PS, pse i duhet kontestimi i diplomatëve

Mar 23, 2011 | 11:12

AGIM BAÇI

Ndërtimi i një situate krize nga opozita, që ka në qendër krijimin e të gjitha kushteve për të kontestuar çdo rezultat zgjedhor të 8 majit, duket se ka marrë formë të plotë me sulmin më të fundit ndaj diplomatëve të disa kancelarive perëndimore në Tiranë.  Të mësuar me politika individuale, duket se drejtuesit e opozitës kanë harruar se qëndrimet e ndërkombëtarëve janë pjesë e axhendës politike të shteteve të tyre. Në fakt, dalja e Ngjelës për këtë çështje e jo e ndonjë eksponenti të socialistëve, të bën të besosh se mund të jetë një taktikë e re e Ramës për të provokuar një seri të re takimesh mes tij dhe diplomatëve të huaj, tek të cilët duket se ka nuhatur dyshimin ndaj politikave të tij të kontestimit dhe të politizimit të tejskajshëm të çdo procesi, qoftë zgjedhor lokal, apo debat nismash ligjore.
Mirëpo e gjithë kjo situatë ngjan shumë paradoksale po të kemi parasysh se PS-ja ka ndërmarrë jo pak herë ofensivë kundër maxhorancës në kancelaritë ndërkombëtare ku ka qenë e pranishme, ndërsa pak kohë më parë u kërkonte diplomatëve në Tiranë që të rishikonin marrëdhëniet me maxhorancën. Por tashmë që deklaratat e tyre nuk përputhen me interesat e Ramës, duket se strategjia ka ndryshuar, duke kërkuar që të parapërgatitet edhe një kontestim i deklaratave të tyre për zgjedhjet e 8 majit. Një qëndrim i tillë e bën të pabesueshme opozitën përpara ndërkombëtarëve, të cilëve herë u kërkon të kontribuojnë për demokracinë, e herë se po luajnë kundër demokracisë.
Ky komunikim me dy standarde, në fakt, më shumë sesa opozitën, tenton të dëmtojë rëndë shqiptarët, të cilët besojnë në demokracitë e vendeve nga vijnë këta diplomatë. Po të kemi parasysh se deklaratat kanë ardhur nga ambasadori amerikan, ai i OSBE-së apo i ndonjë vendi tjetër mik, do të kuptojmë se dëmi është edhe më i madh, pasi shkohet drejt kontestimit të aleatëve strategjikë të shqiptarëve, duke kërkuar me gjasë edhe kundërshtimin e një pjese të shqiptarëve ndaj këtyre politikave të aleatëve strategjikë.
Krijimi i këtij kaosi të ri, me element të kundërshtimit të mendimit të kancelarive më të rëndësishme perëndimore, sjell dyshimin se opozita tashmë nuk ka më ndërmend t’i përgjigjet asnjë ftese të kancelarive perëndimore për dialog, por do të ndërtojë frontin e ri të kundërshtimit të gjithçkaje, që përkthehet lehtë në konkretizimin e një mosbindjeje civile. Dalja nga shinat e normal-politikës krijon një situatë aspak të favorshme për gjithë sistemin zgjedhor. Ndërkohë që i heq Ramës çdo përgjegjësi për humbjen e mundshme – humbje që në rast debatesh të logjikshme do ta vinte atë përballë një sfide direkte me faktorët e tij në parti.
Por, gjithsesi, edhe pse deklaratat e Ngjelës mund të konsiderohen edhe nga vetë Rama si “individuale dhe të gabuara”, qëndrimi i tij si zëdhënës i opozitës duhet ta shqetësojë vetë PS-në, e cila rrezikon të humbasë partneritetin me shumë homologë ndërkombëtarë, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj qëndrimeve të diplomatëve të vendeve të tyre, pasi i kanë ata përfaqësues të nivelit të tyre demokratik dhe jo të qëndrimeve individuale, siç kërkon të hamendësojë opozita.
Shqipëria nuk ka nevojë për një opozitë jashtë shinave reale të dialogut politik dhe humbjes së partneritetit me faktorin ndërkombëtar. Aq më pak ka nevojë për një forcë politike që i rikthehet së shkuarës së saj të keqe, që e shihte demokracinë perëndimore si një e keqe për njeriun. Shqiptarët kanë nevojë të shohin përballë maxhorancës një forcë politike me alternativa për të zgjedhur më të mirën, e jo të japin votën thjesht nga frika se një palë nuk e ka kuptuar ende se jemi në demokraci dhe veprojmë me partneritet.
Është e vërtetë që shqiptarët do të ishin shumë më të kënaqur kur forcat politike t’i zgjidhnin vetë, pa asnjë ndërhyrje, problemet e tyre. Por, pasi ke anashkaluar për shumë kohë tempullin e demokracisë ku diskutojnë të zgjedhurit, pasi ke kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të ndëshkojnë maxhorancën, pasi u ke kërkuar diplomatëve të ndryshojnë qëndrimet me qeverinë, nuk mund të ngrihesh një mëngjes e të bësh “të pavarurin politik”. Ndaj, shqiptarët nuk kanë nevojë që në këtë lojë kontestimi të PS-së të kenë edhe një qasje të keqe ndaj demokracisë dhe ndaj disa partnerëve strategjikë ndaj të cilëve shqiptarët janë mirënjohës.

© Panorama.al

Te lidhura