Partia Socialiste nis fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit, duke bërë kallëzim penal për ministrin e Brendshëm, njëherësh kandidati ende i pashpallur i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.Dy muaj pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit, ku u vranë katër qytetarë dhe mbetën disa të plagosur, deputeti Taulant Balla i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për të depozituar kërkesën për fillimin e hetimeve edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe drejtorin e policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj. Basha akuzohet për krimin e vrasjes me dashje të kryer kundër më shumë se dy personave, Burgaj për përkrahjen e autorëve të krimit të vrasjes me dashje dhe Muçaj për torturën dhe kryerjen e veprimeve arbitrare në bashkëpunim me persona të tjera.
Reagimi i PD
Në një reagim zyrtar, Partia Demokratike e konsideroi denoncimin e PS-së ndaj ministrit Basha si një marketing politik. “Partia Demokratike e konsideron denoncimin që bëri sot Partia Socialiste në Prokurori ndaj z.Lulzim Basha, si një vijim të politikës së vjetër të krijimit dhe ushqimit të konfliktit dhe përdorimit të viktimave njerëzore për marketing dhe fushatë”, thuhet në reagim. Më tej PD shprehet se akuzat dhe përplasjet janë e vetmja alternativë e kreut të opozitës. “Vazhdimi i kursit të vjetër të konfliktit dhe përplasjes është në fakt e vetmja alternative që Edi Rama ofron në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Përplasjet politike i kanë lodhur tashmë qytetarët dhe ato nuk shtojnë asgjë në mirëqënien e tyre. Kjo frymë e vjetër e urrejtjes, nuk sjell asgjë të re në ato që kërkojnë shqiptarët, nuk shton hapësirat publike, nuk shton parqet, nuk shton vendet e reja të punës, nuk shton oksigjen në këtë ambient të ndotur, nuk shton gjelbërim mbi beton, dhe nuk përmirëson asgjë në cilësinë e jetës së shqiptarëve. Për fat të keq, me vazhdimin e kësaj politike, Edi Rama nuk e fsheh dot ankthin që ka përpara zgjedhjeve lokale, në mungesë të plotë të bilanceve dhe alternativave që ai u ka premtuar qytetarëve”, thuhet në reagimin e PD-së.
Kallëzimi
Kërkesa është firmosur nga 24 deputetë të PS-së. Në të thuhet se “kallëzojmë si urdhërues të krimit ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, epror i drejtpërdrejtë i Gardës, pa urdhrin e të cilit, në kushtet kur nuk paraqitej asnjë rrezik për jetën e tyre, gardistët nuk kishte se si të qëllonin. Ka dyshime të besueshme se ata që janë urdhëruar të qëllojnë, kanë ekzekutuar një urdhër kriminal dhe këtë urdhër nuk kishte të drejtë ta jepte askush tjetër përveçse eprori i tyre i drejtpërdrejtë hierarkik, i kallëzuari prej nesh, Lulzim Basha”. Nisur nga deklaratat e ministrit të Brendshëm se gjatë zhvillimit të ngjarjeve ka qenë në Kryeministri, PS-ja thotë se Basha në momentin e përdorimit të armëve të zjarrit ka qenë pranë krerëve të gardës dhe shumë afër trupave që kanë përdorur armët ndaj demonstruesve. “Këto fakte dëshmojnë se ministri Lulzim Basha, ka qenë jo vetëm urdhërdhënësi, por edhe autoriteti i lartë drejtues i pranishëm në këtë ngjarje që transmetohej “live” nga media”. PS-ja akuzon policinë se ka kryer veprime të dhunshme ndaj dy deputetëve të PS-së, të cilët sipas opozitës tentuan të ndihmonin disa qytetarë që po keqtrajtoheshin nga forcat e rendit.
Lista e deputetëve që firmosën
1-Armando Subashi
2-Fatmir Xhafaj
3-Shega Ligori
4-Sajmir Tahiri
5-Pandeli Majko
6-Taulant Balla
7-Ilir Gjoni
8-Asllan Dogjani
9-Olta Xhaçka
10-Piro Lutaj
11-Namik Dokle
12-Eduard Shalsi
13-Xhemal Qefalia
14-Arben Isaraj
15-Tom Doshi
16-Damian Gjiknuri
17-Arben Çuko
18-Agim Leka
19-Albert Çaçi
20-Armando Prenga
21-Skënder Hasa
22-Ermelinda Meksi
23-Vasilika Hysi
24-Besnik Bare
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











