Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë, se ka stimuluar tregtinë e paligjshme të naftës vendëse. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, bëri përgjegjës kryeministrin Berisha dhe ministrin e Financave, se kanë krijuar lehtësira në këtë sipërmarrje. “Kryeministri gënjeu gjatë gjithë javës, kur tha se po lufton pasuritë e paligjshme të politikanëve dhe personave të lidhur me ta. Rasti është flagrant dhe në sy të çdo shqiptari. Llogaritë e kompanisë nën akuzë i mbante Ai, kontratat për të mbuluar paratë e ligjshme i ka nënshkruar ministri i Brendshëm, rimbursimin e skemës fiktive e ka paguar ministri i Financave, shtimin e kapitalit të kompanisë në fjalë e ka nënshkruar po Ai dhe Ti je sot, Kryeministri që do amnistosh përmes amnistisë fiskale këto kapitale të krijuara në këtë mënyrë kriminale”, u shpreh Braçe. Sipas tij, nafta sot nuk i përket më qytetarëve.
“Pasuritë kombëtare, si burime të ekonomisë kombëtare, nuk janë më të shqiptarëve, por të “qeveritarëve” dhe “familjarëve”. Shqiptarët e zakonshëm nuk kanë mundësi t’i përdorin pasuritë e tyre për të mbijetuar; “qeveritarët” dhe “familjarët” e jashtëzakonshëm e fuqiplotë, po i përdorin ato për t’u pasuruar.
Ky nuk është më korrupsion! Ky është “krim i organizuar” që po shpronëson çdo shqiptar dhe po pronëson çdo “qeveritar” dhe “familjar”. Nafta është pasuri kombëtare dhe e shqiptarëve. Qeveria po i shpronëson shqiptarët nga kjo pasuri e madhe”, u shpreh Braçe. Ai kërkoi që Kryeministri të përgjigjet se cila kompani ka sot të drejtën e shfrytëzimit të vendburimeve kombëtare të naftës, sa janë përfitimet e tyre vjetore dhe sa janë përfitimet vjetore të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga kjo pasuri kombëtare. Sipas tij, “nuk janë dy biznesmenë, por qeveritarë e familjarë, ata që drejtojnë mafien e naftës”.
Braçe akuzoi se “nuk ka qenë vetëm ARMO, por edhe një tjetër kompani, që ka pjesë në mafien e naftës e që ka shërbyer në këtë operacion kriminal. Sasitë kanë qenë të mëdha dhe përfitimi edhe më i madh”. “Nuk janë dy biznesmenë, por qeveritarë e familjarë ata që drejtojnë mafien e naftës; nuk janë dy kompani, por dhe një e tretë e ngritur politikisht, administruar familjarisht, favorizuar administrativisht me katër vendburime kombëtare të naftës, që ka kryer të njëjtin krim, shitje të naftës bruto, të papërpunuar, në tregun e brendshëm shqiptar në vitet 2009-2010; nuk ka qenë vetëm ARMO por edhe një tjetër kompani, që ka pjesë në mafien e naftës e që ka shërbyer në këtë operacion kriminal. Sasitë kanë qenë të mëdha dhe përfitimi edhe më i madh”, u shpreh Braçe.











