Pronat, Gjykata rrëzon Alibeajn

Mar 24, 2011 | 12:18

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e deputetit demokrat Enkelejt Alibeaj për heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të ligjit për pronat.Gjykata vazhdoi dje me seancën e shtyrë që prej 1 marsit, pasi Alibeaj nuk kishte pasur mundësinë të njihej me çështjen. Gjykata Kushtetuese ishte duke shqyrtuar ligjin nr.10308, datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës, i ndryshuar”, i cili i jep kompetenca kreut të AKKP-së të ndryshojë titujt e pronësisë nëse vërehen shkelje. Tri javë më parë, gjykata vendosi masën e pezullimit të zbatimit të ligjit, për shkak se pasojat që ai krijonte do të ishin të pariparueshme.
“Duke vlerësuar faktin se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave mbaron, e bashkë me të, edhe procesi i rishikimit të titujve që përmbajnë në vetvete padrejtësi socialiste që rregullohen me këtë ligj, deri në 31.12.2011 dhe së dyti, duke marrë parasysh dhe kohën mesatare që kjo gjykatë jep vendimin e saj, do ta bënte të paaplikueshëm ligjin, edhe sikur kërkesa e shoqatës të mos pranohej. Në këtë rast duhen parë pasojat e parikuperueshme që sjell ky pezullim, prandaj kërkoj heqjen e kësaj mase. Këtë e mbështet dhe në faktin se kërkesa e shoqatës së pronarëve për pezullim nuk u shoqërua me asnjë pasojë negative të pariparueshme që ky ligj kishte krijuar”, u shpreh Alibeaj. Sipas tij, ky pezullim do të krijonte dhe një paragjykim për antikushtetutshmëri të këtij ligji. Por, gjykata nuk e mori parasysh këtë kërkesë dhe la në fuqi vendimin e saj të parë të pezullimit të zbatimit të ligjit, deri në dhënien e vendimit të plotë të saj. Përfaqësuesi i maxhorancës tregoi qëllimin e hartimit të këtij ligji, i cili sipas tij është bërë për të rregulluar një padrejtësi sociale. “Ligji në fjalë, i atakuar para Gjykatës Kushtetuese, përmban në vetvete një mekanizëm që ka për objektiv final, korrigjimin e padrejtësive te vërtetuara gjatë procesit rreth 15-vjeçar të kthimit dhe kompensimit të pronës. Ky mekanizëm është prezantuar për herë të parë në vitin 2007, e pastaj i reformuar në vitin 2009 (edhe pse ne forma cilësisht të ndryshme nga ligji aktual). Pra, motivimi i nxjerrjes së këtij akti ligjor, siç edhe lehtësisht mund të konstatohet, i referohet pikërisht korrigjimit të padrejtësive ligjore të vërejtura në këtë proces të gjatë ndër vite”, u shpreh Alibeaj.
Për përfaqësuesin e maxhorancës, ligji i ri nuk cenon as parimin e sigurisë juridike. “Thelbi i ligjit nuk është në sigurinë juridike, por në pritshmëritë e ligjshme të individëve, të atyre që gëzojnë një titull pronësie. Rishqyrtimi përmes këtij ligji ka të bëjë vetëm me ato raste kur është shkelur ligjshmëria”, u shpreh Alibeaj. Sipas tij, ky ligj është një filtër ku do të kalojnë të gjitha vendimet e paligjshme. Dhe pse AKKP nuk është një organ gjyqësor, procedurat duhet të jenë si ato gjyqësore për të gjetur të drejtën, dhe pse institucioni nuk është i barasvlefshëm me gjykatën”, u shpreh Alibeaj. Gjykata u tërhoq për të marrë vendimin në një kohë të pacaktuar rreth kësaj çështjeje, pasi janë dëgjuar palët e interesuara, Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si dhe Kuvendit e Ministrisë së Drejtësisë.

Rastet me shkelje të pronësisë

Deputeti demokrat Alibeaj, referuar disa të dhënave nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, tha dje se 15% e vendimeve të marra nga komisionet e mëparshme janë konstatuar me shkelje ligjore. “Në këto 2 vjet, në 770 vendime të shqyrtuara nga AKKP, 15% e tyre janë gjetur me probleme. Në këtë kuptim, kjo krijon një problem social”, u shpreh Alibeaj.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura