Prokuroria, padi në Gjykatën e Lartë lirimit të 3 gardistëve

Mar 23, 2011 | 9:59

Gjykata e Lartë regjistron paditë e Prokurorisë për kthimin në qeli të tre prej gardistëve të akuzuar për vrasjet e ndodhura në demonstratën e dhunshme të 21 janarit 2011, pranë Kryeministrisë.Bëhet fjalë për rekursin e organit të akuzës mbi vendimin e Gjykatës së Apelit të kryeqytetit në 3 mars, që i liroi gardistët Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli nga masa e sigurisë “arrest me burg”, me afat 30 ditor, për shkak të mungesës së provave. Për të kundërshtuar këtë vendim, Prokuroria i është drejtuar togave të zeza të Gjykatës së Lartë, para të cilave do të kërkojë ricaktimin e masës shtrënguese të “arrestit me burg” për punonjësit e gardës. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë konfirmuan regjistrimin e padive të Prokurorisë së Tiranës ndaj gardistëve, Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli. Të trija paditë janë regjistruar në të njëjtën ditë, pak ditë më parë në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Ato kanë të njëjtin objekt: “caktim mase sigurimi ‘arrest me burg’”, respektivisht për gardistët Ahmetaj, Çela dhe Nikolli. Sipas burimeve, ato nuk i janë nënshtruar ende shortit, i cili do të përcaktojë relatorët dhe anëtarët e Kolegjet Penale që do t’i shqyrtojnë. Gardistët Ahmetaj, Çela dhe Nikolli u arrestuan për llogari të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës mbi vrasjet e ndodhura në demonstratën e dhunshme të 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Hetimet kanë vërtetuar që nga armët e tyre janë bërë qitje ditën e ngjarjes. Bashkë me ta u arrestua edhe gardisti, Agron Malaj. Më parë, ndaj tyre ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “vrasjes në rrethana të cilësuara, në bashkëpunim”. Në paraqitjen e tyre para Gjykatës së Tiranës, në 14 shkurt, për vleftësimin e kësaj mase sigurie, Gjykata ndryshoi qëndrim vetëm për gardistin Malaj. Për të Gjykata caktoi “detyrim paraqitje”, ndërsa për tri të tjerët caktoi “arrest me burg”, me afat 30 ditor. Pasi e apeluan këtë vendim, gardistët Ahmetaj, Çela dhe Nikolli arritën të fitonin lirinë nga një vendim i Apelit të Tiranës.

 

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura