Kërkesa u firmos dje nga deputetët socialistë të pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa ajo do të duhet të votohet nga maxhoranca parlamentare. Socialistët heqin dorë nga hetimi i Kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa shtrijnë hetimin e tyre ndaj organeve drejtuese të tij, Byrosë parlamentare por dhe administratës e sekretariatit të shërbimeve. “Komisioni parlamentar do të hetojë veprimtarinë e administratës dhe organeve drejtuese të kuvendit, Byronë e Kuvendit, sekretariatin për Buxhetin dhe shërbimet e Kuvendit për zbatimin e legjislacionit, që rregullon funksionimin e Kuvendit dhe statusin e deputetit për periudhën shtator 2005-dhjetor 2010”, thuhet në kërkesën e socialistëve. Dhe pse në mënyrë të përsëritur ishte kërkuar hetim për Jozefina Topallin, socialistët kërkojnë hetim të punës së bërë nga administrata. “Hetimin e veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutivin e buxhetit”, thuhet në kërkesën e socialistëve. Gjithashtu, hetim kërkohet edhe për stafin e administratës së Kuvendit, mënyrën se si janë marrë por dhe se si janë lëvizur nga puna nëpunësit. Një tjetër hetim kërkohet të bëhet edhe për shitjen e mjeteve të transportit të kuvendit. “Hetimin e procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit”, thuhet në kërkesën e socialistëve. Në përfundim të punës së këtij komisioni, propozohet të bëhen ndryshimet e nevojshme legjislative për të përmirësuar punën e kuvendit. Në kërkesën e tyre, socialistët përcaktojnë që komisioni hetimor të përbëhet nga 11 deputetë, nga të cilët, 5 i përkasin pakicës dhe 6 shumicës parlamentare, ndërsa kryetari i komisionit t’i përkasë Partisë Socialiste.
Kërkesa e PS për Komisionin hetimor
Komisioni parlamentar do të hetojë veprimtarinë e administratës dhe organeve drejtuese të kuvendit, Byronë e Kuvendit, sekretariatin për Buxhetin dhe shërbimet e Kuvendit për zbatimin e legjislacionit, që rregullon funksionimin e Kuvendit dhe statusin e deputetit për periudhën shtator 2005-dhjetor 2010
Komisioni parlamentar do zhvillojë:
Hetimin e veprimtarisë së organeve drejtuese të sipërcituara, për sa u përket detyrimeve që lindin nga zbatimi i Rregullores së Kuvendit
Hetimin e veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutivin e buxhetit
Hetimin e Byrosë dhe administratës së Kuvendit, në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës së personelit të administratës
Hetimin e procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit
Hetimin e funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ato kryejnë dhe shpërndarja e punës mes komisioneve, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projekt-ligjeve si dhe në emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij
Hetimi i integritetit dhe eficiencës së sistemit të votimit elektronik në Kuvend
Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij
Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 11 deputetë, nga të cilët, 5 i përkasin pakicës dhe 6 shumicës parlamentare. Kryetari i komisionit i përket Partisë Socialiste
Komisioni ushtron veprimtarinë e tij brenda një periudhe 4-mujore
Ngarkohet Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm të krijojnë kushtet e nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të këtij komisioni
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











