Ndryshimet e bëra në ligjin “Për procedurat tatimore”, të cilat kanë mbërritur në Kuvend për diskutim, duhet të ishin konsultuar më parë me biznesin.Është kjo kërkesa e njërit prej grupimeve më të mëdha të këtij të fundit, “Biznes Albania”. Në një deklaratë për shtyp ky grupim bën edhe propozimet konkrete lidhur me ndryshimet që po i bëhen ligjit në fjalë, i cili është edhe ligji më i rëndësishëm për marrëdhëniet biznes-shtet. “Biznes Albania kërkon gjithëpërfshirjen e biznesit në ndryshimet që po i bëhen ‘Kushtetutës’ së sipërmarrjes, Kodit të Procedurave Tatimore. Ligji kryesor që rregullon veprimtarinë mes shtetit dhe biznesit kërkon më shumë vëmendje dhe diskutim me grupet e interesit”, thuhet në njoftimin për shtyp të këtij grupimi. Vetë Biznes Albania nuk i kundërshton ndryshimet e bëra, madje vëren se një pjesë e atyre ndryshimeve që reflektohen janë propozime të hershme të këtij organizimi, por do të ishte mirë sikur projektligji të diskutohej gjerësisht me biznesin. Kështu, një ndër pikat që ka rëndësi për Biznes Albania-n është kufizimi dhe minimizimi i barrierave për të dalë nga një biznes. Shumë kompani, të cilat sot janë jashtë aktivitetit të tyre, nuk mund të bëjnë mbyllje të biznesit për shkak të barrierave ligjore. Përveç të qenit dakord me disa nga ndryshimet në ligj, Biznes Albania sugjeron që qeveria duhet edhe vetë t’u përgjigjet standardeve që kërkon nga biznesi. Këtë pikë, grupimi më i madh i organizatave të biznesit e lidh me gjobat që vendosen për mosdeklarimin e të punësuarve. Sipas Biznes Albania-s, duhet që sa më parë të mundësohet deklarimi online i punonjësve, një standard ky që e kërkon koha. Ndërkaq, një pikë tjetër ku propozohet ndryshim është ajo që lidhet me detyrimin e të tretëve për të dhënë informacion. “Biznes Albania ka mendimin se detyrimi i të tretëve për të dhënë informacion nuk mund të caktohet me një udhëzim të titullarit të Ministrisë së Financave, por me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo sepse, të dhënat që kërkohen nga administrate tatimore mund të bëhen shpesh, sikundër ka ndodhur, edhe pjesë e selektimit të bizneseve”, thuhet në propozimet e Biznes Albania-s.
Propozimet e “Biznes Albania”
“Biznes Albania” vlerëson lehtësitë që ofron ky projektligj lidhur me kufizimin dhe minimizimin e barrierave ligjore dhe administrative për të dalë nga një biznes.
“Biznes Albania” vlerëson se ndryshimet e propozuara në ligjin bazë që rregullon marrëdhëniet e biznesit me sipërmarrjen, pra në Kodin e Procedurave Tatimore, përsa i përket nenit ekzistues nr. 44 dhe që kanë të bëjnë me subjektet që nuk kryejnë asnjë transaksion ekonomiko-financiar për një periudhë të caktuar kohe. Këto duhet të “shkarkohen” nga detyrimet që në mënyrë automatike sistemi kompjuterik tatimor iu “faturon”. Kjo realizohet tashmë me nenin 2 të projektligjit, i cili i kalon këto subjekte në regjistrin pasiv. Kujtoj se kjo kërkesë është bërë nga biznesi që në vitin 2005.
“Biznes Albania” shpreh rezerva lidhur me mosdeklarimin e të punësuarave. Penalitetet e rishikuara që fillojnë me gjobat jashtë çdo konteksti ekonomik dhe financiar si për subjektet objekt i TVSH-së apo edhe ato objekt i Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit, duhet të shoqërohen me realizimin e angazhimit të qeverisë dhe të shërbimit shtetëror fiskal përsa i përket deklarimit online të të punësuarave.
“Biznes Albania” ka mendimin se penalitetet për lëshimin e kuponit tatimor, pavarësisht dëshirës së mirë për të formalizuar këtë pjesë të administrimit, duhet dhe mund të miratohen vetëm atëherë kur të gjithë të jenë përdorues të pajisjes fiskale. Nëse një furnizim kryhet pa një kupon tatimor fiskal, nuk mund të ketë një kupon të tillë në shitje. Administrata tatimore duhet të kërkojë implementimin e plotë të fiskalizimit përpara ndryshimit të Kodit dhe shtimit të penaliteteve që shkojnë deri në mbylljen e subjekteve për një periudhë 6-mujore.
“Biznes Albania” ka mendimin se detyrimi i të tretëve për të dhënë informacion nuk mund të caktohet me një udhëzim të titullarit të Ministrisë së Financave, por me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo sepse të dhënat që kërkohen nga administrate tatimore mund të bëhen shpesh, sikundër ka ndodhur, edhe pjesë e selektimit të bizneseve apo subjekteve për arsye subjektive të titullarëve apo për shkaqe të tjera. Informacione të tilla mund të shërbejnë për të dëmtuar konkurrueshmërinë e subjekteve, barazinë në treg etj.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











