Presidenca: Takimi Topi-Ahmeti, i paprogramuar

Mar 11, 2011 | 13:34

TIRANË- Pas reagimit të opozitës shqiptare në Maqedoni kundër presidentit Bamir Topi, Presidenca ka dalë me një qëndrim sqarues, sipas të cilit takimi Topi-Ahmeti ka qenë i paprogramuar.

“Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti Topi, nuk ka pasur asnjë takim të programuar me drejtues të partive politike shqiptare në Maqedoni. Takimi me zotin Ali Ahmeti, i cili ka ngjallur ndjeshmërinë e partive të tjera shqiptare në Maqedoni, ka qenë një takim rastësor i bërë në mjediset ku po zhvillohej ceremonia e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit”. Gjithashtu me këtë rast, Presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike duke u përshëndetur edhe me Kryetarin e PDSH-së, zotin Menduh Thaçi, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas tij, Topi gjithmonë ka inkurajuar e mbështetur bashkëpunimin e harmoninë mes forcave politike shqiptare në Maqedoni si faktorë stabiliteti e paqeje, edhe në rajon. “Çdo interpretim tjetër i takimit të rastësishëm me Kryetarin e PDI-së, Ali Ahmeti, është i pasaktë dhe nuk i kontribuon aspak frymës së vazhdueshme që Kryetari i Shtetit shqiptar ka përçuar për unitetin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si kontribues i rëndësishëm i aspiratave integruese të vendit”- theksohet më tej.

© Panorama.al

Te lidhura