Programi “Pas Shkolle”/ Ministrja e Arsimit: Dyfishuam pagesën për orë të çdo mësuesi! Matura? Respektoni rregullat, përndryshe penalizoheni

May 29, 2026 | 13:12

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, gjatë konferencës me gazetarët u ndal tek programi ‘Pas Shkolle’, i cili ka nisur pilotimin në 47 shkolla, 45 në Tiranë dhe 2 në Kamëz.

Në fjalën e saj ajo tha se me VKM kanë dyfishuar edhe pagën për orë të çdo mësuesi që do të angazhohet me programin “Pas Shkolle”.

“Kjo fazë erdhi pasi për herë të parë me ndryshimin që bëmë në ligjin për arsimin parauniversitar, kemi përfshirë edhe nocionin ‘Pas Shkolle’, duke siguruar një bazë të mirë ligjore për ta çuar përpara këtë program; Po ashtu, me VKM që përgatitëm, dyfishuam edhe pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë program, duke ofruar një shpërblim më dinjitoz; Nuk do të bëhet sot për nesër, por po ndërtojmë hap pas hapi themelet ku do të ngrihet në mënyrë solide ky program”, theksoi Ministrja Kumbaro.

Kumbaro bëri me dije se programi është pritur shumë mirë nga prindërit dhe shkollat, ndërsa Ministria e Arsimit po punon intensivisht për ndërtimin e bazës ligjore dhe infrastrukturore të tij.

“E di që është pritur shumë mirë nga prindërit, po ashtu nga shkollat, por kam marrë shumë pyetje në lidhje me ushqimin në shkolla që dua t’u përgjigjem. Përpara se të nisim infrastrukturën fizike, po ndërtojmë me kujdes gjithë infrastrukturën ligjore dhe kjo ka qenë puna që ekipi i Ministrisë së Arsimit ka bërë me intensitet në këta 6-7 muajt e fundit. Kemi shfrytëzuar këtë periudhë të përfundimit të vitit shkollor, për të pilotuar programin pas shkolle, që po e studiojmë imtësisht ditë pas dite. Dhe dua të ndaj disa të dhëna dhe shifra shumë interesante: Në ‘Pas shkolle’ për klasat 1-5, përfshihet programi “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe klubet “Art dhe Zeje” që janë 5 të tilla: Klubi i muzikës; Klubi i teatrit; Klubi i artit pamor; Klubi i kërcimit; Klubi i zejeve. Në Tiranë, në 45 shkolla që po pilotohet programi, kemi 308 mësues të angazhuar dhe rreth 4500 nxënës. Në Kamëz, në 2 shkolla, kemi 17 mësues të përfshirë dhe 240 nxënës. E gjitha kjo me një ekspertizë dhe mbështetje edhe nga partneret tanë UNICEF, Save the Children “, tha Kumbaro.

MATURA

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u ndal edhe tek Matura Shtetërore, ku sqaroi detaje nga organizimi i punës për mbarëvajtjen e provimeve, ndërsa vuri theksin tek ashpërsimi i rregullave me qëllimin për të garantuar një proces të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

“Bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze të filluar që në muajin dhjetor të vitit 2025, kur miratuam rregulloren e maturës shtetërore. Ka qenë një proces i përditshëm për maturantët, ka filluar me publikimin online të modeleve të provimeve disa muaj më përpara, duke u dhënë mundësinë të ushtrohet. Dhe ka kulmuar me testet provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar provimet e maturës, fiks në të njëjtat kushte siç do të zhvillohen në datë 2, 9, 16 dhe 23 qershor, që nga organizimi logjistik, deri te masat e sigurisë, ndarja në klasa, kryerja e provimit sipas kohëzgjatjes etj.

Kemi 144 qendra provimi në gjithë vendin, janë mbi 170 monitorues direkt nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla, është një proces që përfshin Ministrinë e Arsimit, Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale Arsimore, Zyrat Vendore Arsimore dhe sigurisht Qendrën e Shërbimeve Arsimore”, bëri me dije ministrja Kumbaro.

Më tej gjatë komunikimit me mediat, ministrja Kumbaro sqaroi se ka pasur një ashpërsim të kësaj rregulloreje krahasuar me vitin e kaluar, me detyra, përgjegjësi dhe sanksione të qarta që tek përgjegjësit e administrimit, tek administratorët, përgjegjësit e kateve, dhe tek përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.

“Kemi nisur dhe po kryejmë një fushatë sensibilizimi për Maturantët, për çfarë nuk lejohet gjatë provimit, ku patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi.  Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, tha ministrja Kumbaro.

Gjithashtu, ministrja Kumbaro kërkoi nga mediat bashkëpunim për të ndërgjegjësuar maturantët në respektimin e rregullores së provimeve dhe korrektësi gjatë procesit.

© Panorama.al

Te lidhura