Porti i Vlorës, 3 ditë pa tragete

Mar 5, 2011 | 13:31

Ndonëse dje shënohej dita e dytë pa asnjë funksionim të linjës së trageteve Vlorë-Brindizi dhe anasjellas, nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për të dalë nga kjo gjendje. Zyrtarisht nuk ka reaguar për këtë çështje as Ministria e Transporteve, për të dhënë një zgjidhje konkrete, në mënyrë që të normalizohet situata e krijuar pas largimit njëri pas tjetrit të dy trageteve të vetëm të linjës Vlorë-Brindizi.
Sipas burimeve nga Autoritetet Portuale të Vlorës, edhe për ditët në vazhdim nuk ka asnjë konfirmim as nga ana e agjencive të trageteve për ardhjen e ndonjë mjeti lundrues në këtë port. Nga dy tragete që operojnë në portin e Vlorës të linjës Vlorë-Brindizi dhe Brindizi-Vlorë, njëri prej tyre është në remont në qytetin italian dhe tjetri ndodhet në portin e Maltës, pranë Libisë. Ndërkohë mjetet e transportit, maunet tregtare, janë detyruar të shkojnë në portin e Durrësit, për të vazhduar më tej lundrimin e udhëtimin në qytetet e shtetit fqinj, pavarësisht kostos më të lartë financiare. Ndërsa ato që duan të shkojnë direkt në Brindizi, e nuk kanë interes për të shpenzuar akoma më shumë, janë ende duke pritur në portin e Vlorës për ardhjen e ndonjë trageti në ditët në vijim. Po gjithashtu, udhëtarët i janë drejtuar portit të Durrësit si dhe aeroportit të Tiranës për të udhëtuar në drejtim të Italisë. Sipas burimeve nga drejtoria portuale e Vlorës, në rast se tragetet ndërpresin linjën në mënyrë arbitrare apo të papritur, thyhet kontrata mes Drejtorisë së Portit dhe agjencisë së transportit të trageteve dhe bëhet gjobitja e agjencisë sipas ligjit. Nëse mungon më shumë se 30 ditë, atëherë ndërpritet totalisht kontrata. Në të tilla raste për zgjidhjen e problemit, drejtoria e portit s’ka asnjë rrugëzgjidhje, sepse kompanitë janë private. Burime të Portit të Vlorës thanë dje, se nuk ka pasur asnjë interesim nga Ministria e Transporteve, duke lënë enigmë fatin e linjës së lundrimit. Deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë apo njoftim për mbërritjen e një trageti tjetër, për të zgjidhur problemin e lundrimit nga Porti i Vlorës. Nuk dihet se sa do të vazhdojë mungesa e trageteve në linjën që lidh Vlorën me Brindizin në Itali e anasjellas. Gjatë stinës së verës rritet me një ose me 2 tragete numri i mjeteve të lundrimit, për shkak të fluksit të udhëtarëve, por asnjëra prej agjencive, që bën menaxhimin e tyre nuk është përgjigjur për të ardhur në Vlorë në këto ditë krize.

© Panorama.al

Te lidhura