Premtimi i mbajtur

Mar 7, 2011 | 10:12

XHELAL MZIU

Katër vjet më parë, kur unë mora mandatin për të drejtuar Bashkinë Kamzë, në pozicionin e kryetarit të saj, qytetarët e kësaj bashkie më dhanë besimin, përgjegjësinë dhe mbështetjen për të drejtuar, organizuar dhe menaxhuar këtë institucion, me synimin dhe moton: “Koha për Kamzën, Koha për ndryshim”. Unë dhashë fjalën se do ta bëja realitet këtë moto dhe premtim elektoral, por sidomos vizionar.  Sot, pas katër vitesh, unë ndihem krenar se kjo moto dhe ky premtim është një realitet i dukshëm dhe i prekshëm, madje duke tejkaluar edhe ato parashikime, që dikujt i dukeshin 4 vjet më parë të pamundura apo tepër ambicioze për Kamzën. Ky dyshim e mosbesim ka pasur edhe një bazë reale, sepse Kamza gjatë këtyre viteve është përballur me sfida të mëdha e të shumta në të gjitha drejtimet: institucionale, infrastrukturore, financiare, ekonomike, ligjore, urbane, arsimore, shëndetësore, të rendit, kulturore, sportive, mjedisore etj.
Katër vjet më parë, institucioni i bashkisë paraqitej me një mjedis e strukturë tepër të papërshtatshme për të marrë përsipër e realizuar detyrat bashkëkohore funksionale, për shërbime administrative në favor të qytetarëve dhe për të sjellë ndryshimet e nevojshme, për shndërrimin e Kamzës në një mjedis me pamje urbane dhe civile. Kjo, për arsye se mungonin zyrat, në pikëpamje të organizimit dhe përcaktimit të detyrave realizuese që ka një njësi e qeverisjes vendore; mungonin pajisjet, që nga orenditë dhe deri tek mjetet e punës; mungonin mjediset për kontaktet dhe shërbimet ndaj qytetarëve dhe, mbi të gjitha, një staf i nevojshëm jo vetëm në numër, por edhe në nivelet e duhura profesionale dhe në përputhje me rregullat menaxhuese e administrative.
Ky ishte ndryshimi i parë themelor, që duhej bërë. Në këtë drejtim është realizuar një progres i vërtetë reformues, që e ktheu institucionin jo vetëm në normalitet, por në standardet e kohës. Këtu kam parasysh një institucion, ku administrata, shërbimet, informacioni, legalizimet, publikimet, adresat, pajisja me certifikata, karta identiteti e pasaporta biometrike etj. janë tërësisht të kompjuterizuara dhe ku qytetarët marrin këto shërbime jo më nga “dritaret prapa hekurave”, por në një qendër me sportele dhe mjedise komode, në qendrën më të madhe në Shqipëri e rajonin tonë, “One Stop Shop”, i ngritur pranë bashkisë.
Përmirësimi dhe perfeksionimi i vazhdueshëm i strukturave menaxhuese administrative, ligjore, profesionale e transparente solli rritje të konsiderueshme financiare, sepse u zgjerua dukshëm numri i bizneseve (gati trefishimi i tij nga 600 në 1.750), puna me projektet dhe investimet kapitale. Shifrat e buxhetit dhe të ardhurat e vetë Bashkisë në këto 4 vite janë të pakrahasueshme në raport me periudhat e mëparshme. Vetëm buxheti dhe të ardhurat e realizuara në vitin 2010 janë të barabarta me buxhetin dhe të ardhurat e realizuara 9 vite të marra së bashku, pra 1998–2006.
Kjo solli që investimet dhe ndryshimi urban në këta 4 vjet të jenë me ritme tepër të larta në rrugë, ndërtim, ujësjellës-kanalizime, energji, arsim, mjedis, rend etj. Në shifra, investimet e bashkisë në këto 4 vite janë 10 herë më të larta se investimet e 8 viteve 1998-2006, të marra së bashku. Për rrjedhojë, vetëm asfaltim rrugësh u realizuan në një gjatësi prej 60 km, pa llogaritur kilometra të tërë hapje të hapësirave publike, dhjetëra përmirësime e rikonstruksione në institucione, ndërtim shkollash e kopshte të reja, komisariati i policisë, pallati i kulturës, stadiumi, kompleksi skulpturor në qendër të qytetit, emblema e bashkisë etj., që janë jo vetëm objekte të reja, por vlerësohen në parametrat më bashkëkohorë. Kjo ka bërë që zhvillimi demografik në lagjet e Kamzës të jetë i vrullshëm dhe, për rrjedhojë, në këto vite, Kamza të shndërrohet në bashkinë e 6-të në vend dhe një bashki konkurruese midis bashkive më të mëdha dhe më me përvojë të Shqipërisë e pse jo, edhe të rajonit.
Para 4 vjetësh, Bashkia Kamzë konsiderohej si një bashki ku qeveria, institucionet mbështetëse, shoqëria civile, universitetet, organizmat ndërkombëtarë e trajtonin si një partner të dobët, që mund t’i ofronin asaj vetëm disa ndihma humanitare, aq sa mund të mëkëmbej e të fillonte të ecte me këmbët e veta. Përkundrejt këtyre qëndrimeve, Bashkia e Kamzës brenda 4 vjetësh u shndërrua në një nga partnerët më potencialë e aktivë në marrëdhëniet me qeverisjen qendrore e vendore, shoqërinë civile dhe organizmat ndërkombëtarë, duke fituar besimin e mbështetjen e tyre të plotë dhe duke bashkëpunuar me ta në projekte të rëndësishme zhvilluese.
Veçanërisht bashkëpunimi me qeverinë ka qenë tepër i afërt, inkurajues dhe mbështetës në të gjitha drejtimet. Për këtë mbështetje një kontribut të veçantë ka kryeministri, z. Sali Berisha, që ka treguar vëmendjen dhe kujdesin e tij të madh për Kamzën dhe që ka ideuar vizionin e zhvillimit të saj për një të ardhme moderne europiane në infrastrukturë, ekonomi, arsim, kulturë, sporte etj. Pikërisht, duke ecur me vendosmëri në këtë rrugë, Bashkia Kamzë ka njohur bashkëpunime të fuqishme me KE dhe OSBE (Hartimi i Strategjisë së Zhvillimit; Lufta Antikorrupsion; Java Europiane e Demokracisë Lokale), Bankën Botërore (studimi urban i qytetit; infrastrukturë dhe shkolla të reja), IPA (Projekti për Menaxhimin e Qëndrueshëm të Mbetjeve Urbane), Kfw (Projekti për Ndërtimin e Ujësjellës-Kanalizimeve për Kamzën dhe rajonin), GTZ (Projekti për ngritjen e Qendrës së re Profesionale Rajonale Shumëfunksionale), binjakëzimet më qytetet Macerata (Itali), Jena (Gjermani), Kemalpasha (Turqi) dhe bashkëpunimet e korrespondencat me komuna e bashki shqiptare dhe rajonale dhe me dhjetëra qytete të Europës dhe të botës.
Në këtë mënyrë, Bashkia Kamzë në këto vite jo vetëm prezantoi një performancë institucionale në nivele kombëtare, por edhe ndërkombëtare, duke përfituar dhe dhënë kontributin e vet në proceset integruese europiane e globale. Kjo ka bërë që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe mjaft institucione e shoqata të shoqërisë civile ta përfshijnë këtë bashki në shumë veprimtari, seminare, takime, panaire, brenda e jashtë vendit, si një shembull e model të përparuar zhvillimi, ndër praktikat më të mira të qeverisjes vendore të zbatuara në Shqipëri.
Si asnjëherë më parë, hapat ndryshues, progresivë dhe transformues të kësaj bashkie në këta 4 vjet janë publikuar në një material të pasur dokumentar e publicitar, në median lokale periodike gazeta “Kamza” dhe median elektronike dhe të shkruar kombëtare, në mjaft botime vjetore, siç kanë qenë buletinet statistikore, në faqen e re të internetit me standarde, në materiale informuese për publikun e gjerë e partnerët dhe krijimin e një arkivi mjaft të pasur, në shërbim të njerëzve dhe institucioneve të interesuara.
Të gjitha ndryshimet dhe progresi që ka ndodhur në Bashkinë Kamëz në 4 vjet, që unë i preka në vijat themelore, gjenden të zbërthyera e të detajuara në buletinin statistikor 4-vjeçar që sapo është botuar, duke konfirmuar edhe një herë me përgjegjësi se gjithçka që paraqitet në të, është një realitet dhe një mbështetje e fuqishme për të ardhmen.
*Kryetar i Bashkisë Kamzë

© Panorama.al

Te lidhura