PS miraton kandidatët, zona të lira për PBDNJ

Mar 29, 2011 | 12:40
Dje para mbledhjes së kryesisë së PS

Kryesia e Partisë Socialiste miratoi dje pas katër orë debatesh listën përfundimtare të kandidatëve të saj për komunat dhe bashkitë në 8 maj.Dy pikat e nxehta për bashkitë e mëdha ishin Berati dhe Gjirokastra, për të cilat nuk ishte marrë vendim në mbledhjen e parë të kryesisë. Në përfundim, kryesia vendosi të rikandidojë Fadil Nasufin në Berat, për të cilin nuk kanë munguar debatet dhe Flamur Bimen në Gjirokastër, emër i cili ishte vënë në pikëpyetje, për shkak dhe të kandidaturave të tjera në këtë qytet, një prej të cilave dhe i PSD-së, Skënder Gjinushi. Deputetët e qarkut të Beratit kanë pasur qëndrime të ndryshme rreth kandidaturës së Nasufit. Mbështetës i tij ishte anëtari i kryesisë Erion Braçe, i cili transmetoi në këtë forum mbështetjen e socialistëve dhe strukturave të këtij qyteti si kandidatin fitues, ndryshe nga kandidaturat e tjera të paraqitura. Por, surpriza, lista e kandidatëve të PS ka treguar dhe në Tiranë. Në njësinë nr. 3 në Tiranë, kryesia miratoi një nga emrat më pak të përfolur Enver Sulollarin. Propozimet e bëra nga asambleja e kësaj njësie dhe emrat e seleksionuar më shumë dhe nga sondazhet e bëra deri ditët e fundit, kishin përcaktuar dy kandidatura, Ridvan Kraja, Ilir Pajenga, ndërsa dje kryesia seleksionoi një tjetër kandidat. Po kështu ndodhi dhe në njësinë bashkiake nr.8., Kujtim Ibraj dhe Gerta Lubonja, ishin emrat e miratuar nga asambleja e kësaj njësie, madje ata kishin dalë më të votuarit dhe nga sondazhet e ditëve të fundit. Ndërsa Ibraj kishte kohë që kishte nisur punën në këtë njësi, pasi kishte marrë mbështetje nga strukturat qendrore të partisë. Dje, kryesia socialiste ka paraqitur dhe miratuar një emër të ri, Sadi Vorpsin, një person i ardhur nga familjet e vjetra tiranase.
Kryesia socialiste nuk miratoi asnjë nga emrat e propozuar nga asambleja e Patosit, e cila kishte propozuar kryetarin aktual, Bardhi Meli, i cili u largua nga LSI për t’iu bashkuar PS-së pas zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe Artan Velçanit. Kryesia miratoi Rajmonda Balilajn, si kandidaten më favorite për të fituar këtë bashki.
PBDNJ
Kryesia socialiste ka përcaktuar dhe një bashkëpunim special me PBDNJ-në. E propaganduar si dalje nga koalicioni i majtë, PBDNj mori dje nga mbledhja e kryesisë socialiste mbështetje maksimale. Zonat e lëna të lira për këtë forcë politike treguan dje se “divorci” mes PS-së dhe PBDNJ-së ishte vetëm për Himarën, si kundërshtim i mbështetjes së Vasil Bollanos nga socialistët. PS nuk ka ndryshuar taktikën e saj përballë partisë së minoritetit grek, duke i lënë asaj zona të lira në jug të vendit. Komunat Pogon, Odrie, Dropull i Sipërm, Dropull i Poshtëm në Gjirokastër dhe Aliko, Dhivër, Livadhia, Finiq, Mesopotam të qarkut të Vlorës i janë lënë të lira PBDNJ-së, madje do të mbështeten nga Partia Socialiste. Mësohet se detajet e kësaj marrëveshjeje u mbyllën vetëm dje me Vangjel Dulen, i cili ishte dje paradite në zyrën e Edi Ramës. Për Bashkinë e Sarandës, kandidat do të jetë ish- deputeti i këtij qarku, Stefan Çipa, i cili nuk kaloi pa diskutime, duke pasur në përballë tij një nga kandidatet e preferuara të kreut socialist, Rajmonda Gjonin. Mbledhja e kryesisë socialiste arriti pas shumë diskutimesh të sheshojë mosmarrëveshjet në zonat ku kishte më shumë se një kandidat dhe të tilla zona nuk ishin të pakta.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura