Revista gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një artikull protestave të zhvilluara në Tiranë kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Nartës, duke raportuar për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si edhe për të arrestuarit dhe të plagosurit.
Sipas medias gjermane, pakënaqësia e qytetarëve tashmë ka tejkaluar kundërshtimin ndaj projektit dhe është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Der Spiegel shkruan se protestuesit tentuan të bllokonin hyrjen e Kuvendit, ndërsa hodhën vezë dhe miell në drejtim të forcave të policisë. Në përgjigje, policia përdori automjete me ujë nën presion dhe sprej me piper për të shpërndarë turmën.
Sipas artikullit, projekti parashikon ndërtimin e hoteleve luksoze, vilave dhe strukturave rekreative në Gjirin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit. Investimi lidhet me një kompani të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Revista thekson se organizatat mjedisore paralajmërojnë për pasoja serioze ndaj ekosistemit të zonës, duke argumentuar se projekti mund të dëmtojë deltën e lumit Vjosa dhe lagunën e Nartës, një habitat i rëndësishëm për flamingot, çafkat dhe dhjetëra specie të tjera shpendësh.
Artikulli vëren se protestat, të cilat vazhdojnë prej më shumë se një muaji, janë pagëzuar nga mediat si “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa flamingoja është kthyer në simbol të lëvizjes qytetare.
Duke cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATA), Der Spiegel raporton se gjatë protestës së fundit 18 persona u shoqëruan nga policia, ndërsa 15 efektivë dhe katër protestues morën ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë përplasjeve.
Përveç ndalimit të projektit, protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke ngritur dyshime se mbështetja e qeverisë për investimin lidhet me interesa korruptive.
Nga ana tjetër, Rama ka deklaruar se projekti nuk ka marrë ende lejen përfundimtare të ndërtimit. Megjithatë, sipas Der Spiegel, shfaqja e makinerive në fund të muajit maj në zonën ku parashikohet investimi ishte shkëndija që nxiti protestat, të cilat vijojnë edhe sot.
© Panorama.al












