Madonna rrëfen për krizën shëndetësore që gati i kushtoi jetën: Isha në koma për dy ditë!

Jul 3, 2026 | 10:52

Madonna ka folur hapur për krizën e rëndë shëndetësore që përjetoi në vitin 2023, duke zbuluar se qëndroi në koma për dy ditë pasi u prek nga një infeksion bakterial i rëndë që çoi në sepsë.

madonna

Këngëtarja 67-vjeçare u shtrua në repartin e kujdesit intensiv, ku u intubua dhe u vendos në koma të induktuar për shkak të komplikacioneve serioze, përfshirë dështimin pulmonar dhe atë renal. Pavarësisht gjendjes kritike, ajo u rikuperua plotësisht dhe vetëm disa muaj më vonë u rikthye në skenë me turneun e saj.

Në një intervistë për Vogue Italia, nga shtëpia e saj në Londër, Madonna ndau edhe një detaj emocional nga periudha e vështirë. Ajo tregoi se fle çdo natë me një oktapod prej pelushi ngjyrë vjollcë, të cilin e quan “Octavia”, pasi ai i kujton infermieren që u kujdes për të gjatë qëndrimit në spital.

“Ky është pelushi im i preferuar. Emri i tij është Octavia dhe fle me të çdo natë. Kur isha shumë e sëmurë në spital, ishte një infermiere e mrekullueshme me emrin Olivia që kujdesej për mua. Ajo më fliste çdo ditë dhe më thoshte se duhej të zgjohesha e të dilja nga kujdesi intensiv. Më dha shumë guxim dhe shpresë. Kur u ktheva në shtëpi, motra ime më dhuroi këtë oktapod dhe menjëherë mendova për infermieren time”, rrëfeu artistja.

Madonna shtoi se pelushi ishte dhuratë nga një prej motrave të saj dhe se e ka mbajtur pranë që prej asaj kohe.

“Po fillon të konsumohet dhe të prishet, por unë e dua”, tha ajo.

Këngëtarja kishte folur edhe më herët për këtë përvojë, gjatë një koncerti në Los Angeles në vitin 2024, në kuadër të turneut “Celebration Tour”. Ajo e përshkroi atë si një moment “pranë vdekjes” dhe zbuloi se fjala e parë që tha pasi doli nga koma ishte “jo”.

“Jam e bindur se ishte Zoti që më pyeste: ‘A do të vish? A do të ngjitesh me mua?'”, kujtoi Madonna.

Artistja pranoi se rikuperimi ishte i gjatë dhe i vështirë.

“Edhe një shëtitje e shkurtër deri në oborr kërkonte një përpjekje të jashtëzakonshme. Ishte një mësim për mua, që të mësoja të hiqja dorë nga nevoja për të kontrolluar gjithçka”, u shpreh ajo.

Sipas Madonnës, fëmijët e saj luajtën një rol të rëndësishëm në rikthimin e saj në muzikë, ndërsa vendosmëria personale ishte po aq vendimtare.

“Caktova një datë për t’u rikthyer dhe ia dola”, përfundoi ajo.

© Panorama.al

Te lidhura