GAZMEND KODUZI
Shumë debate dhe komente janë bërë në gazeta dhe televizione pas botimit të platformës politike të opozitës për vizionin e saj qeverisës, në rast se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitin 2013. Pothuajse të gjitha debatet janë përqendruar te premtimet ekonomike dhe shumë pak kanë cekur vizionin e opozitës për sistemin shëndetësor nën qeverisjen e tyre. Nga një lexim i kujdesshëm i pjesës së këtij programi në lidhje me shëndetësinë, vërehet se i gjithë faji është i sistemit të financimit aktual.
Cili është sistemi më i mirë i financimit për sistemin shëndetësor shqiptar dhe për shqiptarët!?
Dy janë modelet e financimit të sistemit shëndetësor më të përhapura sot në botë:
modeli bismarkian dhe ai “Beveridge”.
1-Modeli bismarkian e mori emrin nga Kancelari Prusian, Otto von Bismarck, i cili shpiku shtetin social si pjesë të bashkimit të Gjermanisë në shekullin XIX. Ky sistem bazohet në sigurimin shëndetësor me kontribute, që zakonisht financohet nga punëdhënësi dhe punëmarrësi nëpërmjet zbritjes në listë-pagesë (bordero).
Në modelin “Bismark” institucionet e sigurimit duhet të mbulojnë çdo njeri dhe nuk janë fitimprurëse. Modeli “Bismark” zbatohet nga Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Zvicra etj.
2-Modeli “Beveridge” e mori emrin nga William Beveridge, një guximtar i reformave sociale që në vitin 1942 dizajnoi shërbimin shëndetësor kombëtar britanik për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë sistem, shërbimi shëndetësor ofrohet dhe financohet nga qeveria nga mbledhja e taksave, si p.sh. forcat e policisë. Në këtë sistem, të gjithë janë të siguruar dhe nuk paguajnë asgjë brenda paketave të përfitimeve. Vendet të cilat kanë këtë sistem janë: Britania e Madhe, Spanja, disa nga vendet skandinave dhe Zelanda e Re.
Po Shqipëria çfarë sistemi financimi ka aktualisht?
Pas ndryshimit të sistemit politik në fillim të viteve ’90, vendi trashëgoi një sistem shëndetësor “Semashko” sipas modelit rus, ku shteti kishte nën kontroll të rreptë çdo aktivitet shëndetësor dhe çdo gjë ishte e centralizuar. Spitalet e qendrat shëndetësore vuanin mungesën e gjatë të investimeve, por edhe mungesën në medikamente.
Në fund të vitit 1994 u hodhën hapat e parë të transformimit të shëndetësisë, me krijimin e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH-së). Ky moment shënon një moment kthese në shëndetësinë shqiptare sepse hodhi bazat ligjore për shndërrimin e sistemit shëndetësor nga sistemi “Semashko” në atë bismarkian. Shqipëria zgjodhi sistemin “Bismark” për vetë sfondin dhe mentalitetin e popullatës. Deri në atë moment, pacientët ishin mësuar që pasi kryenin vizitën te mjeku (zyrtarisht falas), shkonin dhe blinin me lekë në dorë ilaçet në farmaci, pavarësisht kategorisë sociale që i përkiste, pensionist apo fëmijë, invalid apo i papunë. Popullata e shikonte shëndetësinë si diçka të lidhur vetëm me shtetin, ku nuk kishte vend për kontributin dhe rolin e tyre. Nga kjo pikëpamje, sensibilizimi i popullatës për të drejtat dhe detyrimet, përdorimi i shërbimeve mjekësore atëherë kur dhe ku duhet, duke krijuar marrëdhënie kontribuues-ofrues nga njëra anë, dhe mbrojtja e pacientëve nga shkatërrimi ekonomik në raste sëmundjeje nga ana tjetër, ishin elementet kryesore që ndikuan në përcaktimin e sistemit të financimit në shëndetësi. Gjithashtu, duhet pasur në konsideratë që për vendosjen e një sistemi financimi shëndetësor, bazuar mbi taksimin e përgjithshëm (sistemi “Beveridge”), duhej që vendi të kishte një ekonomi të zhvilluar, të formalizuar dhe ku gjithsecili të paguante rregullisht taksat nga të cilat do të ndahej një pjesë e lekëve që do t’i shkonin shëndetësisë.
Edhe në kuadrin rajonal, po të hedhësh një vështrim në të gjitha vendet ish-socialiste të Lindjes që kishin sistemin shëndetësor rus, sot kanë adaptuar sistemin e financimit bismarkian.
Çfarë propozohet në programin politik të opozitës?
Propozohet që sistemi i financimit që aplikohet sot në vend të hiqet dhe të zëvendësohet nga sistemi i financimit që aktualisht ka Anglia, nëpërmjet ngritjes së Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (ShKSh). Arsyeja e këtij ndryshimi? Sepse sistemi aktual i financimit stimulon korrupsion, burokraci dhe diskriminim në masë! A thua se nuk është i njëjti sistem financimi si në Gjermani dhe Zvicër, ku cilësia e kujdesit ndaj pacientit është në nivelet më të larta dhe korrupsioni në nivelet më të ulëta.
Por, a ka provuar Shqipëria elemente të ShKSh. më parë?
Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës (ASHR) u projektua në vitin 2001, që të luante rolin që kanë autoritetet shëndetësore rajonale në Angli. Nga një vlerësim i bërë në vitin 2008 nga një kompani e huaj rezultoi se implementimi i projektit të ASHR-së dhe arritja e objektivave për të cilat ishte krijuar ishte i dështuar. Arsyet?? Një mijë e një arsye, por më e rëndësishme është që ky model nuk i përshtatet modelit ekonomik, shoqëror dhe financiar shqiptar.
Një prej premtimeve është sigurim shëndetësor falas për ata që nuk munden t’i paguajnë!? Terminologjia e përdorur “falas” është e papërshtatshme për vetë sistemin ekonomik në të cilin ne jemi. Vetëm në të ashtuquajturin socializëm shqiptar shëndetësia ishte “falas”, por që gjithçka financohej nga puna e nënpaguar e shqiptarëve. Shprehja më e saktë do të ishte “kontribute të paguara nga shteti” për ata që nuk munden. Po tani çfarë bëjnë këta të “shkretë” që nuk munden, marrin shërbim shëndetësor apo vdesin?
Në ligjin aktual të sigurimeve shëndetësore në Shqipëri është shteti që paguan për kategoritë që nuk munden të paguajnë kontributet shëndetësore, si fëmijët, nxënësit dhe studentët me shkëputje nga puna; pensionistët; veteranët dhe invalidët e luftës; të paaftët (mendorë dhe fizikë); të papunët; personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë sociale etj.
Atëherë cili është sistemi i financimit shëndetësor më i mirë për shqiptarët??
Ai është sistem i financimit që i përshtatet psikologjisë shqiptare, formimit shoqëror dhe politik, që stimulon kujdes shëndetësor cilësor dhe bashkëkohor nëpërmjet krijimit të tregut shëndetësor, që motivon financiarisht dhe profesionalisht personelin shëndetësor, që rrit përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien në përdorimin e fondeve. Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, është që në fund të ditës sistemi të prodhojë shëndet për popullatën dhe prosperitet për vendin.
Personalisht mendoj që sistemi i financimit që kemi aktualisht në Shqipëri, ka hedhur bazat për arritjen e objektivave që priten nga sistemi shëndetësor, por duhen çuar më tej reformat e nisura dhe kombinuar me ndërhyrje multisektoriale, sepse shëndeti i popullatës nuk është më çështje vetëm e shëndetësisë.
*Master në shkencat mjekësore











