Programi, Beqja sulmon Meidanin

Nov 6, 2011 | 12:14

“Kush thotë se ne mashtrojmë, nuk i do socialistët”

Hartuesit e programit të ri të PS akuzuan ish-presidentin Re-xhep Meidani se nuk i do socialistët. Anëtari i Asamblesë Kombëtare, një nga hartuesit e shtyllës ekonomike dhe sociale të programit të PS-së, Ilir Beqja, tha se ai që kritikon këtë program pas miratimit të tij, do të thotë se nuk e do bashkimin e socialistëve. “Një koleg në Asamble tha duhet dashni dhe bashkim mes socialistëve. Në këtë statut dhe këtë program është bashkimi ynë me shqiptarët. Kushdo është i hapur që të kritikojë këtë program sot sepse nesër kushdo që do të thotë se ky program është mashtrim, nuk ka dashni dhe nuk do bashkim mes socialistëve”, u shpreh Beqja. Duke folur dhe shifra, Beqja u dha përgjigje argumenteve të Meidanit se arritja e 300 mijë vendeve të punës është e pamundur. “Dikush e kritikoi këtë program si mashtrim sepse nuk mund të arrihet shifra e 300 mijë vendeve të reja të punës. Ky program nuk është tabelë shifrash dhe aritmetikë. Me një rritje 3-4% të GDP në vit shtesa në vlerë do të jetë 900 milionë dollarë. Nëse investimet publike do të rriten me 2 miliardë dollarë në katër vjet, kjo do të sjellë vende të reja pune dhe zhvillim. E argumentuar dhe me shifra, kjo shifër nuk është një mashtrim”, u shpreh Beqja.
Ish-presidenti Rexhep Meidani e konsideroi premtimin e Ramës për të hapur 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë të PS në pushtet, një mashtrim të ngjashëm me premtimet 7-vjeçare të Berishës në pushtet. Në një shkrim të pak ditëve më parë në “Panorama”, duke analizuar me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani tha se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një shifër të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë. Sipas Meidanit, ky premtim ka ardhur pa asnjë studim apo prognozë serioze specialistësh të fushës makroekonomike.
“Pohimi ‘programor’ që në qeverisjen socialiste, brenda një mandati qeverisës, do të hapen 300 000 vende pune, ashtu si në raste të ngjashme të dyanshme, më la një shije të hidhur, sidomos në kuptimin e seriozitetit të premtimit. Aq më tepër që nga premtime të llojllojshme, të bollshme dhe të mbushura me mashtrime ‘mrekullish qiellore’, na ka ardhur në majë të hundës në këta 7 vjetët e qeverisjes demokratike! Do të përpiqem të argumentoj, pa ndonjë ‘matematikë’ konkrete, por dhe pa e zgjatur, që në premtim i tillë nuk ka të bëjë fare me ndonjë studim apo prognozë serioze specialistësh të fushës ekonomike-sociale…”, shprehej Meidani në shkrimin e tij.
Edhe anëtarja e Kryesisë, Mimi Kodheli, u dha dje përgjigje akuzave të ish-presidentit. “Jemi akuzuar për mashtrim. U themi këtyre intelektualëve të nderuar: S’ju kishim dëgjuar ta bënit këtë akuzë për Saliun në 6 vjet. E bëtë vetëm 6 orë pasi u shpalos programi ynë. Jeni gabim dy herë. Së pari, sepse nuk akuzohen për mashtrim burra e gra të familjes suaj politike, të cilët kanë vënë dijet dhe fytyrën e tyre në një punë të gjatë e të mirëmenduar intelektuale. Së dyti, sepse ne e dimë mirë çfarë flasim dhe e dimë konkretisht se ku do t’i gjejmë vendet e punës”, u shpreh Kodheli.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura