Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se po përgatit vjedhjen e zgjedhjeve të 8 majit, pasi po manipulon listat e zgjedhjeve.
Anëtarja e kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli, tha se Ministria e Brendshme, në shkelje të plotë të nenit 52 të Kodit Zgjedhor, po vijon ndryshimin e listave të zgjedhësve nëpërmjet regjistrimit në mënyrë të paligjshme si banorë të kryeqytetit.
“Në shkelje të plotë të nenit 52 të Kodit Zgjedhor, Ministria e Brendshme e Lulzim Bashës po vijon të lejojë ndryshimet në listat e zgjedhësve përmes regjistrimit të banorëve të rinj. Përmes kontratave fiktive të qirasë, po shpërngulen banorë nga bashki dhe komuna, për t’u regjistruar pranë zyrave të gjendjes civile në Tiranë dhe për t’u bërë kështu votues të zgjedhjeve të 8 majit, në shkelje të plotë të nenit 52 të Kodit Zgjedhor”, u shpreh Nikolli. Sipas përfaqësues së selisë rozë, kjo është një tentativë e pastër e blerjes së votës nga ana e Ministrisë së Brendshme. “Kjo është një tentativë e pastër e blerjes së votës së shqiptarëve. Blerja e votës vazhdon, pasi asgjë nuk e ndalon Lulzim Bashën dhe ministrat e tjerë të kusarisë për të kërkuar edhe nga punonjësit e administratës publike, që me pahir të bëhen banorë të Tiranës”, u shpreh anëtarja e kryesisë së PS.
Për manipulimet e listave zgjedhore, PS ka njoftuar se do të protestojë deri në disponimin e plotë të listave zgjedhore nga ana e saj, të cilat do të bëjnë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Nga dita e hënë, ne do të protestojmë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ministrisë së Brendshme, deri në plotësimin e kërkesës sonë legjitime për të disponuar listën e votuesve të përditësuar deri në datën 8 maj”, përfundoi anëtarja e kryesisë së PS, Lindita Nikolli.











