PS, protestë për Kopshtin Botanik

Mar 14, 2011 | 11:07

Partia Socialiste përplaset publikisht me Qeverinë për ndërtimin e Unazës së Madhe.Shkak është bërë projekti i rrugës, i cili sipas variantit të ekzekutivit do të prekë një pjesë të Kopshtit Botanik. Paraditen e djeshme, deputetë të PS-së, së bashku me ambientalistë, i kanë bërë thirrje kryeministrit Berisha të mos e kalojë gjurmën e Unazës nga kjo zonë. Deputeti Eduard Shalsi akuzoi qeverinë se po prish një pasuri të shqiptarëve. “Sot i janë sulur si të babëzitur edhe Kopshtit Botanik. Një hipokrizi tipike e shoqëruar me agresivitetin tipik berishian bën që Saliu dhe Luli i tij pasditeve të flasin për mjedisin, ndërsa paraditeve t’i sulen mjedisit. Imagjinoni që duan të kafshojnë dhe Kopshtin Botanik, një vlerë, një pasuri e krijuar në vite nga breza të tërë punonjësish, profesorësh të nderuar dhe studentësh të Fakultetit të Shkencave të Natyrës”, u shpreh Shalsi. Ndërsa ambientalisti Lavdosh Ferruni tha se “ka 3500 specie, një nga vendet më të pasura në Europë. 2500 ka gjithë Polonia. Dhe këtu në këtë kopsht, këtu është ekzaktësisht miniaturë Shqipëria jonë”.
Reagimi i Qeverisë
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, reagoi përmes një konference për shtyp duke sqaruar teknikisht se cila do të jetë pjesa e Kopshtit Botanik që do të preket nga ndërtimi i Unazës së Madhe. “Në qoftë se i referohemi hartës së projektit të Unazës, territori që preket nga Kopshti Botanik duke përfshirë edhe rotondon është përgjithësisht vijë lineare prej 10 metra në të gjithë gjatësinë e Kopshtit Botanik, duke përjashtuar rotondon, e cila do një territor pak më të madh”. Sipas tij, edhe nëse pushteti lokal do ta niste ndërtimin e Unazës, do ishte e detyruar të prekte Kopshtin Botanik, teksa shtoi se kalimin përmes kësaj zone e kishte parashikuar edhe qeveria e Adil Çarçanit. “Ka një devijim sepse ky territor është ndërtuar me blloqe pallatesh të ndërtuara me leje të dhëna nga Bashkia e Tiranës. Ka pasur dhe një pretendim tjetër se gjoja është komuna Farkë përgjegjëse për ndërtimet. Në fakt, në qoftë se verifikojmë lejet që prekin gjurmën e Unazës, janë të gjitha të miratuara nga Këshilli i Qarkut në vitet 2002, 2003 dhe Këshilli i Qarkut drejtohej nga PS-ja”, tha Olldashi.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura