Deputetët e Partisë Socialiste mësynë dje drejt minibashkive të drejtuara nga LSI e PD, duke kërkuar listën e zgjedhësve.Të mbështetur nga militantë, deputetët Saimir Tahiri, Namik Dokle, Eduard Shalsi, Erion Braçe, Ilir Gjoni, Ledi Shamku protestuan para zyrave të minibashkive duke shkaktuar edhe incidente. Deputetët Braçe e Gjoni debatuan ashpër me Ilir Kokonën, kryetarin e Minibashkisë Nr 3. Nga ana tjetër, deputeti Tahiri mbylli derën e Minibashkisë Nr. 5 me zinxhir e dry, në shenjë proteste ndaj mosplotësimit të kërkesës së tyre. “Po kërkoj sa njerëz janë shtuar në regjistër. A mund të na e jepni?”, kërkoi Braçe, ndërsa situata u acarua kur deputetët u detyruan të dilnin jashtë zyrave. “Ka njerëz që nuk janë regjistruar fare në listat e votuesve. Ka njerëz që brenda një familjeje dikush është lënë në listën e votuesve të rrethin nga ka ardhur, ndërkohë që bashkëshorti apo bashkëshortja figuron në njësinë tonë; si dhe problemi i përhershëm i të vdekurve”, shtoi deputeti Ilir Gjoni. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Minibashkinë Nr. 6, po ashtu e qeverisur nga LSI. Deputeti Tahiri i kërkoi listën dhe ndryshimet që janë bërë në të, ndërsa kryetarja e Minibashkisë, Luzhiana Abazi, i kërkoi që të sillte një kërkesë zyrtare. Situata u tensionua sapo dera e Minibashkisë u mbyll me zinxhir. “Mos ta provojnë të vënë dorë mbi votën e qytetarëve sepse do ta paguajnë shumë shtrenjtë”, deklaroi për mediat deputeti Tahiri.
Drejtuesit e minibashkive
Të kontaktuar nga gazeta, drejtuesit e njësive bashkiake numër 10, 6, 11, 3 dhe 8, ku u bënë protestat nga PS, thanë se nuk kanë marrë një kërkesë zyrtare nga PS për listën e zgjedhësve. Kryetarja e Njësisë Nr. 6, Luzhiana Abazi, tha se informacioni që kërkon PS është ligjërisht i pamundur të merret, pavarësisht se kërkohet nga deputetë. Sipas saj, PS është informuar në lidhje me listat e zgjedhësve. “Nuk më interesojnë se janë deputetë. Kodi Zgjedhor nuk e njeh listën e përditësuar. Aty nuk ka asgjë për të fshehur”, tha ajo. Nga ana tjetër, kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 11, Haki Mustafa, deklaroi se ai ka marrë për bërë të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga PS për përditësimet në listat e zgjedhësve. “I kërkova për sqarim, por ata nuk erdhën. Mora vesh që kishin protestuar vetëm para kamerave”, shtoi Mustafa. Ndërsa drejtuesi i Minibashkisë Nr. 10, Blendi Fuga, u shpreh se ai ka dhënë informacion për opozitën, të tillë se sa kanë qenë në numër ndryshimet e bëra.
Shoqërohet në polici kandidati i PS-së për Minibashkinë Nr.6
TIRANE – Kandidati socialist për Minibashkinë Nr. 6 dhe një aktivist i Partisë Socialiste u shoqëruan mbrëmë në Komisariatin e Kombinatit në Tiranë, për të dhënë deklarime në lidhje me akuzat e kryetares së Njësisë Bashkiake, Luzhiana Abazi, për sulm ndaj institucionit. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se bëhet fjalë për kandidatin e PS-së, Krenar Cenollarin dhe një aktivist të kësaj partie, Besim Koraçi. Ata janë shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë deklarime dhe më pas janë lënë të lirë. Të njëjtat burime konfirmuan se shoqërimi i tyre lidhet me incidentin e paradites së djeshme, kur deputeti Sajmir Tahiri mbylli derën e jashtme të Minibashkisë duke i vënë kyçin dhe la brenda kryetaren Luzhiana Abazi. Ngjarja ndodhi pas një incidenti lidhur me përmbushjen e kërkesave të deputetit Tahiri për paraqitjen e listave paraprake të datës 8 mars nga ana e Njësisë Bashkiake Nr. 6. Madje, sipas burimeve nga policia, aktivistët e Partisë Socialiste kanë thyer edhe disa xhama të kësaj minibashkie, veprime që sipas policisë, përmbushin kriteret për akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Kjo ka qenë dhe akuza që kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr. 6, Luzhiana Abazi, ka paditur deputetin e Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri. Në lidhje më këtë kallëzim, policia bëri të ditur mbrëmë zyrtarisht se shërbimet e Komisariatit Nr. 6 të Kombinatit kanë shoqëruar në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, kandidatin socialist për Minibashkinë Nr. 6, Krenar Cenollari dhe aktivistin e Partisë Socialiste Besim Kocaqi. Dy personat e shoqëruar, sipas policisë, kanë qenë të pranishëm në momentin kur deputeti Tahiri ka mbyllur brenda godinës kryetaren Luzhiana Abazi, si dhe gjatë momentit kur janë dëmtuar xhamat e ndërtesës. Për këtë arsye ata janë shoqëruar për të dhënë deklarimet e tyre rreth këtij incidenti dhe mësohet se pas kryerjes së procedurave do të lirohen. Mbrëmë, gjatë gjithë kohës kur dy të shoqëruarit merreshin në pyetje nga oficerët e policisë, deputetët Sajmir Tahiri dhe Eduard Shalsi kanë pritur lirimin e tyre jashtë ambienteve të Komisariatit Nr. 6. Policia e Tiranës hodhi poshtë deklaratat e socialistëve se ata mund të ishin arrestuar, duke u shprehur zyrtarisht se ata thjesht janë shoqëruar për të dhënë shpjegime rreth incidentit. e.d
Abazi: Tahiri mbylli derën e institucionit
Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr. 6, Luzhiana Abazi, tha dje se deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, mbylli derën e këtij institucioni duke lënë punonjësit brenda. “Unë isha nga zyra e urbanistikës. Deputeti Tahiri erdhi menjëherë dhe hyri brenda me kamerat e televizioneve, pa paralajmëruar. Mbylli derën dhe na la brenda”, tha Abazi.
Subashi: Teliti të mos vërë dorë mbi listat
Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi, reagoi dje pas deklaratave të drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Teliti, duke bërë thirrje që lista të mos ndryshohet. Sipas Subashit, listat e zgjedhësve pas datës 8 mars nuk mund të ndryshohen, por vetëm të përditësohen në raste të veçanta, siç përcaktohen në ligj. “Kjo është lista që nuk po na jepet, me qëllimin e vetëm për ta mbajtur të fshehtë dhe për të shërbyer si mjet për manipulimin dhe vjedhjen e votës së shqiptarëve më 8 maj. I bëjmë thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile të mos vërë dorë mbi listën e zgjedhësve, të mos shtojë në lista ata persona që po detyrohen me forcë dhe me kërcënimin e pushimit nga puna të ndryshojnë vendbanimin. I kujtojmë këtij drejtori se është shkelje e rëndë e ligjit dhe me pasoja penale, pasqyrimi në lista i gjithë lëvizjeve të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile pas datës 8 mars 2011”, deklaroi Subashi.
Teliti: S’japim lista të përditësuara, por vetëm ato paraprake e përfundimtare
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, tha dje se korrigjimi i listave është përgjegjësi e pushtetit lokal dhe në Tiranë kjo është detyrë e bashkisë së kryeqytetit. Pak pas akuzave të PS-së për ndryshimin e listave, Teliti u shpreh se “listat e zgjedhësve nuk prodhohen në nivel qendror, nuk update-ohen në nivel qendror, ato korrigjohen në nivel lokal dhe përgjegjës për këtë janë punonjësit e gjendjes civile në zyrat lokale të njësive bashkiake dhe kryetarët e tyre. Në këtë kuadër, zoti Rama, si kryetar i bashkisë së Tiranës, është përgjegjës për listat e Tiranës”. Sipas tij, “listat paraprake sipas ligjit mund të kërkohen në njësitë vendore dhe Drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile dhe mund t’ju siguroj që çdo parti që ka paraqitur pretendime për të pasur listën nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile e ka marrë atë në formatin elektronik të kërkuar”. Gjatë konferencës për shtyp, ai tha se Partia Socialiste ka kërkuar tri herë gjatë periudhës 19 nëntor 2010-11 mars 2011 listën paraprake të zgjedhësve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ia ka dërguar atë. “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ju bën me dije se, në bazë të nenit 57 të Kodit Zgjedhor është e detyruar të vërë në dispozicion të subjekteve zgjedhore listat paraprake dhe përfundimtare. Sqarojmë se Kodi Zgjedhor nuk e njeh konceptin e listës paraprake të përditësuar, por vetëm listën paraprake dhe listën përfundimtare”, theksoi më tej Teliti. Sipas tij, “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile shpreh gatishmërinë të vërë në dispozicion të çdo subjekti zgjedhor listën përfundimtare pas shpalljes së saj, sipas nenit 54 të Kodit Zgjedhor, menjëherë pas kërkesës së tyre”. Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur edhe pastrimin e listave të zgjedhësve nga dublikimet dhe heqjen e emrave të personave mbi 100 vjeç.
Ligji: Kur ndryshon lista e zgjedhësve
Në kushtet e afateve që ndodhemi sot, Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 55 detajet se kur mund të ndryshojë kjo listë. Në këtë nen thuhet se ndryshimi bëhet kur zgjedhësi vëren se nuk është i regjistruar në listën përfundimtare dhe kur ka një vendim gjykate për rishikim. Kur del lista përfundimtare, ligji thotë se edhe nëse zgjedhësi ka ndërruar vendbanim, ai duhet të votojë atje ku është regjistruar në listën përfundimtare, nuk mund të bëhen ndryshime, dhe kjo 30 ditë para zgjedhjeve.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











