Pronat e Konomit, Gjykata kundër AKKP-së për 150 ha

Sep 16, 2011 | 11:58
Gjyqtari i vrare: Skerdilajd Konomi

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit, i vitit 2009, i cili ia dha pronën në Hamallaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, hedh dritë mirëfilli mbi historinë e konfliktit të pronave nëse ky ka qenë shkaku i atentatit me eksploziv një javë më parë.Historia e pronës së lakmuar në bregdetin e Durrësit, e cila njihej me emrin “Çifliku Rrushkull ose Çifliku i Ri” nis në vitin 1919, kur prona në fjalë i përkiste Miltiadh Shallvarit. Ky ka vdekur më 17 maj 1933, por katër vjet para ndarjes nga jeta, më 8 maj 1929, i ka lënë trashëgimi pasurinë e tij, me testament, zonjës, Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Sipas Gjykatës së Durrësit, e cila ia dha pronën Konomit në vitin 2009, kalimi i pronësisë me testament tek gruaja në fjalë, u shoqërua në vitin 1940, kur në zyrën e Hipotekës së Durrësit u regjistrua me dokumente fakti se shtetasit Edita Shallvari, e bija e trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltiadh Shallvari, kanë hequr dorë nga çdo e drejtë që mund t’u takojë për efekt trashëgimie mbi pronat në Rrashkull dhe Çifliku i Ri, duke i lënë ato në favor të shtetases Sllava Lubica Maria Amalia Lampo. Në këtë kohë, sipas Gjykatës, kjo grua është bërë pronarja e vetme e sipërfaqes së tokës dhe ka pasur cilësitë ligjore për të marrë vendime për truallin në fjalë. Pikërisht me këtë argument, Skerdilajd Konomi, në cilësinë e njërit prej trashëgimtarëve të pronës, ka pretenduar në gjykatë se vendimi i zotërueses së vetme të pronës, për t’ia dhënë me enfiteozë (me qira dhe me të drejtë investimi e zhvillimi) tokën kompanisë italiane E.I.I.A, ka qenë i rregullt, pasi asnjë pjesë e pronës nuk i takonte personave të tjerë, veç asaj që ka marrë vendimin. Në datën 27 prill 1940, prona në fjalë iu dha kompanisë italiane asokohe për një afat 99 vjet, por më 29 maj 1946, toka në fjalë u sekuestrua nga shteti shqiptar. Pikërisht tek ky vendim, sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, datë 5 tetor 2009, bazohej kërkesa e gjyqtarit të Vlorës për kthimin e pronës, pra tek fakti se toka ishte marrë në 1946 nga shteti, i cili tani duhej ta kthente. Konkretisht, me nr. transkriptimi 126, volumi 15, datë 29 maj 1946, prona ka kaluar në emër të shtetit, me kufizimet: Veri, Ali Bej Qoralliu, Faut bej Toptani, Zija bej Toptani, perëndim, deti, jug, lumi Erzen dhe lindje, Qanie Hanemi, Fuat bej Toptani. Prona në fjalë u konsiderua e konfiskuar në zbatim të ligjit 36, datë 14 janar 1945. Gjykata e Durrësit ka vlerësuar se me dhënien në përdorim të pronës tek kompania italiane, nuk ka ndryshuar pronësia e tokës, ajo ka mbetur e trashëgimtares me testament, dhe pikërisht asaj, prona në fjalë i është sekuestruar nga shteti. Kjo, sipas Gjykatës, për shkak se enfiteoza nuk është ndryshim i pronësisë, por vetëm përdorim i pronës. Sipas të dhënave të Gjykatës, ka dalë se prona në fjalë vetëm breg deti me rërë, ka 52000 metra katrorë, ndërkohë që në kuptim të ligjit për kthimin e kompensimin e pronave është gjetur e lirë sipërfaqja prej 150.75 hektarësh.
Njohja e pronës
Komisioni i Kthimit të Pronave në Durrës ia ka dhënë pronën Skerdilajd Konomit dhe trashë-gimtarëve të tjerë më 4 janar 2008, por më pas, Agjencia e Pronave, zyra Tiranë, ka vendosur të anulojë pronësinë e tokës për shtetasit Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani dhe Ariandhi Konomi. “Gjykata konkludon se vendimi i mësipërm duhet të ndryshohet dhe trashëgimtarëve të ish-pronarëve, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani dhe Ariandhi Konomi, duhet t’u njihet e drejta e pronësisë mbi sipërfaqen e tokës prej 157900 metrash katrorë tokë, në Hamallaj të rrethit të Durrësit.

Tabulatet telefonike s‘ndihmojnë hetimin, s‘ka persona të dyshimtë
Tirane – Grupi hetimor ka zbardhur deri dje një pjesë të konsiderueshme të tabulateve telefonike të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Zbardhja e telefonatave është kërkuar të bëhet për t’i dhënë ndihmesë hetimit në lidhje me shkaqet dhe autorët e vrasjes së gjyqtarit 33-vjeçar. Listat e telefonatave dhe mesazheve që gjyqtari ka shkëmbyer muajt e fundit, mësohet se kanë mbërritur në Prokurori me kërkesë të kësaj të fundit për t’u administruar në dosjen hetimore të vrasjes së Skerdilajd Konomit. Më pas, organi i akuzës ka bërë verifikimin e personave njëri pas tjetrit, duke arritur në përfundimin se tabulatet e deritanishme nuk kanë vlera provuese dhe identifikuese për autorët e krimit. Duke marrë shkas nga detyra si gjyqtar, por edhe nga problemet e pronësisë, hetuesit shpresonin se në tabulatet e telefonit të gjyqtarit do të gjenin ndonjë personazh të dyshimtë në lidhje me vrasjen. Dyshimet u përkisnin pistave kryesore të hetimit të ngjarjes, probleme personale, përfshi pronat, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me detyrën e Konomit si gjyqtar civilist në Gjykatën e Vlorës. Burime të Prokurorisë kanë thënë dje se në listat e telefonatave dhe mesazheve telefonike të gjyqtarit nuk janë gjetur të dhëna apo persona të dyshimtë. “Rrethi i personave që kanë pasur kontakt me gjykatësin Konomi muajt e fundit, periudhë për të cilën janë kërkuar tabulatet, kanë qenë kolegë dhe familjarë të tij”, thanë burimet zyrtare të Prokurorisë. Sipas tyre, ka shumë gjasa që edhe vetë gjyqtari të mos ketë pasur kërcënime apo paralajmërime për ngjarjen e ndodhur një javë më parë, pasi nuk janë gjetur persona të panjohur në listat e kontakteve të tij telefonike.

Gjykata e Lartë
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila njeh detyrimin e shtetit për t’i kthyer pronën Konomit dhe trashëgimtarëve të tjerë, është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Durrës dhe më pas është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë duke marrë formë përfundimtare. Mirëpo, palët e interesuara kanë bërë sërish padi në Gjykatën Kushtetuese dhe mandej, një kërkesë në Gjykatën e Tiranës që prona të mos regjistrohej në emrin e atyre që u ishte dhënë nga Gjykata e Lartë.

Vlorë, sot protesta për krimet
Vrasja e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, por edhe situata kriminale e kohëve të fundit, do të mbledhë sot në Sheshin e Flamurit qindra qytetarë vlonjatë. Organizimi i këtij tubimi është bërë nga aktivistë të shoqërisë civile, të cilët e kanë përcjellë thirrjen e tyre nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Dje janë shpërndarë postera si dhe janë njoftuar qytetarët për këtë tubim paqësor ku do të kërkohet rendi dhe siguria në qytet. “Bashkë kundër krimit”, Duam siguri”, Duam drejtësi”, etj janë disa nga parullat me të cilat do të tubohet ditën e sotme.

Spahiu: Gjyqtarët të pasigurt, të zbardhet atentati ndaj Skerdilajdit
TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkoi edhe një herë dje publikisht identifikimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes së gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, njoftoi se në mbledhjen e sotme të Këshillit, do të shqyrtohet në mënyrë të veçantë “situata më e fundit për sigurinë e jetës së gjyqtareve, duke marrë shkas nga vdekja tragjike e tipit mafioz, e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skerdilajd Konomi”. Spahiu pohoi se pushteti gjyqësor po pret të bëhet drejtësi dhe se autoriteti shtetëror është cenuar dukshëm nga ky akt. “Pothuajse në të gjitha rastet krimet e rënda ndaj njerëzve të drejtësisë kanë mbetur pa autor, por një precedent i tillë duhet të ndryshojë për vrasjen e gjyqtarit Konomi”, nënvizoi Spahiu. Nënkryetari i KLD-së tha dje se aktualisht mbi 15 gjyqtarëve të kërcënuar u është ofruar mbrojtje. “Në 1 vit e gjysmë, 10 kërkesa për mbrojtje gjyqtarësh të kërcënuar rëndë për jetën e tyre janë marrë në shqyrtim nga Komisioni i posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve dhe aktualisht i ofrohet mbrojtje në total mbi 15 gjyqtarëve, raste të cilat, për arsye diskrecioni dhe sigurie, janë mbajtur të fshehta, por që sot duhet të konsiderohen në vlerësimin e përgjithshëm të situatës”, u shpreh Spahiu. Numri dy i KLD-së e konsideroi ngjarjen e Vlorës si një ngjarje që ka krijuar një precedent të rrezikshëm, jo vetëm për sistemin e Drejtësisë, por për të gjithë nëpunësit shtetërorë dhe jetën e sigurinë e të gjithë qytetarëve. Spahiu shprehu besimin se do të gjente mbështetjen e gjithë anëtarëve të KLD-së, pasi sipas tij, KLD, si organi më i lartë përfaqësues i Gjyqësorit përgjegjës për mbrojtjen e gjyqtarëve ka për detyrë të flasë dhe të mbajë një qëndrim zyrtar në këtë çështje.                   ar.ba

Trazhgim Sokolaj
Leonidha Musaj



© Panorama.al

Te lidhura