Opozita i jep fund bojkotit ndaj punës së Komisionit Qendror të zgjedhjeve.Pak para mesditës, përfaqësuesit e PS-së dorëzuan dje në KQZ emrat e anëtarëve të 66 KZAZ-ve në mbarë vendin. Krahas PS-së, edhe PBDNj-ja dorëzoi anëtarët e vet. Në total janë më se 165 anëtarë që PS-ja ka në këto KZAZ, duke pasur shumicën dhe drejtimin më 33 prej tyre në të gjithë vendin. PBDNJ-ja ka 66 anëtarë. Ky është veprimi i dytë i opozitës, pas regjistrimit të PS-së dhe aleatëve për në zgjedhjet lokale. Gjithsesi, ende nuk i është dhënë fund bojkotit të plotë, pasi opozita ka kërkuar të zbatohen tri kushte të sajat, që kanë të bëjnë me një riformatim të KQZ-së, kontroll të plotë mbi listat dhe mbi kartat e identitetit. Tri anëtarët e opozitës ende nuk janë paraqitur në mbledhjet e KQZ-së, ndërsa ekspertët kanë bërë me dije se nëse ata mungojnë, atëherë certifikimi i rezultatit pas zgjedhjeve do të jetë i pamundur, pasi duhen votat e më se 5 anëtarëve për të dhënë pëlqimin për një kandidat.
Ndërkohë, mësohet se KQZ-ja i është përgjigjur pozitivisht dërgimit të emrave të opozitës në KZAZ. Me një vendim të përbashkët, do të pushohen nga KZAZ-të 33 anëtarët dhe 33 sekretarët që u punësuan me konkurs të hapur për të zëvendësuar anëtarët e opozitës. Tashmë ata do të lirohen nga detyra për t’ua lënë në dorë anëtarëve të opozitës. Sipas Kodit Zgjedhor dhe shortit të hedhur në KQZ, në KZAZ-të me numër tek do të drejtojë në shumicë maxhoranca, ndërsa në ato me numër çift do të drejtojë opozita. Anëtarët do të paguhen 60 mijë lekë të reja në muaj. Tashmë pritet edhe hedhja e shortit për grupet e numërimit të votave. “Grupet e numërimit të votave përbëhen nga katër anëtarë, ku në çdo rast një anëtar emërohet pas propozimit të partisë politike, së cilës i përket kryetari i KZAZ-së, një anëtar pas propozimit të partisë që i përket nënkryetari, ndërsa anëtari i tretë propozohet nga partitë e shumicës qeverisëse dhe anëtari i katërt emërohet pas propozimit të partive të opozitës që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të GNV-ve për ZAZ-të respektive, sipas procedurës së parashikuar në nenin 96 të këtij Kodi”, thuhet në Kod.
Topi: KQZ është çështje e partive
Presidenti Bamir Topi, tha dje se rikompozimi i KQZ-së është çështje vetëm e partive politike. Sipas tij, institucioni i Presidentit u përjashtua tri vjet më parë kur u ndryshua Kushtetuta. “Unë besoj që kjo është një çështje ekskluzive e partive politike. Kam arsye ligjore që e them këtë, por kam dhe arsye të një eksperience që ka ndodhur më 21 prill të vitit 2008. Me vullnetin e plotë të partive politike, ju besoj nuk e keni harruar që në momentin e aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, ka pasur ovacione dhe brohoritje nga të dyja palët, që përjashtuan institucionet e tjera për të qenë pjesë e kontrollit apo e supervizionit, nëpërmjet njerëzve të tyre institucionalë në këtë komision”, tha Topi. Sipas tij, “fakti që e kanë pranuar ta ndërtojnë në mënyrë të tillë, në karakter bipartizan, bën të mundur vetëm zgjidhjen nëpërmjet tyre, absolutisht asnjë lloj ndërhyrje tjetër, dhe përsa juve e drejtoni pyetjen, për një influencë të mundshme, jo, është jashtë çdo lloj kompetence të Presidentit, është një çështje e partive”.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











