësuar si të pavërteta dhe abuzime për veprimtarinë e këtij institucioni. Mësohet se materialet zgjedhore janë përpunuar në ambientet e KQZ-së, janë sistemuar sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor në zarfe të posaçme dhe i gjithë dokumentacioni është gati për t’iu dërguar Arkivit Qendror të Shtetit.
Pastrohen kutitë e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin për pastrimin e mese 10 mijë kuti të votimit. Ky proces i nisur në fillim të janarit përfundoi në fillim të muajit mars. Nga ana tjetër, KQZ përcaktoi një fond prej 180 milionë lekësh për blerjen e mese 6 mijë kutive të reja të cilat do të përdoren për materialet zgjedhore. Opozita kërkoi hetimin e zgjedhjeve të kaluara dhe të fletëve të votimit, por në fund KQZ vendosi djegien e tyre buzë lumit Erzen.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











