
Prokuroria “pendohet” dhe kërkon në Gjykatën e Lartë rikthimin në qeli të Roland Çelmetës, ishzv. drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, i liruar nga paraburgimi pak ditë më parë. Çelmeta ishte një nga të arrestuarit e operacionit policor “Kalibrimi” të nëntorit të vitit të kaluar, operacion që vuri në pranga nëntë persona të akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “mashtrim”. Pas dy vendimeve gjyqësore për masë sigurie “arrest me burg” në Shkallën e Parë dhe në Apel ndaj tij, Çelmeta u lehtësua në “arrest shtëpie” në janar të këtij viti, me kërkesë të vetë prokurorisë. Burime pranë organit të akuzës sqaruan atëherë se kërkesa për zbutjen e masës së sigurisë ndaj Çelmetës dhe disa prej pjesëtarëve të tjerë të dosjes u bë për shkak të pranimit të akuzës prej tyre dhe bashkëpunimit që ata patën me hetimin. Në anën tjetër, vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar Gjykatës së Lartë për caktimin e një mase sigurie “arrest me burg” ndaj tij. Kërkesa është regjistruar në datën 16 janar 2012 në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë.
Në objektin e kësaj çështjeje thuhet: “Caktim mase sigurimi arrest në burg”. Duket se Prokuroria e Përgjithshme ka ndryshuar qëndrimin e mbajtur nga Prokuroria e Tiranës. Me ligj, prokurori më i lartë ka të drejtë të ndryshojë vendimet e prokurorit më të ulët, megjithatë është për t’u theksuar se Prokuroria e Tiranës kishte arritur marrëveshje me të pandehurit për pranimin e akuzës nga ana e tyre. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë konfirmuan se ende nuk është përcaktuar Kolegji që do të shqyrtojë këtë kërkesë. Gjashtë prej të arrestuarve të operacionit “Kalibrimi”, përfshi Çelmetën, iu ndryshua masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” në ditët e para të janarit, me kërkesë të organit të akuzës.
“KALIBRIMI”
Nëntë zyrtarë të Drejtorisë së Metrologjisë u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar, pas një hetimi disamujor të Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Ata akuzohen për veprat penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe për “mashtrim”. Sipas Prokurorisë, ata realizonin kolaudime fiktive të peshoreve në subjekte të ndryshme tregtare, duke përfituar para që nuk i depozitonin për llogari të institucionit. Hetimi në fjalë nisi pas kontrollit të dyfishtë në një furrë buke dhe në një market në Tiranë. Pronarët e tyre kallëzuan në prokurori se pasi dy inspektorë të kalibrimit u kishin kolauduar peshoret, kishte mbërritur një inspektor tjetër, i cili ishte përgjegjës për zonën. Sipas Prokurorisë, Çelmeta i kishte lejuar vartësit e tij të kryenin kolaudime fiktive në distancë. Po sipas Prokurorisë, nga përgjimet ishin zbardhur telefonata ku Çelmeta i udhëzonte vartësit të shkonin në disa pika të caktuara karburantesh ku ata “do t’i respektonin”. ar.ba
TË ARRESTUARIT
Roland Çelmeta, zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë
Moisi Musabelliu, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Kristaq Thanasi, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Hetem Basho, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Armand Xhika, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Armand Shuaipi, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Agron Damzi, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Sokol Lami, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Dhurata Merlika, inspektore pranë Drejtorisë së Metrologjisë Tiranë, arrestuar mbrëmë











