
Teksa brenda KQZ-së po zhvillohej “be-teja” e votave Rama-Basha për kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës, jashtë saj ndodhi beteja e vërtetë.Militantë dhe deputetë të Partisë Socialiste luftuan trup më trup me forcat e rendit, ndërsa njolla gjaku ranë mbi tokën e institucionit sovran që vendos për votën. Dikush u plagos. Ose… “askush”, sepse gjaku që rridhte çurg mbi faqen e djathtë të policit të thjeshtë të forcave të rendit me mbiemrin Hoxha, u duk si “numër i thjeshtë” para spektaklit të ngecjes mbi kangjella të parlamentarëve socialistë. Të vetmit që e ndihmuan atë ishin dy kolegë, të cilët nuk mund t’i ofronin më shumë se sa një facoletë për të fshirë gjakun, pasi u duhej të riktheheshin urgjentisht në krye të detyrës.
Uiski dhe puro kubane
Deputetët e PS-së Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Taulant Balla, Armando Prenga, Saimir Tahiri, Fatmir Toçi, Ilir Gjoni etj., tashmë kishin depërtuar në kordonin e parë të policisë, ndërsa u përballën me qindra forca të rendit në hyrjen qendrore. Të dorëzuar, ata u ulën në bordurën e oborrit të KQZ-së, në pikën e diellit të mesditës, të gjithë me telefona nëpër duar. Me telefona po merreshin edhe Bashkim Fino dhe Marko Bello, por në lokalin përballë KQZ-së. Ata kishin ndezur nga një puro kubane dhe duke pirë uiski qetë-qetë, lëshonin batuta teksa komentonin turmën që brohoriste dhe kolegët pas kangjellave. Tavolinës iu shtuan edhe disa persona të tjerë, ashtu si dhe gotat e uiskit dhe kafetë që zëvendësoheshin kohë pas kohe. “Të paktën u mbajti koha”, tha njëri prej tyre. Fjala e tij, që shkaktoi të qeshurat e Finos dhe Bellos, nuk zgjati shumë. Jashtë filluan të shpërndaheshin pikat e para të shiut e, bashkë me to, edhe turma e militantëve…
Sherr grash
Në nxitim e sipër për t’u futur në strehët e lokaleve dhe ambienteve të stadiumit “Qemal Stafa”, rastësia përballi dy gra të moshuara. Si të tilla, gjithë mirësjellje, e ftuan njëra-tjetrën për pak bisedë, por përfunduan në sherr. E para, me emrin Sanie, ishte duke fërkuar paksa kokën për të shkundur pikat e shiut kur mallkoi Edi Ramën që të mos shohë një ditë të bardhë. Kaq u desh. Një e moshuar tjetër, me theks jugu, e shtyu Sanien sërish drejt shiut, duke i bërtitur: “Ik! Dil jashtë, moj maloke e dreqit! Ik te Sala yt, moj k…”. Edhe Sania nuk ia la mangët. Pasi ia mësoi emrin gruas (Shpresa), që e ofendoi, nga persona që i thërrisnin në emër për ta qetësuar, iu hakërrye: “Prit, prit këtu që të të sjell çunat e mi dhe të të…”. Në këtë moment, simpatizantët që shoqëronin Shpresën e morën atë me forcë mënjanë, ndërsa i kërkuan falje Sanies. Por Sania nuk donte t’ia dinte më. Ajo doli nëpër shi duke sharë me ulërima. Ulërima që çuditën edhe efektivat e policisë, dy prej të cilëve e pandehën për ndonjë militante ekstremiste, pasi po kalonte duke u rënë me çantë gjithë inat kangjellave të KQZ-së në anën jugore, pikërisht në një moment kur nuk kishte më asnjeri për shkak të shiut të rrëmbyeshëm. Sqarimi i Sanies me policët ishte paksa i gjatë, pasi fillimisht shau sa mundi Ramën, deputetët e PS-së, tregoi dhe një histori me komunistë dhe, në fund fare, tregoi çfarë i ndodhi. E, derisa e tregoi, shiu pushoi…
Pak ujë për policët
Dy policët, të qeshur, e kapën për qafe Sanien dhe, duke i kërkuar që të largohej nga aty, një koleg i lajmëroi që të shkonin te hyrja kryesore e KQZ-së. Pushimi i shiut, dalja e fortë e diellit dhe rifillimi i mbledhjes së KQZ-së po mblidhte sërish simpatizantët e PS-së dhe deputetët e tyre. Këta të fundit ishin shtuar në numër, por edhe në thirrje “për revolta popullore”. Rreth e rrotull KQZ-së, forcat e rendit përpiqeshin të ruanin qetësinë. Në vend të armëve, në duar mbanin shishe plastike me ujë. Oraret e gjata të patrullimit po i lodhnin aq shumë, saqë një polic iu lut një militanti që po i turrej: “Të lutem, më lër të pi pak ujë, pastaj tento…”. Militanti u hutua, u kthye, iku. Por jo deputeti Paulin Sterkaj, që ishte pas tij…
Griset këmisha e Saimir Tahirit
Në grupin e parë të deputetëve të Partisë Socialiste që kanë tentuar të hyjnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas ndalimit që u bëri ky institucion me anë të një rregulloreje, ka qenë edhe Saimir Tahiri. Ashtu si kolegët, ai u ngrit mbi kangjella nga turma, por në momentin e hedhjes në oborr ai ngeci nëpër policë dhe në skafandrat e tyre, çka bëri që t’i shqyhej këmisha. Në përpjekje për të mbërthyer kopsat, disa prej tyre i ranë përtokë. Megjithatë, ai u qetësua nga deputeti tjetër Taulant Balla, i cili duke i treguar dhëmbin e gjakosur nga po e njëjta situatë, e ftoi të vijonin rrugën drejt hyrjes së brendshme të KQZ-së.
Rrëzohet me kokë Armando Prenga
Spektakli i parlamentarëve të Partisë Socialiste mbi kangjellat e oborrit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë dje në “majat më të larta”. Ashtu si edhe kolegët e tjerë, deputeti Armando Prenga u ngrit në ajër nga turma e militantëve socialistë, të cilët e lëshuan mbi kokat e policëve që ruanin hyrjen kryesore. Për pak çaste, Prenga ngeci ashtu, ndërsa Tom Doshi, i cili sapo e kishte kaluar kordonin e parë të forcave të rendit, u përpoq ta ndihmonte… Por nuk ishte nevoja. Policët u mënjanuan, disa prej tyre u rrëzuan dhe Prenga u përplas përtokë me pjesën e përparme të kokës, ku mbeti i dëmtuar.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











