Pronat në Shkodër, reagon edhe Kisha

Mar 18, 2011 | 9:51

Pas Myftinisë reagon për pronat Kisha Ortodokse në Shkodër.Përfaqësuesi i saj, at Nikolla Petani, ka kërkuar një ditë pas myslimanëve pronat, madje duke cilësuar se, “komuniteti ortodoks është më i diskriminuari në Shkodër sa i përket çështjes së kthimit të pronave”. Në nisje të deklaratës së bërë publike dje, Petani përmendi fatin e truallit ku është ngritur sot objekti i kishës ortodokse në qytet, truall i cili, sipas tij, as është kthyer nga pushteti dhe as është kompensuar, por ai është siguruar duke u blerë në vitin 1993 nga kreu i Kishës Ortodokse, Janullatos. At Nikolla Petani u shpreh se pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të komunitetit ortodoks për kthimin e pronave të tyre, deri tani ato kanë hasur në vesh të shurdhër. “Gjer tani komunitetit ortodoks në Shkodër nuk i është kthyer asnjë objekt dhe nuk i është kompensuar asnjë metër katror tokë, duke qenë komuniteti më i diskriminuar mes tre komuniteteve që bashkëjetojnë në Shkodër, për çështjen e pronave”, – pohoi Petani. Më tej at Nikolla Petani ka rreshtuar disa nga objektet që pretendojnë t’u kthehen, për të cilat thotë se shteti nuk po e ndërmerr një iniciativë të tillë. “Në radhë të parë duhet të përmend ndërtesën e Shtëpisë së Oficerëve, e ndërtuar në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, një objekt i ndërtuar plotësisht mbi një truall ku dikur ishte ndërtuar një kishë ortodokse. Ky objekt edhe sot është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. U ndërtua në funksion të ushtarakëve të asaj kohe për strehim dhe argëtim, tani ai po përdoret sërish nga Ministria e Mbrojtjes po për argëtim, për ushtrim biznesi, për seli partish dhe shoqatash dhe ne nuk na e kthen njeri”. Më tej Petani vazhdoi duke përmendur një parcelë toke në malin e Taraboshit, pas urës së vjetër të Bunës, aty ku dikur kanë qenë varrezat ortodokse. Sipas tij, edhe pse me vendim të Komisionit të Kthimit të Tokave Kisha e ka fituar këtë të drejtë, nuk po u jepet. Aty ku aktualisht është lulishtja në qendër të kompleksit spitalor të Shkodrës, at Petani shprehet se kanë qenë varrezat e komunitetit ortodoks, ashtu si dhe vendi po pranë spitalit, ku tashmë është ngritur një qendër diagnostikimi në shërbim të komunitetit. Ndërkohë që at Nikolla Petani nuk e ka lënë pa e përsëritur çështjen e hotel “Rozafës”, për të cilën ndajnë të njëjtin shqetësim bashkë me Myftininë e Shkodrës, duke pretenduar bashkëpronësi të truallit. “Tani që në Shqipëri ka ligje dhe institucione që mbrojnë të drejtën e pronës ne mendojmë që nuk është e nevojshme që t’u drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, siç është OSBE-ja, por kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit”. Në fund të fjalës së tij, at Nikolla Petani i ka bërë thirrje pushtetit qendror dhe atij vendor të tregohen më dashamirës me pronat e Kishës Ortodokse dhe u ka kujtuar atyre se komunitetet fetare janë një zë shumë i rëndësishëm për të gjithë vendin, sidomos për Shkodrën.

Myftinia

1-    Përfshirja në privatizimin e
hotelit “Rozafa” (si ish-pronare)

2-    Prishja e një banese në afërsi të qendrës tregtare në Zdrale

3-    Prishja e një objekti në Zogaj, pranë xhamisë së kësaj lagjeje

4-    Prishja e një objekti në afërsi të Xhamisë së Plumbit

Kisha Ortodokse

1-    Pretendimi për privatizimin e Shtëpisë së Oficerëve (ish-pronare trualli)

2-    Pretendimi në privatizimin e hotelit “Rozafa” (si ish-pronare)

3-    Dhënia në pronësi e një sipërfaqeje toke në malin e Taraboshit (ish-varreza)

4-    Kompensim për lulishten e spitalit

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura