
Trualli në Kavajë, ish-kreu i Agjencisë së Tiranës mohon akuzën.
Gjykata e Tiranës i njohu dje me masën e sigurisë “arrest me burg” pesë ish-zyrtarët e Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, të arrestuar të mërkurën. Katër prej tyre kërkuan masa më të lehta sigurie se ajo e “arrestit me burg”, duke pretenduar probleme shëndetësore, një pjesë e të cilëve e argumentuan me raporte mjekësore para gjykatës. Asnjëri prej tyre nuk e pranoi akuzën e ngritur nga prokuroria në lidhje me abuzimet ligjore për zhvendosjen e një sipërfaqeje toke në plazhin e Spillesë në Kavajë. Në përfundim, gjykata la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” caktuar në mungesë ndaj tyre përpara arrestimit. Në këtë mënyrë, ish-zyrtarët e pronave do të qëndrojnë në qeli të paktën deri në një vendim tjetër gjyqësor në lidhje me masën e tyre të sigurisë. Pesë ish-zyrtarët akuzohen nga prokuroria për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim me pasoja të rënda dhe “falsifikim dokumentesh”. Ata u arrestuan nga operacioni policor i koduar “Prona e spostuar”, pas një hetimi 5-mujor të Prokurorisë së Tiranës, i nisur pas denoncimit të skandalit në gazetën “Panorama”. Vepra penale e kryer nga të dyshuarit bën fjalë për kthimin abuziv të një sipërfaqeje prej 48 hektarë zonë plazhi në Kavajë një familjeje që i takonte kthimi i tokës në arë, dhe jo në sipërfaqe ranore.
PROBLEMET SHENDETESORE
Duke filluar nga ora 11:00 e paradites së djeshme, pesë ish-zyrtarët, mes të cilëve edhe Bledar Dervishaj, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, u paraqitën para gjyqtares Rezarta (Balliu) Vigani. E dyshuara Merita Gjinali, ish-topografja e ZRKKP-së, Tiranë, u paraqit e para në radhë përpara gjykatës. Përfaqësuesit e akuzës në proces, prokurorët Daniela Sulaj e Valentin Preçi, pretenduan në seancë se për të dyshuarën Gjinali duhet të lihej në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”, pasi nuk kishte ndryshuar asnjë kusht. Nga ana e tij, avokati mbrojtës i Gjinalit pretendoi se veprimet e klientes së tij kishin qenë të ligjshme. Mbrojtësi pretendoi se Gjinali kishte kryer një shërbim topografie në zyrën ku ka punuar, veprim që, sipas avokatit, përputhej në realitet në terren. Sipas avokatit, klientja e tij trajtohej pasi kishte një kartelë mjekësore me diagnozë të përcaktuar, atë të çrregullimeve paranojake. Një masë më të lehtë sigurie se “arresti me burg”, duke pretenduar probleme shëndetësore, pretendoi në vijim para trupit gjykues edhe i dyshuari tjetër, topografi Njazi Ademi.
Në seancën e radhës, akuza e prokurorisë nuk u pranua as nga i dyshuari Bledar Dervishaj, ish-drejtori i AKKP-së Tiranë, e as nga i dyshuari Dhimitër Papa. Dervishaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” duke pretenduar se vuante nga probleme të hipertensionit. Për shkak të një ndërhyrjeje të realizuar kohët e fundit, Dervishaj pohoi se i nevojitej higjienë maksimale, të cilën nuk mund ta gjente në qelitë e burgut. I arrestuari Papa kërkoi masë më të lehtë duke pretenduar se kishte probleme shëndetësore me zemrën. I dyshuari Ali Aliaj pretendoi para trupës gjykuese se ai vetëm kontrollonte specialistët. “Unë kontrolloj specialistët juridikë. Bëj vlerësimin ligjor. Origjina e pronës ka qenë siç ka e dhënë specialisti im”, u shpreh ai. Aliaj kërkoi masë më të lehtë, referuar aktivitetit të tij akademik, pasi jepte mësim në një fakultet privat në Shqipëri dhe në një fakultet në Kosovë.
Skandali i spostimit të pronës në bregdet
Tiranë – Ish-drejtori i Agjencisë Rajonale të Kthimit e Kompensimit të Pronave të Tiranës, së bashku me katër topografë, ranë në pranga për skandalin e tokës në bregdetin e Sarandës. Ngjarja e denoncuar edhe nga gazeta “Panorama” që në tetor 2011, u bë objekt i hetimit të prokurorisë për shkak se 48 hektarët e tokës, që i ishin kthyer e njohur familjes Jenisheri në Kavajë, përbënin një procedurë të parregullt. Sipas prokurorisë, vendimmarrja e shtrirë në vitet 2009-2010 ka qenë abuzive, pasi ka zhvendosur gjeografikisht zonën ku duhej të kthehej prona te familja aplikuese. Sipas prokurorisë, shteti i detyrohej familjes Jenisheri me kthim toke në formën e arës, ndërkohë që Agjencia e Pronave të Tiranës kishte kthyer një tokë shumë më të vlefshme, konkretisht truall me sipërfaqe ranore në zonën e plazhit. Sipas prokurorisë, zyrtarët e Agjencisë së Pronave kanë pasur informacion pasi Hipoteka u kishte thënë me shkrim se toka që po i kthehej familjes Jenisheri ishte ranore dhe zonë plazhi.
Djali i së arrestuarës kërcënon hetuesin
TIRANE – Djali i topografes së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Merita Gjinali, e cila u arrestua tri ditë më parë nga policia e kryeqytetit, është marrë në hetim nga policia dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë me akuzën e “kanosjes”. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ka nisur procedim penal ndaj 34-vjeçarit Denio Gjinali, ndaj të cilit ka bërë kallëzim një oficer i Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Të njëjtat burime thanë se djali i topografes së arrestuar gjatë operacionit “Prona e spostur”, bashkë me 4 zyrtarë të tjetër të AKKP-së, ka kërcënuar dhe fyer nëpërmjet telefonit, oficerin e policisë, Hasan Dedja, duke e akuzuar se i kishte arrestuar padrejtësisht të ëmën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 11 janarit, kur Dedja ndodhej në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës duke marrë në pyetje 5 zyrtarët e arrestuar për tjetërsim prone në plazhin e Kavajës, mes të cilëve ishte edhe Merita Gjinali, nëna e 34-vjeçarit që kërcënonte e fyente në telefon. Fillimisht i akuzuari nuk është prezantuar, por numri i telefonit dhe emri i personit që e shqetësonte në telefon oficerin e policisë është zbuluar pas 24 orësh dhe i dyshuari është shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











