KOPLIK- Vritet me armë zjarri një 77-vjeçar në rrethin e Malësisë së Madhe. Policia bëri të ditur se viktima është shtetasi Sulejman Velaj, nga fshati Reç. Persona ende të paidentifikuar e kanë vrarë atë në oborr të shtëpisë së tij me një armë automatike dhe më pas janë larguar. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia që ka nisur hetimet, ndërsa janë shoqëruar disa banorë të fshatit ku banonte viktima. Burime të Policisë bënë të ditur se paraprakisht, autori i dyshuar i vrasjes me breshëri është kushëriri i 77-vjeçarit. Nga dëshmitë e familjarëve të tij, si dhe hetimet e kryera në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se viktima dhe autori i dyshuar (djali i xhaxhait të tij), kishin pasur konflikte të ashpra gjatë ditëve të fundit për motive pronësie. Ata nuk kishin mundur t’i zgjidhnin konfliktet as me pleqësinë e fshatit, duke precipituar në debate të ashpra në gjithë këto kohë. Burime të Policisë bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur i moshuari kishte dalë jashtë për nevojat e tij. Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar me breshëri menjëherë sapo ai ka dalë në oborr, duke e lënë të vdekur në vend. Drejt fshatit, që ndodhet rreth 8 km larg Koplikut, u nis menjëherë policia, e cila deri në orët e vona nuk kishte kryer arrestimin e autorit. r.d











